Gjykatat, si spitale që rrjepin e presin ku të mundin

529
Merlin Bakiasi

Një ditë të bukur, ecën kryelartë, kërcet takat në dyshemenë e ftohtë dhe merr përgjegjësi. Sistemet gjyqësore të ndara në mënyrë sektoriale, nisin xhirimin e përditshëm të çështjeve të ndryshme. Dhënia e drejtësisë është kthyer në diçka mekanike, të ftohtë dhe njerëzit kanë vite që presin pas dyerve të gjykatës. Çështja nis sot dhe mbaron pas 10 vitesh, nëse ke mbetur ende gjallë. Gjykatat janë një lloj spitali që përbëhen nga mjekë të ndryshëm. Aty gjen kasapë, ekspertë thikash, ku në “dhomën e thertores” presin “delet” të marrin të drejtat e tyre. Kur them dele nënkuptoj popullin, që zihet me grushte nëse pret në radhën e bukës apo e ngre zërin menjëherë nëse nuk i japin në dorë biletën e autobusit. Ndërsa këtu në “dhomën e thertores” nuk ka asnjë problem, pret puna.
Të ndara shkallë-shkallë në çdo kat gjen dikë nga “ekipi mjekësor” që duket “jashtë rryme”, dikush që vë në dyshim edhe ekzistencën e tij – (Dekart ose Jozef K. i kohërave tona). Gjithsesi e përgjithshmja është që nëse nuk ke miq apo para për të dhënë nën dorë, nuk të ecën çështja dhe nuk të prek “mjek” me dorë. Dikush i palarë në llumin e çështjeve, me buzë të zbehta, dridhet pas një qosheje dhe pret avokatin e vet. Edhe pse nuk ka kryer asgjë në kundërshtim me ligjin dhe rregullat, gjithsesi dikush duhet të mbrohet ose dikush “do ta hajë”. I trembur merr, nis, thotë fakte të reja, lehtësuese për veten. Dikush tjetër del gojëhapur dhe rrëfen dëshmitë në dhomat e mbyllura. Të nesërmen gjendet diku i hedhur me një plumb pas qafe – vdekje moderne.
Avokati ndjek dhe gjurmon çështjen
I parandodhur midis dy anëve – Paradoksi i së drejtës. Ai që guxon të mbrojë etikën e vet, duartrokitet në seancat e mbyllura boshe dhe nesër i dhurohet një varëse e bukur. Pasnesër pas disa pusullave paralajmëruese, në pragun e shtëpisë së tij ndalon një taksi, ku prej saj dalin disa “postierë” dhe i dhurojnë avokatit tonë një shall në ngjyrë të kuqe, për punën e tij të palëkundur dhe të pakompromistë që ka bërë. Ai që del kundër rregullave të etikës, fryhet, rritet dhe ushqehet me kujdes si një gjel kokosh…por…pas disa vitesh, “në të mirë të popullit” i hapet një dosje dhe bëhet shembull për përgjithësinë – “kokë turku”. Me këtë veprim mund t’i mbushin mendjen edhe të huajve që gjykatat herë pas here edhe punojnë. Në çdo anë, në çdo kthesë është loja e kobshme për vetëidentifikim – Kompleksi i Edipit. Të gjithë aktorët tanë politikë sot duan t’i përkasin një vendi, një lloji edhe pse janë nga i njëjti brumë…pa kripë, pa ujë, pa shije! Duan të vetëidentifikohen më të vërtetën, bëjnë sikur punojnë, takohen lartë e poshtë me ndërkombëtarët, u kërkojnë këshilla, ndihma si sahanë lëpirës që janë dhe vijnë të japin shfaqje si klounë. Ne populli gajasemi së qeshuri, pa reaguar ashtu siç duhet dhe vazhdojmë të ndjekim forcën e zakonit tonë. Ngrihemi të parët në këmbë të gjykojmë, sapo na ofrohet një mini-film me metrazh të shkurtër për ta parë, por harrojmë se regjinë e tij e kemi bërë ne, në gjithë këto vite. Ne i caktuam rolet e tyre dhe vetë zgjodhëm të bëjmë spektatorin, jo aktorin. Është për të ardhur keq kur në fund të ditës as aktorët politikë nuk e besojnë identitetin e tyre të ri. Ndoshta nuk dalin dot nga lëkura e tyre e vjetër pa këputur ndonjë copë mishi nga trupi i tyre, ashtu si Nususi. Secila histori paraqet një shkallë hierarkie edhe pse numri 3 është vënë si zbatues…por ai që e kupton, e di që numri “3” është numër simbolik (Triniteti i Shenjtë = Sistemi i Shenjtë Ligjvënës?!).
Sigal