Humbi jetën në një aksident tragjik, Presidenti Meta dekoron mësuesen e shkollës “Selami Kodra” të fshatit Arrëz, Luiza Dule dhe jep këtë mesazh

332
Sigal

Presidenti Ilir Meta dekoroi mësuesen e shkollës 9-vjeçare “Selami Kodra” të fshatit Arrëz në Devoll, Luiza Dule (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim për mësuesen e paharruar, nënën dhe familjaren model, simbol i përkushtimit të pashembullt në përhapjen e dijes dhe edukimit të brezave të rinj, duke sakrifikuar edhe jetën  e saj”.

Me anë të një ceremonie solemne, në shkollën e mesme “Nesim Kaçani”, Kreu i Shtetit nderoi veprën dhe jetën e mësueses Luiza Dule, e cila humbi jetën në një aksident tragjik në krye të detyrës.

Duke iu drejtuar familjarëve të saj, përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor, stafit pedagogjik, nxënësve dhe banorëve të pranishëm, Presidenti Meta dha dhe një mesazh të fortë, kur tha se “shkollat nuk janë thjesht qendra të punësuarish gjatë gjithë jetës, ku mësuesit ndihmojnë nxënësit e tyre të mendojnë e analizojnë në mënyrë kritike, të zgjidhin problematika, të formojnë gjykime dhe të marrin njohuri nga të cilat përfitojnë jo vetë nxënësit, por e gjithë shoqëria jonë. Ato janë shumë më tepër se kaq. Ndaj profesioni fisnik i mësuesit meriton vlerësimin më të lartë nga gjithë shoqëria jonë, sepse mësimdhënia është thelbësore për zhvillimin social, kulturor e ekonomik të vendit, për vetë të ardhmen tonë”.

Sipas kreut të shtetit, “të jesh mësues është një mision fisnik, që kërkon përkushtim e sakrificë çdo ditë të jetës. Këtë nuk e them vetëm si President i Republikës, por edhe për një fakt të thjeshtë se të dy prindërit e mi kanë qenë mësues dhe e di shumë mirë se sa shumë jetojnë me shqetësimet e nxënësve të tyre, se sa shumë gëzohen me arritjet e tyre”.

“Mësuese Luiza u përpoq fort gjatë gjithë punës së saj si mësuese, të sillte ndryshime pozitive në jetën e komunitetit të nxënësve dhe prindërve në këtë zonë të largët, duke iu ofruar dije, kulturë, edukatë dhe mbi të gjitha dashuri.

Në një ditë dhjetori, si çdo ditë, ajo përsëri u nis drejt nxënësve të saj, edhe pse dita ishte e akullt dhe rruga ishte e ngrirë dhe e rrezikshme, dashuria dhe përkushtimi për detyrën, për nxënësit dhe misionin e saj fisnik bënë që ajo të nisej drejt shkollës së saj dhe nxënësve të dashur.

Fatkeqësisht, mësuese Luiza nuk arriti dot as atë ditë dhe as kurrë më, në shkollën e saj, te nxënësit e saj të dashur pasi aksidenti i mori jetën, duke shkaktuar dhimbje e lot te fëmijët, nxënësit, familjarët, kolegët, dhe të gjithë komuniteti.

Vitet do të kalojnë, por emri i mësuese Luizës do të mbetet i përjetshëm në zemrën e nxënësve, që ajo i edukoi dhe i deshi me shpirt, të kolegëve, me të cilët ndante pasionin për misionin fisnik të mësuesit, të fëmijëve, të bashkëshortit e familjarëve të saj, të cilët e kanë mbështetur pa kushte, në zgjedhjet që ajo bëri.

Mësuese Luiza është sot një nga dëshmorët e shkollës sonë shqipe dhe të arsimit tonë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën për të mësuar, edukuar, e ndriçuar mendjen e fëmijëve tanë”, u shpreh presidenti ne fjalen e tij.