Gjykata Gjirokastër, falsifikon vendimin e një tenderi korruptiv, të bërë prej drejtorit të rrugëve Dhimtër Nasi

702
Gazeta “Telegraf” publikoi 3 ditë më parë, disa fakte nga “dosja e zezë” me skandal-krimet e “gatuara” e të mbrojtura prej drejtorit të Autoritetit Rajonal Jugor të Rrugëve-Gjirokastër, të mirënjohurit si “usta tenderësh”, me titullin “Drejtori i rrugëve Gjirokastër Dhimitër Nasi, i ka mbyllur “gojën” prokurorisë me “garuzhden” e korrupsionit”. Faktet e provojnë këtë “futje në thes të drejtësisë” prej tij! Për të argumentuar këtë denoncim publik, po kujtojmë tenderin “thërrime” i cili u bë shkak, për të zbardhur dosjen e tenderëve me përmbajtje të plotë krim ekonomik-financiar. Indicie u bë një bisedë telefonike “sqaruese” e më pas një takim, me një prej zyrtarëve të kësaj drejtorie rrugësh rajonale, lidhur me një “kontratë shërbimi”, të firmosur e vulosur mes drejtorit Nasi dhe administratorit të firmës fituese “E… shpk” në datën 11 prill 2016, me objekt punimesh “Mirëmbajtje rutinë e dimërore të rrugës K/Dhuvjan-Libohovë+Rruga Valare-Erind-Çajup, me gjatësi 28 kilometër”, publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike Nr. 15, datë 18 prill 2016.  

Zyrtari i Rajonit Rrugor Gjirokastër një komisioner “i bindur” firmosës tenderësh, duke na “porositur” që të “mos tregojmë se kemi biseduar e jemi takuar me të”, na tha se ky “tender ka pasur “yçkla” miratimi e anulimi dhe se shërbimi i mirëmbajtjes së kësaj rruge në dimrin 2015 nuk është kryer, mbasi fituesi i tenderit i anulua dhe fitues u shpall një firmë tjetër, që sipas investigimit të “Telegraf”, duket se i ka ngjitur “skelat familjare” deri në kupolën e drejtorisë qëndrore të rrugëve, të komanduar nga “tutori” i tenderëve Dashamir Xhika! Po pse u anulua fituesi i tenderit me ofertën më të vogël i klasifikuar i pari nga KVO dhe u kualifikua firma e fundit në renditje, me ofertën më të lartë? Si shkuan “gjërat” pas letrave që drejtori rajonal Nasi i dërgonte shefit qendror Xhika, që shefi Xhika i dërgonte “ushtar” Nasit, që Nasi e Xhika i dërgonin APP e KPP, që Nasi i dërgonte dy firmave, që me vendime e urdhra të gjykatës e KPP, firmat u zëvendësuan me njëra-tjetrën si fituese humbëse? Sipas zyrtarit që na “sqaroi” këto “lojëra” të këtij tenderi e të shumë “punëve” të tjera që i bën dhe i di vetëm drejtori rajonal Dhimitër Nasi, deputeti i zonës “shef” i tij dhe drejtori i madh i rrugëve në Tiranë. Çfarë ka ndodhur realisht me këtë tender “thërrime” 313 milionë lekë, me të cilin duhej kryer shërbimi i mirëmbajtjes së rrugëve në dimrin 2015, por që kontrata u lidh në prill 2016? Fakti që do të publikojmë sot, ka lidhje me një skandal të rëndë shkresash të falsifikuara, të bërë mes drejtorisë Rajonale të Rrugëve Gjirokastër dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Gjirokastër.

 Në datën 28 janar 2016, në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Gjirokastër, pas gjykimit në seancë drejtuar nga gjyqtari i kësaj gjykate Elidon Papazisi, me sekretare Elvana Shabani është marrë Vendimi Nr. 57, datë 28. 01. 2016, me Nr. 123 Regjistri Themeltar, me datë regjistrimi të çështjes më 18. 01. 2016, me të cilin është shpallur fituese firma “E…shpk” që ishte shpallur humbëse prej KVO të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve. Ky vendim, sipas shkresës zyrtare, nuk ka pasur apelim dhe në datën 12. 02. 2016 ka marrë “Formë të prerë”, konfirmuar me deklarimin shkresor zyrtar të firmosur e vulosur në datën 15. 02. 2016, prej Kancelares së kësaj Gjykate, zonjës Dhurata Abazi. Por skandali, ose më qartë “pazari” qëndron në faktin, se 2 muaj më pas, konkretisht në datën 15. 04. 2016, po Kancelarja e kësaj gjykate zonja Dhurata Abazi ka lëshuar një tjetër deklarim zyrtar shkresor me shkrim dore e me vulë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, që deklaron kështu: Ky vendim gjyqi, është ankimuar nga drejtoria Rajonale e Rrugëve Gjirokastër”! Të njëjtin vendim gjykate që është edhe i “Formës së prerë” edhe me ankimim (vazhdim) në apel, lëshuar në distancën e 57 ditëve nga Kancelaria e Gjykatës së Shkallës së parë të Gjirokastrës (nga kancelarja), drejtori Rajonal i Rrugëve në Gjrokastër Dhimitër Nasi i ka depozituar dhe i ka përdorur si “dokumente zyrtare” në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, në Prokurori, në Komisionin e Prokurimit Publik, në Agjencinë e Prokurimeve Publike të Shqipërisë dhe madje edhe në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave të Drejtorisë së Rrugëve Rajonale Gjirokastër që ai “komandon”, duke zbatuar një vendim gjykate që sipas dy konfirmimeve të kundërta në përmbajtje zyrtare, çuditërisht ka marrë formë të prerë, por edhe nuk ka marrë formë të prerë, mbasi me shkresë zyrtare të firmosur e vulosur nga e njëjta Kancelare Dhurata Abazi e të njëjtës gjykatë, rezulton i ankimuar nga i njëjti drejtor Dhimitër Nasi që e ka… zbatuar! 
Në vijim, do të lexoni:
1. Çfarë fshihet pas dy vërtetimeve të kundërta, që ka firmosur e vulosur Kancelarja e gjykatës për të njëjtin vendim? 
2. Çfarë fshihet në dosjen e skandalit me tenderin 313 milionë lekë?
3. Çfarë tregon njoftimi zyrtar postar, i ankimit të firmës humbëse”
4. Mbi ç’bazë ligjore u lidh dhe kur u lidh kontrata me firmën që u shpall fituese prej gjykatës?
5. Mbi ç’bazë ligjore u lidh kontrata dhe u lejua nisja e punimeve, prej firmës që u shpall fituese prej KVO të drejtorisë rajonale?
6. Dy qëndrimet zyrtare shkresore kundërshtuese të njëra-tjetrës, të drejtorit Dhimitër Nasi.
7. Loja e drejtorit rajonal rrigor, me letrën “sqaruese”, drejtuar APP e KPP?
8. Letra që firma “E….shpk” i drejton drejtorit Xhika dhe letra që drejtori Xhika, i dërgon drejtorit rajonal rrugor dhe dosjet e 26 denoncimeve të reja me tenderët e rrugëve në rajonin jugor
9. Cilët janë zyrtarët rajonalë që kanë firmosur këtë dhe të tjera abuzime me tenderët e rrugëve të zonave Sarandës, që janë të bllokuar prej “pazareve të pambyllur siç duhet”?
10. Çfarë pazari është bërë me vendimet, sqarimet dhe gjykimet e institucioneve administrative që janë pjesë e këtij tenderi abuziv?
Sigal