Dëbora që “ngriu” fasadën edhe aferat korruptive të mirëmbajtjes së rrugëve

237
Sigal

Sa herë që vendi mbulohet nga bora të vetmet institucione që mbrrijnë të fundit në rrugët e bllokuara janë ARRSH-ja dhe firmat e mirëmbajtjes së akseve rrugore. Berberi i ARRSH-së “qëth” fondet publike ndërsa taksapaguesit, drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët bllokohen në makina, pasi rrugët janë pa kripë dhe skorje. Qeveria të ngreë shtabin e emergjencës në zonat rurale për furnizimin me ushqime të qytetarëve dhe blektorisë, për ilaçet, energjinë, ujin etj. Ja situata e plotë

 

Berberi i ARRSH-së  “qeth” fondet publike, taksapaguesit, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët ngrijnë nëpër rrugë

Me rreshjet e para të dëborës , akset kryesore rrugore u bllokuan nga ngricat dhe rrëshqitjet e dherave, duke ‘shkrirë’ kështu plotësisht  dhe fasadën e tenderave abuziv të bërë me klientelën e aferave korruptive prej kupolës së Autoritetit Rrugor Shqiptar. Rrugët e bllokuara janë një rrezik i madh për të pranishmit në çdo metër pjerrësi, ngjitje e kthese rrruge, këta faktorë akuzojnë konkretisht dorën që vulos dosjet e tenderëve, shumë prej të cilëve Gazeta “Telegraf” i ka denoncuar publikisht.

Vendi u përfshi  edhe para 10 ditësh nga reshje të dëborës, çka solli vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Përpos deklaratave të përsëritura, Autoriteti Rrugor Shqiptar, duket sikur merr kompetencat e Policisë Rrugore, kur u bën apel shoferëve të tregohen të kujdesshëm, ndërkohë që detyra e tyre është të merrnin masat paraprake me tabela ndriçuese, grumbullim skorjesh në çdo 1 km rrugë që përbën rrezik qarkullimi. A ka një plan masash për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore nga kompanitë e mirëmbajtjes për të shmangur bllokimin e lëvizjes së mjeteve dhe si po bashkëpunojnë Drejtoria Qëndrore e ARRSH  dhe  ajo rajonale me fituesit e milonave të mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore ?

Një vit më parë ne kemi qenë dëshmitarë të pamjeve ku miliarda euro kanë shkuar për rrugët, por në fund punëtorët kanë hedhur kripë rrugëve me duar në mungesë të lopatave. Fakt skandaloz, kur i shtojmë dhe mungesën e kripës dhe skorjeve që do lehtësonte qarkullimin.Vetëm pasi të kishte realizuar këtë detyrim ligjor, professional dhe teknik, ARRSH mund t’i bënte edhe thirrjen drejtuesve të mjeteve për modelin e gomave dimrore, zinxhirëve dhe kufizimin e lëvizjeve të padomosdoshme. A ka një plan bashkëveprimi midis ARRSH-së dhe kontraktuesve të mirëmbajtjes së rrugëve që në rastet kur ka përmbytje të ketë koordinim në zonat e përmbytura ,kryesisht të Jugut dhe kur ka rreshje bore si në rastin konkret kompanitë e Jugut të angazhohen në mirëmbajtjen e zonave Veri-Lindore ? Ja ky është misioni dhe detyrimi që taksapaguesit shqiptar i kërkojnë ARRSH , e cila me sa duket punën më të vështirë konsideron tenderat dhe shpërdorimin e parave të cilat bora e këtij viti, duket se u nxori bojën drejtuesve të ARRSH dhe ministrisë së Transporteve. Entet përgjegjëse të rrugëve shqiptare duhet ta kenë të qartë se problem kryesor nuk është vetëm hapja e një aksi të rëndsishëm kombëtar, por edhe mbajtja e hapur e rrugëve rurale dhe ato që lidhin akset kombëtare me qytetet dhe qëndrat e qyteteve dhe shërbimeve me zonat rurale ku banojnë me mijëra dhe miliona qytetarë. Ana njerëzore është  e rëndësishme, por kjo kërkonë nga shteti edhe krijimin e një situate emergjence ,apo krijimin e një shtabi qëndror nga qeveria, pasi do të ketë probleme me ushqimet, me shëndetësinë, arsimin, energjinë, me blegtorinë,  ujësjellsat në qytete etj. Prandaj duhet një koordimin mbarë kombëtar i ministrive të linjës, për të përballuar këtë situatë të rëndë ,por jo të jashtëzakonshme.

Rrugët, ‘gropa’ e madhe ekonomike. Sa do t’u kushtojnë taksapaguesve mirëmbajtja

Kontratat koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 153.8 miliardë lekë ose mbi 1.2 miliardë euro duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.Qeveria ka zbuluar për herë të parë faturën e 5 koncesioneve të mëdha që janë miratuar deri më tani në sektorin e infrastrukturës rrugore.Paketa, e cila i është bashkangjitur listës së investimeve publike 2019-2021, përfshin ndërtimin e 4 rrugëve të reja dhe mirëmbajtjen e autostradës Durrës-Kukës të cilat duhet të paguhen ë 13 vite.

Fakte me tenderët

Provat e krimit financiar e infrastrukturor janë të plota e të qarta në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, në zyrat e Komsionit të Prokurimit Publik, në dosjet e tenderëve të Autoritetit Rrugor e 32 Kërkesë-Padi në Gjykatën Administrative-Tiranë.

Referuar 2 raporteve të përbashkët Konfidencial të Auditeve nga Ministria e Financa dhe Ministria e Infrastrukturës, të datës 19 qershor 2020 e 28 janar 2021; rezulton se në 95% të tenderëve ka abuzuar me fondet limit, duke i caktuar me vlera 2-3 herë më të lartë se kostoja reale e punimeve, me shtim fiktiv veprash arti e volume punimesh teknike, për gjoja siguri terreni.

Po kështu, me 80% të tenderëve për ndërtim rrugësh panorameske në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Korçë dhe mirëmbajtje në verë e në dimër të 1760 km rrugë në zonat veriore e jugore.

Këto tendera janë dhënë me 100% të fondit limit e me preventiv fals, duke shtuar 25-40% volum punime e shërbime me tepër, me dëm ekonomik 39 milionë Euro, në favor të oligarkëve Rrok Gjoka, Shkëlqim Fusha, Ndue Kola, Gentian Sula, vëllezërit Hysa, Bashkim Ulaj, Milo Gjikuria, Sadri Abazi, Safet Gjici, Shkëlqim Kupa etj, etj.Abuzim i konstatuar nga këto grupe auditi të  ministrive, është fakti që në 23 tendera me vlerë mbi 2 milionë Euro, ish-drejtori Ergys Verdho, i dha me negocim pa shpallje paraprake, pa harruar tenderët me specifikime për të fituar vetëm firmat e paracaktura.  Drejtori i ri Evis Berberi duket se po ecën me hapa të sigurt të paraardhësit të tij. Qysh prej datës 9 qershor 2021 që është ulur në atë post, drejtori Evis Berberi ka “rruajtur” plotë tendera që i ka në proces. Mjafton të përmendim shpalljen fituese të firmën që ofroi 4 mln USD më shumë për rrugën e Qafë – Botës!

Policia apel shoferëve: Pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë

Qarku i Korçës përfshihet nga reshje dëbore. Reshjet janë të shoqëruara edhe me erë të fortë.Reshje të shumta janë regjistruar në Qafë Thanë e Pogradec e gjithashtu në zona të larta malore dhe në fshatin turistik të Dardhës.Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.

Ja gjendja e rrugëve në qarqet e ‘pushtuara nga dëbora, mbyllet rruga e Arbrit

Qarku i Kukësit është zgjuar i zbardhur nga dëbora mëngjesin e djeshëm ndërkohë gjatë natës është shoqëruar me reshje shiu me intensitet mesatar dhe erëra të forta.  Lartësia borës në Shishtavec 40 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prushi Has 10 cm. Ulja e temperaturave ka sjellë reshjet e dëborës në disa qytete të vendit. Në Steblevë të Librazhdit trashësia ka arritur në 20 cm dhe situata pritet të jetë problematike nesër kur të fillojnë ngricat.Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës që kanë përfshirë vendin tonë rruga e Arbrit është mbyllur.