Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: 120 mijë pula po asgjësohen, vezët u hoqën nga tregu

153
Sigal

Ministria e Bujqësisë ka reaguar për përhapjen e gripit të shpendëve në vend. Në një deklaratë për mediat, ministria bëri të ditur se 120 mijë shpendë janë duke u asgjësuar, ndërsa informoi po ashtu se AKU është çdo ditë në terren.

Po ashtu, bëhet e ditur se e gjithë partia e vezëve të kontaminuara janë hequr nga tregu. Ndërkohë, është ndaluar tregtimi i shpendëve në thertore për të siguruar tregtinë ushqimore. Sipas MB deri më tani janë 340 mijë shpendë të ngordhur ndërsa shqetësim kryesor vlerësohet të jetë pakësimi i shpendëve.

Zv/ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci deklaroi se përveç pulave të ngordhur anë Durrës si edhe pelikanit kaçurrel në Prespë, nuk ka vatra të tjera që është raportuar gripi i shpendit.

“Kemi një rast të konfirmuar të pelikanit në zonën e Prespës, pelikanët janë konstatuar më parë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, po te pelikanët, Sapo kemi marrë njoftimin, filloi në zbatim plani i kontigjencës, monitorimi dhe krehja e zonës, në monitorim u identifikua një pelikan i ngordhur dhe rezultoi pozitiv. Nuk kemi vatra të tjera, po vijojmë monitorimit, rastet e dyshimta vijnë në ISUV. Deri tani jemi në terren, duke monitoruar, në të gjithë vendin dhe rezultatet raportojnë që nuk kemi raste të evidentuara.”

Po ashtu, Gjeci theksoi se konsumatori nuk duhet të frikësohet pasi siç deklaroi ajo nuk ka pula të infektuara në treg.

DEKLARATA E PLOTË
Bëjmë me dije publikun se në vijim të zbatimit të Urdhrit “Për miratimin e planit të kontigjencës së sëmundjes së influencës aviare”, po respektohet dhe po zbatohet me përpikëri çdo pikë e këtij plani.

Vijon procesi i eliminimet të shpendëve të sëmurë e asgjësimi i tyre në njësitë e konfirmuara të prodhimit nga laboratori i referencës ISUV për prani të influencës aviare.
Deri tani kanë ngordhur rreth 340 mijë (338426) shpendë. Procesi i groposjes vazhdon me ritme të shpejta brenda rregullave dhe konform legjislacionit në fuqi. Procesi është dinamik dhe lëviz në varësi të rasteve të reja.
Gjithashtu, ka nisur procesi i asgjësimit edhe i 120 mijë shpendëve të cilët ndodhen në të njëjtat kapanone dhe bateri për të shmangur çdo rrezik të mundshëm duke ndjekur planin e kontigjencës.

Aktualisht:
• po respektohen procedurat e shuarjes së vatrës,
• po kryhet tamponimi i zonës sipas niveleve të rrezes,
• po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës,
• është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët.
Vijon monitorimi i terrenit në të gjithë Shqipërinë si në pikat e inspektimit kufitar, në bazë të planit të kontigjencës, ashtu edhe në përmbushje të mobilizimit për monitorim dhe kontroll për garantimin e sigurisë ushqimore për produktet e nxjerra në treg. Shërbimi veterinar rajonal është prezent cdo ditë në komplekse duke mbikqyrur në mënyrë rigoroze zbatimin e masave të biosigurisë dhe dizinfektimin e mjeteve të transportit. Shërbimi veterinar po kryen dhe survejance sindromike në të gjithë fermat që mbarështojnë shpendë si dhe po marrin kampione në të gjithë kapanonet e subjektit për të vërtetuar praninë ose mungesën e sëmundjeve.
Fermat që konstatojnë problematika për shpendë të ngordhur në fermë, veçse duhet të bëjnë karantinim të menjëhershëm për shmangie përhapjeje, duhet të kontaktojnë Shërbimin Veterinar nëpërmjet numrit të gjelbër 0800 3366.
Jemi në gatishmëri dhe bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në terren me një plan veprimi të fokusuar tek shpendaria në njësitë tregtare dhe gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar gjithë produktet dhe nënproduktet me origjinë shpendore.