Gjykata Evropiane i tërheq veshin Shtetit Shqiptar/ Gjobë 3 mijë euro. I mohojë aksesin në Gjykatë kushtetuese të dënuarit

130
Sigal

Gjykata e Strasburgut ka gjobitur me 3000 euro shtetin shqiptar lidhur me një çështje të depozituar në këtë gjykatë, e njohur si çështja Kola. Kërkuesi Ndrec Kola i dënuar me 19 vite burg iu refuzua aksesi në Gjykatën Kushtetuese dhe në gjetjet e Strasburgut në këtë rast është shkelur konventa evropianë e te drejtave të njeriut.

“Gjykata ka konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës pasi Gjykata Kushtetuese e privoi kërkuesin nga aksesi në atë gjykatë. Gjykata Kushtetuese nuk shqyrtoi bazueshmërinë e ankesës kushtetuese të ankuesit, në të cilën ai pretendonte shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës me arsyetimin; se ai nuk kishte pasur një mundësi për të paraqitur dhe kundërshtuar provat, për të pyetur dëshmitarët dhe për t’u përfaqësuar nga një avokat i zgjedhur prej tij “,-thuhet me tej në vendimin e Strasburgut.

Ndrec Kola ishte dënuar me 10 vjet burg nga gjykata e Tiranës pasi në 2002 kishte vrarë me armë zjarri për shkaqe banale shtetasin me iniciale S.H. Pas vrasjes Kola ishte larguar nga vendngjarja dhe ishte arratisur në shtetin fqinj. Në 2014 ky shtetas u arrestua në Greqi dhe u ekstradua në Shqipëri. Pas kësaj i akuzuari ankimoi vendimin e dënimit të tij me argumentin se, edhe pse nuk kishte njohuri për procedimin penal ndaj tij, ai ishte gjykuar në mungesë. Dënimi i tij u bazua në deklaratat e katër dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimit, të cilët ishin marrë në pyetje vetëm nga prokuroria dhe nuk kishin dhënë provat e tyre në gjykim.

Më 12 mars 2015, Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e datës 11 dhjetor 2012, duke u shprehur se fajësia e kërkuesit ishte provuar nga një këqyrje në vend, ekspertizë mjeko-ligjore, ekspertizë balistike, procesverbal për sekuestrimin e provave materiale dhe deklaratat e katër dëshmitarëve të tjerë të dhëna në gjykim, si dhe deklaratat e dëshmitarëve të dhëna gjatë hetimit. Edhe Gjykata e Lartë rrëzoi ankuesin në janar 2016. Ankuesi ka bërë ankim kushtetues më 10 maj 2017, duke kërkuar prishjen e vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe lejimin e kërkesës së tij për rigjykim. Por në 4 korrik 2017, Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme ankimin kushtetues të ankuesit si të depozituar jashtë afatit katër mujor.