Kreu i KQZ, Ilirijan Celibashi/ Zgjedhjet e 6 marsit kosto 180 mln lekë, po punojmë për të aplikuar identifikimin elektronik të zgjedhësve

202
Sigal

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka dhënë sot(dje) informacione në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve lokale në 6 bashkitë e vendit, Durrës, Shkodër, Lushnjë, Rrogozhinë, Dibër dhe Vorë.Celibashi bëri me dije se janë 13 KZAZ dhe 940 qendra votimi, ku qytetarët ndo të hedhin votën e tyre më 6 mars.Ai theksoi se po punohet për identifikimin elektronik, teksa shtoi se do të diskutohet me partitë politike për të aplikuar votimin elektronik në Vorë.”Kemi bërë një vlerësim paraprak të kostove, por jemi akoma duke punuar, në fund të ditës së sotme do e përfundojmë. Janë rreth 180 mln lekë kosto e zgjedhjeve. Po punojmë që të aplikohet identifikimi elektronik i zgjedhësve. Në konsultim me partitë do vendosim në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në Vorë. Qëllimi ynë është që ta aplikojmë sistemin e votimit elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë. Por do ta konsultojmë me partitë politike, por nuk shoh ndonjë pengesë për ta bërë. Sot apo maksimumi nesër para dreke do kalojmë aktet me përcaktimin e afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore. Në ligj janë dy afate të përcaktuara, 25 janari që lidhet me hartimin e listës së zgjedhësve nga Gjendja Civile dhe 27 janari që lidhet me miratimin dhe shpalljen e tyre nga ata që po kryejnë detyrën e kryetarëve të bashkive”, tha ai.

 

PD apo Komisioni i Rithemelimit, kush do të regjistrohet në zgjedhjet e pjesshme nga KQZ

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi është shprehur gjithashtu se në këto zgjedhje mund të regjistrohen të gjitha partitë që plotësojnë kushtet sipas ligjit.Ndërkohë që i pyetur nga gazetarët lidhur me PD-në dhe Komisionin e Rithemelimit se kë do regjistrojë KQZ, Celibashi tha se kjo nuk është çështje e KQZ-së.Ai thekson se kjo situatë është e përcaktuar mirë nga ligji.“Partia Politike që kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor, duhet të paraqesë disa dokumente,  dhe një vendim nga Gjykata e Tiranës për partinë politike, emrin, organet drejtuese, organet kompetente për marrëdhëniet me të tretët. Nuk është çështje e KQZ-së, por e përcaktuar mirë nga ligji. Në momentin kur do fillojë regjistrimi i partive politike, do të merrni dijeni për partitë që regjistrohen dhe përfaqësuesit e tyre. Qoftë në raport me KQZ-në.” – tha Celibashi.