Hyjnë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian

186
Sigal

Mediat në Kosovë raportojnë se Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 Qershor. Sipas mediave është pezulluar puna e organeve të Marrëveshjes për Stabilizim Associm dhe i pezulluar është edhe programi i fondeve IPA.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 Qershor”, – thuhet se ka raportuar kështu një zëdhënës të BE-së për një media në Kosovë.

“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti. BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”.

Zëdhënësi i BE shtoi se Bashkimi Evropian “nuk mund të përballojë tensione e dhunë”, teksa sërish bëri thirrje për çtensionim të situatës duke i ndjekur tre hapat e propozuara nga BE-ja.