Gjykata e Lezhës pushon çështjen ndaj ish-deputetit Arben Ndoka

240

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili u arrestua si pjesë e një grupi kriminal pas hetimeve për dosjen 339, u shfajësua nga katër akuzat që ishin ngritur ndaj tij mbi tjetërsimin e pronave në Shëngjin.

Sigal

Gjykata e Lezhës vendosi të lehtësojë nga të katër akuzat ish-deputetin e Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili u arrestua si pjesë e një grupi kriminal pas hetimeve për dosjen 339. Ndoka akuzohej për “Falsifikimi të dokumenteve ” në bashkëpunim,”Falsifikimi të vulave , stampave ose i formularëve” në bashkëpunim, “Shpërdorimi i tokës” në bashkëpunim  dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ai fillimisht u arrestua dhe u akuzua si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte i vëllai Gjevi Ndoka, e motra dhe 9 persona të  tjerë kryesisht zyrtarë lokalë të përfshirë në tjetërsim pronash në Lezhë. Por ndërsa SPAK dërgoi në Gjykatën e Posaçme çështjen ndaj të akuzuarve të tjerë, dosja ndaj Ndokës u veçua dhe u dërgua për gjykim në Lezhë.

Në shkurt Gjykata e Posaçme gjeti fajtorë 11 të akuzuarit e tjerë, përfshi vëllain e ish-deputetit i cili u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, të motrën dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë për të cilët u dhanë në total 13 vjet burg dhe 26.2 vite dënim me kusht.

Pushimi i çështjes u kërkuar prej prokurorit Erjon Shehaj. Avokati i Ndokës nuk qe i arritshëm për koment.

Më herët pafajësinë në Gjykatën e Lezhës e kishte fituar edhe ish kreu i Hipotekës Eraldo Smaçi dhe dy persona të tjerë po ashtu nën akuzë për tjetërsim pronash.

Çështja filloi pas operacionit “VOL-VO 4” në tetor të vitit 2018 ku u u prangosen 33 persona mes të cilëve dhe dy ish-deputetet e Partisë Socialiste Ndoka dhe Arben Çuko. Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me dyshimet për trafik droge por përgjimet, zbuluan dhe angazhimin e tyre në zgjedhjet e vitit 2017-të dhe tjetërsimin e pronave në bregdet. Deri tani Gjykata e Posaçme ka dhënë dënime për dhjetëra pjesëtarë të grupit, por të dy ish-deputetët nën akuzë morën pafajësinë.

Bazuar mbi këtë dosje u konfiskuan 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës dhe disa apartamente. Konkretisht u konfiskuan 42 pasuri të llojit “arë” me sipërfaqe totale 215 mijë e 923 m2, që kanë rrjedhur nga tjetërsimi i pyjeve dhe kënetës; 23 prona të llojit pemëtore me sipërfaqe totale 35 mijë e 810 m2 të prejardhura nga pasuri të njëjtit lloj; tre parcela pyll me sipërfaqe totale 9519 m2; një apartament me sipërfaqe 100.3 m2 në Shëngjin dhe një tjetër me sipërfaqe 77.3 m2 në Lezhë; ranishte me sipërfaqe 11 mijë e 582 m2 dhe pesë parcela toke për të cilat nuk përcaktohet lloji, me sipërfaqe totale 38 mijë e 191 m2.