A duhet ta lë punën që dua për një pagë më të lartë diku tjetër?

168
Sigal

Le ta pranojmë, është e vështirë që të injorosh të ardhurat më të larta në një punë tjetër dhe jo pak njerëz zgjedhin të lënë një punë që e duan. Megjithatë jo pak të tjerë pendohen për pozicionin e ri dhe kulturën e punës. A është të paturit një punë që e do më e rëndësishme se paratë? Vështirë të themi “po” ose “jo”, por në rast se jeni në këtë situatë, disa pyetje mund t’ju ndihmojnë që të merrni një vendim.

1. Si krahasohen pagesat?

Bëni një listë të aftësive, përvojës dhe detyrave që kryeni në punën aktuale. Pastaj krahasojini me aftësitë, përvojën dhe detyrat në punën tjetër. Nëse puna e re kërkon më shumë përgjegjësi dhe ofron më shumë para, a jeni gati? Disa kompani thjesht nuk kanë mjaftueshëm të ardhura për t’ju rritur pagën. Për të marrë vendimin e duhur, duhet që të informoheni për standardin e pagesës në industrinë ku punoni dhe atë të punës së re. Pastaj vendosni nëse paga aktuale është e drejtë apo meritoni më shumë.

2. A meritoni vërtet më shumë?

Përpara se të kërkoni rritje rroge, bëni një analizë të punës suaj dhe shihni nëse punoni më shumë se të tjerët dhe a meritoni vërtet më shumë para. Nëse po, jepni shembuj konkret. Nëse vërtet e doni punën që bëni, mund të bisedoni me shefin/en për një rritje ose bonuse.

3. Cila punë do t’ju vlente në planin afatgjatë?

Kur vjen puna te karriera, paratë nuk janë gjithçka. A mendoni se puna e re është e rëndësishme për ndryshim? A do t’ju vlejë në planin afatgjatë? Cila kompani ju motivon më shumë? A jeni të sigurt që paga e lartë diku tjetër do t’ju bëjë më të lumtur?

4. A jeni gati të hiqni dorë?

Mendoni për raportin që keni me kolegët, menaxherët, komunikimin me punëdhënësit. A jeni të gatshëm të hiqni dorë? Të paturit një ekip mbështetës që ndikon pozitivisht në gjendjen tuaj nuk gjendet lehtë, prandaj sigurohuni mirë para se të largoheni.

Pas këtyre pyetjeve, krahasoni të mirat dhe të këqijat e punës aktuale dhe asaj ku pretendoni të shkoni. Të kesh një karrierë, të punosh me një staf që të mbështet dhe të bësh punën që do, ndonjëherë nuk ka çmim.