Hapet dosja e grabitjes në Rinas, gati procedimet për zyrtarët e TIA dhe Avicionit Civil

512
Sigal

Gjurmimi për gjetjen e autorëve të grabitjes nuk ka penguar Prokuroret e Krimeve të Rënda që të përcaktojnë përgjegjësitë për thyerjen e sigurisë së aeroportit. Nga zbardhja  e dokumentacionit të sekuestruar në Aviacionin Civil dhe TIA kanë dalë edhe përgjegjësitë për zyrtarët të cilët kanë pasur detyrë të merrnin masa për të parandaluar grabitjen.

Krahas gjurmimit të autorëve të grabitjes, tre prokurorët e Krimeve të Rënda Arenc Çela, Klodian Braho dhe Besnik Muçi, që po merren me këtë dosje kanë vijuar veprimet edhe për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije për RTV Ora se është zbardhur i gjithë dokumentacioni i sekuestruar në  Aviacionin Civil dhe TIA që ka të bëjë me marrëdhënien me aeroportin e Rinasit,  ku janë përcaktuar përgjegjësitë për zyrtarët.

Burimet kanë bërë të ditur se për disa prej tyre do të kërkohen edhe masa sigurie.

Burimet kanë bërë të ditur se hetuesit  kanë konstatuar probleme me kontrollet  periodike  tre mujorësh që duhet të kryheshin në aeroport, problematikat e evidentuara dhe masat e marra  duke patur parasysh se ngjarja e ndodhur ne 9 prill ishte e përsëritur.

Në skaner të prokurorisë janë edhe veprimet dhe koha e reagimit të punonjësve të sigurisë dhe kompanisë së sigurisë ICTS kur grabitësit arritën të hynin dhe dilnin pa u shqetësuar nga personat përgjegjës që ishin ngarkuar me sigurinë e brendshme të aeroportit të Rinasit.

Ndërkohë nga mjekësia ligjore ka mbërritur në prokurori dhe akt-ekspertiza  e vdekjes së Admir Muratajt, personi që mbeti i vrarë  pas grabitjes.

Në dokument janë gjurmët e gishtave të cilat i përkasin Muratajt.