Humbi jetën në aksidentin hekurudhor, një rrugë në Greqi do të mbajë emrin e vajzës shqiptare

27
Sigal

Autoritetet vendore në Larisa kanë vendosur që një rrugë në këtë qytet të mbajë emrin e Klaudia Alexandra Lata, 20 vjeçares shqiptare që humbi jetën në aksidentin hekurudhor në Tempi.

Rruga do të jetë në zonën Nea Smirni, afër kishës së Shën Dhimitrit, ku u rrit Klaudia. Vajza ishte studente e shkëlqyer e Mjekësisë në universitetin Aristotelis të Selanikut.

Mësuesit e Klaudias e kujtojnë si një nga studentet më të veçanta të shkollës, ekselente në të gjitha vitet. Klaudia humbi jetën pas përplasjes së trenave në Tempi, natën e 28 shkurtit 2023, duke u kthyer nga karnavali i Patrës në Selanik.

Prindërit e Klaudias në një prononcim për median kujtojnë se si i kërkuan të ndalojë pak ditë në Larisa për t’u çmallur, pasi nuk do të kishte leksione, por Klaudia refuzoi sepse donte të studionte. Klaudia Lata është një nga katër viktimat shqiptarë dhe ndër rreth 60 të rinjtë që humbën jetën në aksidentin e frikshëm, për të cilin akoma nuk ka asnjë të dënuar nga drejtësia greke.