I dha vjerrit 1000 ha tokë me dokumente false, kallëzim penal për Elvis Cefën

1169
Sigal

Ministria: Akuzohet për shpërdorim detyre. Cefa: Është sulm politik, e prisja

Në një materail zyrtar të publikuar mbrëmë, Ministria e Drejtësisë ka bërë Kallëzim Penal për Evis Cefën pasi e akuzon se nëpërmjet falsifikimeve, kur ishte në krye të Pronave, i ka njohur vjerrës së tij 1220 hektarë tokë në bregdet(nga 220 që kishte në fakt) duke falsifikuar dokumentet. Menjëherë pas këtij publikimi, ka reaguar dhe Elvis Cefa. Po japim të plota të dy materialet.

KALLËZIMI PENAL

REPUBLIKA E SHQIPЁRISЁ

MINISTRIA E DREJTESISE

AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Adresa: Rruga “Muhamed Gjollesha”, Nr.54, Tiranë Tel/fax: +3554256 831

K A L L Z I M

PER FILLIMIN E NDJEKJES PENALE

I nderuar Z. Prokuror!    

Gjatë shqyrtimit të ankesës së shtetasit Z. Xhavit Huqi, depozituar në AKKP me shkresen Nr. prot. 1821, datë 18.05.2014, AKKP ka nisur hetimin administrativ për dosjen Nr. 493, datë 01.11.2010 ndaj subjektit të shpronësuar Shaqir dhe Shefqet Preza (Kalaja) dhe dosjen me Nr.626, datë 02.08.2012, në emër të subjektit të shpronësuar Abdulla Lundra. Gjatë hetimit administrativ, u konstatua si më poshtë:

Me vendimin Nr. 2051  dt.28.07.1995 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës është vendosur njohja e bashkëpronësisë së trashëgimtareve të familjes Preza. Gjatë këtij procesi gjyqësor, nga pala paditëse e përfaqsuar nga shtetasit Enver Preza dhe Adem Kalaja është paraqitur pranë gjykatës  si provë për të vërtetuar pretendimin e tyre një dokument shkresor me titullin “Raport” i përpiluar nga nënpunësi teknik i datës 24.02.1923 në të cilin citohet: Sipas hetimeve e shkeljeve të kufijve të pyllit rezulton se është në sundimin e të bijve të të vdekurit Zenel Bej, Selim Bej Preza. Në mbështetje të informacioneve pylli i naltpërmendur ….. përbëhet në një sipërfaqe prej afro 1220 hektar. Bashkëlidhur këtij raporti është edhe skica përkatëse sipas te cilit kjo familje është pronare e një sipërfaqe prej 1220 ha toke. Nga verifikimet e kryera lidhur me origjinën e këtij dokumentacioni i jemi drejtuar Arkivit Qendror Shtetëror, i cili me shkresën nr 2509/1 dt.19.06.2014 konfirmon përmbajtjen e njëjtë me atë të dokumenatcionit të paraqitur në gjykatë, por me njË ndryshim. Sipas këtij akti sipërfaqja është 220 ha dhe jo 1220 ha sa ajo përshkruhej në dokumentacionin e paraqitur nga familja Preza. Nga ky verifikim rezulton se dokumentit të paraqitur i është shtuar para shifrës 220 ha “numri 1” e cili e shndërron këtë shifër në 1220 ha. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka marë si të vlefshëm aktin e paraqitur nga pala paditëse dhe në përfundim të gjykimit ka vendosur pranimin e padisë. Ky vendim ka marë formë të prerë në dt.11.08.1995 (nuk është ankimuar). Me këtë vendim gjykate, subjekti i interesuar i është drejtuar KKKP pranë Prefekturës së Qarkut Durrës me kërkesën për njohjen dhe kthimin e kësaj sipërfaqe të vërtetuar sipas tyre gjyqësisht. Me vendimin Nr 667 dt.21.06.2002, KKKP pranë Prefekturës së Qarkut Durrës pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasit Enver Preza dhe Veli Kalaja, ka vendosur të njoh të drejtën e pronësisë ish pronarëve Emin Preza, Selim Preza, Enver (Dilaver) Kalaja dhe Xhehrije Stermasi si dhe 22 personave të shpallur bashkëpronar me vendimin e mësipërm të gjykatës, për sipërfaqen tokave pyje përkatësisht  mbi “Pyllin e Muzhlit” që ndodhet në zonën e Ishmit në Durrës, me siperfaqe 631,7 ha dhe “Pyllin e Bizes” që ndodhet në zonën e Ishmit Durrës me siperfaqe 1308,5 ha. Nga verifikimet e kryera u konstatua se  sipas dokumentit të administruar në dosje, Fletorja Zyrtare e datës 6 shkurt (Fruer) 1925, përcaktohet  se “Pylli i Muzhlit”  ka sipërfaqe totale 2000 dynym dhe Adem Veli Preza ka 1/4 pjesë të pandarë të saj, dhe sipas rregullave të pjestimit të pasurisë familjes Preza i takojnë 500 dy ose  50 ha,  dhe jo 631,7 ha siç  i janë njohur me këtë vendim. Pra sic mund të konstatohet nga krahasimi i këtyre shifrave, rezulton se ky komision i ka të njohur trashëgimtarëve të familjes  Preza një sipëfaqe toke shume herë më  të madhe dhe njëkohësisht kanë zhvendosur dhe kufijtë e vendndodhjes së kësaj prone. Me vendimin Nr 666 dt.21.06.2002, KKKP pranë Prefekturës së Qarkut   Durrës pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasit  Veli Kalaja dhe Haki Lundra, ka vendosur të njoh të drejtën e pronësisë ish pronarëve Adem Veli Preza dhe Abdulla Rexhep Lundra, për një sipërfaqe toke pyll prej 664 ha të ndodhur në fshatin Manzë. Nga shqyrtimi i dokumentave arkivore të lëshuara nga Arkivi Qendror Shteteror që i përkasin fondit arkivor te  vitit 1933 “dokument i bërë më 23. IX. 1925” dhe 1945, na rezulton se sipërfaqia totale e pyllit të Manzës ka qenë në total 340 ha dhe nga këto ne pjese  7/13 per familjen  Preza etj, dhe 6/13 prone shteterore.  Edhe ne kete rast KKKP pranë Prefektures së Qarkut Durrës u ka njohur bashkëpronarëve të mesiperm  nje siperfaqe toke disa herë më të madhe sesa ajo që provohet me dokumentin arkivor. Jo vetëm kaq por me këtë vendim ështe zhveshur shteti nga e drejta e pronësisë në masën 6/13 pjesë, që i takonte sipas dokumentit arkivor. Pra, ky komision  me dy vendimet e mësipërme, nr.666 dhe nr 667 vetëm u ka njohur të drejtën e pronësisë mbi sipërfaqet e pretenduara dhe jo kthimin e tyre në natyrë. Nisur nga fakti se vendimi nr.667 dt.21.06.2002 i KKKP Durrës, është një vendim i kundraligjshëm pasi ai mbështetet në një dokument të falsifikuar nga trashëgimtaret e familjes Preza, ish-drejtori i pergjithshem i AKKP Tunxh Vatnika, bazuar në kopetencat e ligjit në vitin 2008, ka ushtruar te drëjtën e iniciativës për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të mësipërm dhe në përfundim të ketij vlerësimi ka vendosur me vendimin nr 1108 dt.09.10.2008 Shfuqizimin e vendimit nr.667 datë 21.06.2002 të KKKP pranë Prefekturës së Qarkut Durrës dhe kthimin e dosjes për rishqyrtim pranë Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Qarku Durrës, duke lënë  detyra përkatëse”. Kundër këtij vendimi  subjekti i interesuar Shefqet Preza,  me kërkesë padi  datë 18.01.2010 i është drejtuar Gjykatës se Rrethit Gjyqesor Tirane për të anulluar Vendimin nr. 1108 datë 09.10.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi mori ne shqyrtim kërkesë padinë e paraqitur, me vendimin nr. 1412, datë 28.02.2011 ka vendosur  Pranimin e padisë së paditësit Shefqet Preza“ duke vendosur shfuqizimin e vendimit nr.1108 dt.09.10.2008 te Drejtorit te Pergjithshem te AKKP. Kunder këtij vendimi të Gjykatës, Sektori i Përfaqësimit Ligjor në AKKP ka pergatitur kërkesën ankimore me nr. 2165 prot., datë 15.03.2011  per tju drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë. Per kete fakt eshte vene ne dijeni Drejtori i Pergjitshem  Elvis Cefa. Por nga hetimi administrativ rezulton se ky ankim edhe pse eshte firmosur dhe protokolluar ne AKKP nuk është depozituar në Gjyaktën Apelit, veprim i cili ka sjellë si pasoje lënien në fuqi të vendimit  nr. 1412, datë 28.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pra ky vendim ka mare forme të prerë në dt.15.03.2011. Për rrjedhojë u rikthye përsëri në fuqi Vendimi nr. 667, datë 21.06.2002 të KKKP Durrës i cili legalizonte pronësi të përfituara në shkelje te ligjit.  Me kërkesen  nr. 332 prot., datë 14.11.2008 të përfaqësuesja me prokurë dhe trashëgimtarja Alma Lundra, i eshte drejtuar ZRKKP Durres ku kërkon kthimin ose  kompensimin e pronës së njohur me Vendimin nr. 666, datë 21.06.2002 të KKKP Durrës.  ZRKKP Durrës pas shqyrtimit të kësaj kërkese duke konstatuar  shkeljet të përmendura më sipër, me  Vendimin nr. 193, datë 30.06.2009 ka vendosur, të mos kthejë ose kompensojë pronën e njohur me Vendimin nr. 666, datë 21.06.2002 të ZKKKP Durrës, në emër të subjekteve Adem Veli Preza etj. Kundër këtij vendimi, brenda afaftit ligjor, pranë AKKP nuk është kryer ankim nga përfaqësuesi me prokurë apo nga trashëgimtarët e ish-pronarët. Sipas ligjit  9235/2004 “Per kthimin dhe kompesimin e pronave”  ky vendim duhej të shqyrtohej brenda 30 ditëve nga Drejtori i Përgjithshem i AKKP. Ky vendim nuk eshte marë në shqyrtim nga Drejtori i Përgjithshëm dhe si pasojë  ky vendim mori formë të prerë. Pavarësisht se ky vendim ka marë formë të prerë,  pasi kishin kaluar 8 muaj, Drejtori i Përgjitshëm ka nxjerrë urdhrin nr. 1319/3, datë 22.02.2010 me anën e të cilit urdhëron, të mos ushtrohet iniciativa kryesisht për vendimin nr. 193, datë 30.06.2009 të KKKP Durrës, sic e parashikon detyrimi ligjor.Ky urdhër nuk i është komunikuar menjëhere subjekteve te interesuara duke u mohuar në këtë mënyrë atyre të drejten e ankimit kundër  vendimit nr 193 dt 30.06.2009 të ZRKKP Durrës. Në kundershtim të plotë me të gjitha afatet ligjore, Drejtori i Përgjithshem i AKKP Elvis Cefa,  me shkresën  nr. 1319/4, datë 29.03.2011, pra  “13 muaj më vonënga nxjerrja e urdhërit të mos ushtrimit të inisiatives, u njofton palëve të interesuara se nuk ka ushtruar inisiativen ligjore kundër vendimit të ZRKKP Durrës. Vonesa dhe harresa e qëllimshme e njoftimit të ketij vendimi  i ka dhënë mundësinë subjektit kërkues që të rifitojë afatin per te ushtruar te drejten e ankimit në gjykatë të vendimin nr. 193, datë 30.06.2009 të ZKKKP Durrës. Ky veprim i kryer  nga Z.Elvis Cefa, ka qenë në koherence të plotë me shqyrtimin në Gjykaten Kushtetuese në atë periudhe,  të së drejtës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP për ushtrimin e inisiatives kryesisht, jo vetëm brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit por dhe në tejkalim të këtij afati. Z.Elvis Cefa, duke qenë në dijeni të plotë të këtij procesi gjyqësor që zhvillohej në Gjykatën Kushtetuese (AKKP ka qenë pale e paditur në këtë proces) me veprim i tij u ka dhene mundësi të interesuarve që të rivendosin në afat të drejtën e ankimit. Nisur nga kjo situatë, subjekti i interesuar i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane duke kërkuar shfuqizimin e vendimit nr.193 dt.30.06.2009 të ZRKKP Durres. Pas shqyrtimit të kërkesës se paraqitur prej tyre Gjykata ka vendosur shfuqizimin e vendimit 193 dt.30.06.2009 duke lënë kështu në fuqi vendimin nr 666 dt.21.06.2002 i cili i njeh të drejtën e pronësisë për një sipërfaqe prej 664 ha. Veprimet e kryera nga ish-Drejtori i Përgjithshem i AKKP Z.Elvis Cefa, janë në kundërshtim me permbushjen e rregullt të detyrës edhe per shkak të lidhjes se tij familjare me trashëgimtarët e familjes Preza. Dhe me konkretisht: Sipas vendimit te Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë  Nr. 175 dt. 15.05.2002 me objekt Vërtetim fakti trashegimie ligjore për të ndjerën Nadire Haxhiallushi rezulton se ne listen e trashëgimtarëve  është edhe shtetasi Asim Haxhiallushi (babai i Astrit Haxhiallushit, gjyqtar, anëtar i KLD). Po kështu me vendimin Nr. 1629 dt. 24.03.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vërtetuar   fakti   juridik  i celjes së trashëgimisë së të ndjerës Mediha Barbullushi (Preza) ku në listën e trashëgimtarëve rezulton edhe Asim Haxhiallushi. Nga verifikimet e kryera, rezulton se  shtetasi Asim Haxhiallushi është bashkëshorti i shtetases Rahmije Haxhiallushi e cila është motra e shtetases Diana Mansaku (vjehrra e Z.Elvis Cefa).

Nisur nga këto verifikime, rezulton se me veprimet dhe mosveprimet e tij Z.Elvis Cefa, duke qenë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP, ka favorizuar të afërm të familjes se tij. Parashikohet që sipërfaqja e njohur bazuar në dokumente të falsifikuar të jetë afërsisht 2000 ha e cila mund të përllogaritet me një vlerë të perafërt 100 milion euro. Në këtë mënyrë Z. Elvis Cefa, me veprime dhe mosveprimet e tij në bashkëpunim me persona të tjerë, ka konsumuar elementet e figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal. Po kështu, nga hetimi administrativ rezulton se shtetasi Shefqet Preza në dt.15.03.2012 i është drejtuar AKKP me një kerkese ku i ka kërkuar që të përdoren si pjesë e dokumentatcionit të shqyrtimit të dojes Nr 70 dt.27.01.2012 disa dokumenta te cilat në themel të tyre kanë dokumentin e falsifikuar sipas të cilit ai është trashëgimtar i sipërfaqes prej 1220 ha, ndryshe nga sa vërtetohet nga dokumenti i verifkuar nëpërmjet Arkivit qendror Shtetëror. Në ketë mënyrë edhe ky shtetas me veprimet e tij ka konsumuar elementet e figurës së veprës penale të përdorimit të dokumentit që dihet se është i falsifikuar, vepër kjo e parashikuar nga neni 186 i K.Penal. Përsa më sipër, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale të RSH,

KËRKOJMË:

Fillimin e ndjekjes penale për ish Drejtorin e Përgjithshëm të AKKP Elvis Çefa, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal si dhe të vepres penale të “Fallsifikimit te dokumenteve” të parashikuar nga neni 186 te Kodit Penal për shtetasin Shefqet Preza.

  

Reagimi i Cefës:Sulm për shkak të detyrës

 Ja reagimi i plotë i Elvis Cefës: Pasi u njoha me kallëzimin penal të bërë në orët e vona të natës ndaj meje nga drejtuesit aktuale të AKKP, dëshiroj të sqaroj me përgjegjësi të plotë opinionin publik se gjatë kohës që kam drejtuar atë agjenci, në periudhën 2009-2012 nuk kam dhënë asnjë vendim në favor të subjektit në fjale. Këtë akuze, qeë në fakt ishte e pritshme, referuar zhvillimeve të fundit, e konsideroj një sulm për shkak të detyrës që aktualisht mbaj, sulm i cili vërteton më së miri qëllimin e vërtetë të “reformës” në sistemin e drejtësisë, e cila tashmë po synon “eliminimin e kokave” në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo akuzë, më forcon bindjen dhe më shton edhe me tepër vullnetin për të bërë maksimumin në garantimin e plotësimit të detyrimeve të mija kushtetuese që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të jetë i pavarur nga politika. Jam dhe mbetem i hapur të kontrollohem nga kushdo, jo vetëm për këtë çështje por për të gjithë aktivitetin tim 17 vjeçar në administratën shtetërore.