“I refuzova 30 mijë lekë të Emergjencave Civile”, familja me dy të sëmurë: Kërkojmë vetëm një strehë

92

Familje Shuli në Elbasan po përballet me kushte të mjerueshme jetese ndërsa kryefamiljari tha se i janë ofruar vetëm 300 mijë lekë të vjetra nga Emergjencat Civile për riparimin e çatisë, shumë të cilën e ka refuzuar pasi është qesharake.

Ai rrëfen për gazetaren e Fax News se është i pamundur për të bërë ndërhyrje në banesë, ndërsa vetë ka probleme me shëndetin dhe djalin e ka të sëmurë me azmë.

“Këtu nuk jetohet, ç’bie jashtë bie brenda. Jam i pamundur, i pamundur, i sëmurë, djalin me aftësi të kufizuar, vetëm gruaja merret me ne. Nuk kam nga ia mbaj, i bëj thirrje shtetit dhe qeverisë të vërë dorë. Kanë ardhur kanë bërë vlerësime, kërcasin dhe ikin asgjë më shumë.

Nuk kam më kanë ofruar 300 mijë lekë të vjetra që edhe po ti merrja nuk do gjeja zgjidhje me to. Ishte një vlerësim tepër qesharak, mospërfillës prandaj nuk i mora fare. Është shumë e vështirë të jetoj në magazinë. Të vënë dorë mbi mua, të më ndihmojë se jam në gjendje shumë të keqe. I kam vendosur mushama në vend të çatisë”, tha kryefamiljari.

Djali 18-vjeç me aftësi të kufizuara tregon se autoritetet po tallen me familjen e tij, ndërsa shprehet se të jesh në nevojë nuk është motiv për ta bërë diçka të tillë.

“Jam i sëmurë azmatik, e kam sëmundje të lindur. Po të ishte rregulluar më parë shtëpia, nuk do ishim në këtë gjendje.

Nuk kërkojmë asgjë, as pasuri asgjë të këtij lloji vetëm një strehë për të jetuar. Çfarë bie jashtë bie edhe brenda. Banesa ka dalë jashtë funksionit. Të na ndihmojnë se vërtetë jemi në kushte katastrofike por të mos tallen, është tallje përkrahja që na kanë dhënë, i kemi mbuluar banesat me mushama”.