Disa ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi mbi rezultatet e kontrollit ushqimor në një subjekt tregtar “Magazinë Ushqimore dhe Prodhim Sallami” në qytetin e Sarandës. Si rezultat i këtij kontrolli, AKU vendosi ndalimin e menjëhershëm të aktivitetit të pa licencuar dhe tregtimit të produkteve të skaduar që nga viti 2015, bllokimin për asgjësim të 7,636 kg produkteve ushqimore të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit dhe masën administrative gjobë në vlerën totale 3.2 milion lekë të reja.
Megjithatë, sipas njoftimit, disa ditë pas vendimit, më datën 31 Korrik 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vendosur heqjen e bllokimit mbi aktivitetin e palicencuar. AKU e ka konsideruar vendimin gjyqësor haptazi në kundërshtim me dispozitat ligjore, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, praktikën e konsoliduar gjyqësore lidhur me marrjen e masës së sigurimit të padisë, me impakt të drejtpërdrejtë në cenimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit – interesit publik, në një rast tejet të rëndë të shkeljes së normave mbi sigurinë ushqimore nga subjekti, duke sjellë një vendim të paprecedent lidhur me sigurinë ushqimore.
Sipas njoftimit të AKU, Gjykata Administrative nuk ka juridiksion për aq kohë sa subjekti ankues nuk ka shfrytëzuar të gjithë hallkat e ankimit administrativ pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
AKU tha në njoftim se ka vlerësuar edhe Zyrën Përmbarimore Sarandë se është angazhuar në veprime dhe procedura ekstra-ligjore mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, duke injoruar detyrimet që rrjedhin nga Ligji “Për shërbimin përmbarimor”, duke mos informuar AKU për veprimet procedurale.
Sipas njoftimit, në kushtet kur 7,636 kg produkte ushqimore të skaduar dhe të rrezikshme për konsum u çliruan nga bllokimi me këtë vendim të gjykatës të ekzekutuar nga përmbaruesi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit urdhëroi ri-inspektimin në kushtet e flagrancës për të ri bllokuar produktet e skaduar duke penguar daljen e tyre në treg, duke shmangur cenimin e shëndetit të konsumatorit dhe interesit publik.Scan