Flet Prof.Zija Vukaj: Ju rrëfej Pjetër Gacin, mjeshtrin e madh të këngës “Për ty Atdhe” dhe qindra këngëve shkodrane

481
Sigal

Studimet në Moskë me Zadenë, Dainë, Kaçajn, Mulën, Tukiçin, Teqen e Mentor Xhemalin. Martesa me vajzën moskovitë, kujtimet e ushtarit për Gjeneral Abaz Fejzo dhe ndarja nga jeta më ditën e lindjes.

 

Studioi në Moskë së bashku me Çesk Zadenë, Tish Dainë, Lukë Kaçaj, Mentor Xhemalin, Avni Mulën, Ibrahim Tukiçin, Rifat Teqen

Pjetër Gaci: Kemi muzikën, që të mos vdesim…

Në Moskë u njoh me vajzën moskovite Tamara Kudrickaja, e cila u bë bashkëshortja e tij

– Gjenerali Abaz Fejzo e caktoi në bibliotekën e Shtëpisë së Ushtarakëve në Durrës kur ishte ushtar

-Veçohen kënga madhështore “Për ty atdhe” dhe “Kur bie fyelli e çiftelia”

Prof. Zija Vukaj

Në galerinë e mjeshtërve të mëdhenj të muzikës shqiptare vendi i Pjetër Gacit është shumë i rëndësishëm. Kontributi i tij si violinist, si pedagog, por mbi të gjitha, si kompozitor mbetet i pavdekshëm, pasi me punën dhe opusin e tij krijues ndërtoi vlera njerëzore dhe modele të rralla artistike, që i qëndrojnë çdo kohe. Falë talentit dhe intuitës së një mjeshtri të tillë, fondi i muzikës sonë kombëtare u pasurua me zhanre që nuk i kishte më parë, ndërsa aktiviteti i tij krijues përfshiu pothuajse të gjitha gjinitë muzikore, duke pasuruar e plotësuar visaret artistike të kulturës sonë kombëtare.

Pjetër Gaci u lind më 27 mars të vitit 1931 në fshatin Shirq të zonës së Dajçit në afërsi të qytetit të Shkodrës. Familja Qyrsaqi (Gaci- sipas traditës patronimike), ku u lind Pjetër Gaci, ishte shpërngulur kohë më parë nga Mirdita dhe ishte vendosur në këtë fshat të begatshëm fushor, për një jetë më të mirë. Anëtarët e saj ishin babai Gaci; nëna Mrika; fëmijët: Ndoci, Lukja dhe Pjetri. Babai, Gaci ishte rapsod dhe lahutar i njohur. I krijonte vetë këngët dhe i interpretonte me sigurinë dhe hijeshinë e një mjeshtri të vërtetë popullor. Shirqi dhe fshatrat e tjerë të Bregut të Bunës janë një zonë përmbytjesh. Në një nga dimrat e atyre viteve, kur Pjetri ishte rreth tre vjeç, shtëpia e tyre u përmbyt e tëra dhe Gaci ndërtoi një kasolle mbi disa shtylla në mes të oborrit, për t’i mbijetuar vërshimit të ujërave. Në këtë gjendje e gjetën ca miq të tij, të cilët kishin ardhur me lundër që ta merrnin familjen. Ky qe çasti kur familja Qyrsaqi (Gaci) u shpërngul përfundimisht në Shirokë, në fshatin piktoresk mbi brigjet shkëmbore të Liqenit të Shkodrës.

Për familjen filloi një jetë e re. Gaci u bashkua me peshkatarët vendas, një pjesë prej të cilëve i kishte njohur më parë dhe iu kushtua punës së rëndë të peshkimit. E shoqja, Mrika, merrej me punët e shtëpisë dhe me rritjen e fëmijëve. Ndërsa për Pjetrin fëmijëria në Shirokë ishte si një bekim. Ai kishte lindur i talentuar dhe me një vokacion të dallueshëm për muzikë. Kjo u pa qysh në hapat e parë, kur ndiqte me adhurim këngët dhe interpretimet e të atit, por u pasqyrua edhe në raste të tjera. Kështu, i vëllai, Ndoci tregon: “Një ditë, kur një person na kishte sjellë drutë dhe e kishte lënë kalin jashtë, Pjetri afrohet dhe tërheq disa fije prej bishtit të tij. Pastaj merr katër gozhdë, një copë dërrasë, tel sane e një degë shelgu. E bën hark dhe aty lidh fijet e bishtit të kalit, duke e bërë të lëshojë tinguj.” Duke qenë vetëm 7 kilometra nga qyteti i Shkodrës, Shiroka frekuentohej shumë nga banorët e qytetit që shkonin të shplodheshin në natyrën e mrekullueshme të këtij fshati që pasqyrohej në ujërat e liqenit. Njerëzit aty e donin shumë muzikën dhe nuk është e rastit që nga ky vend i vogël kanë dalë muzikantë me famë kombëtare. Edhe sot rrugica në qendër të Shirokës, që të çon te kisha quhet “Rruga e Henxhijve”. Aty shkonin artistë të ndryshëm, sidomos muzikantë, që gjatë verës këndonin dhe u binin veglave. Përveç tyre kishte edhe muzikantë vendalinj. Ndër ta ishte edhe Luka i Markut, një violinist i përmendur, por edhe të tjerë. Kjo atmosferë ushqeu shpirtin e fëmijës artist. Një rrethanë fatlume për Pjetrin ishte fakti që muzikantët shkodranë i linin veglat në shtëpinë e tyre. Pjetri rrinte gjithë kohës duke luajtur mbi to dhe në njëfarë kohe nisi të zotëronte disa prej tyre, aq sa tërhoqi vëmendjen e disa italianëve që rrinin tek vila e Zogut. Pjetri u çonte atyre peshk dhe ata ia kompensonin në të shumtën e rasteve me pllaka gramafoni. Duke pikasur talentin e tij,i sugjeruan të atit ta çonte për studime në Itali, gjë të cilën Gaci nuk e pranoi për arsye moshe, por iu ngulit në mendje që të mund t’i jepte në të ardhmen të birit edukim muzikor.“Unë rrija me orë të tëra me këto vegla magjike në duar dhe u bija sipas mënyrës sime”- tregonte Pjetri.[1]Pas mbarimit të shkollës fillore në Shirokë, rreth vitit 1941 ndjek shkollimin e mëtejshëm në qytetin e Shkodrës, duke përshkuar përditë në këmbë bashkë me disa shokë të tij këtë distancë prej 15 kilometrash vajtje- ardhje. Ndërkohë, ai kishte filluar të binte në sy të muzikantëve të qytetit dhe të bëhej i njohur si një djalë me të ardhme në artin e muzikës. Pas çlirimit, në vitin 1947 vazhdon mësimet në shkollën unike në Shkodër. Në atë shkollë, në vitet 1946- 1947 jepte mësimin e gjuhës shqipe profesori i famshëm Kolë Kamsi (1866- 1960). Aty njihet me artistin e shquar Rifat Teqja (1928- 2013), i cili kishte ardhur nga Peqini për të ndjekur mësimet në qytetin e Shkodrës. Duke pasur të dy prirje të spikatura muzikore, u krijua mes tyre një miqësi e madhe. Të dy synonin liceun artistik të Tiranës. Rifati e vazhdoi këtë lice në vitet 1947- 1951, ndërsa Pjetri në vitet 1948- 1952. Ritakimi në Tiranë e forcoi miqësinë e tyre dhe e bëri të përjetshme. Studimi në lice pati një rol përcaktues për të ardhmen e Pjetrit. Kjo falë talentit të tij, cilësisë së lartë të shkollës dhe pranisë së profesorit të famshëm të violinës Lodovik Naraçi (1903- 1999), shkolluar në Austri dhe Çeki, që cilësohej si një nga violinistët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX.

Në vitin 1953 fitoi të drejtën të shkonte për studime në Universitetin “Çajkovski” të Moskës, ku qëndroi deri në vitin 1956. Aty Pjetri gjeti shumë studentë shqiptarë. Në atë kohë në këtë konservator studionin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Albert Paparisto, Lukë Kaçaj, Mentor Xhemali, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Xhoni Athanas, Rifat Teqja, Milto Vako etj.

Pjetri në konservator studioi në klasën Jampolski vetëm për violinë dhe kompozicionit iu kushtua më vonë. Në fillim me këngë e miniatura, pastaj hap pas hapi arriti me sukses deri tek opera dhe muzika simfonike instrumentale. Gjatë viteve të tij studentore në Moskë u njoh me vajzën moskovite Tamara Kudrickaja, e cila u bë bashkëshortja e tij duke ndarë me të, gjithë rrugëtimin e jetës. Ajo u atdhesua përfundimisht në Shqipëri.

Në vitin 1956 Pjetri u kthye në Shqipëri. Po në këtë vit fillon punën në TOB si solist, si dhe anëtar i Trios së parë instrumentale pranë TOB duke qenë njëkohësisht edhe një ndër pedagogët e parë shqiptarë të violinës në Liceun Artistik “J. Misja”. Një vit më vonë vjen nga Moska edhe bashkëshortja e tij Tamara Kudrickaja. Vendosen në Tiranë dhe marrin me vete edhe prindërit e Pjetrit. Në Teatrin e Operas dhe Baletit qëndroi deri në fundin e vitit 1960. Të kësaj periudhe janë “Nina- nana”- miniaturë për violinë e piano (1958); “Melodi për violinë e piano”; “Mall”- romancë. Gjatë vitit 1959 krijoi dy vepra instrumentale që janë të parat e këtij lloji në muzikën shqiptare: “Koncert për violinë e orkestër” dhe “Baladë për violinë e piano” etj. Në dhjetor të vitit 1960 fillon shërbimin ushtarak në repartin 3011 të garnizonit të Kavajës. Kjo qe një periudhë e mundimshme, qoftë për faktin se ishte në të tridhjetat, qoftë se ishte shkëputur nga prindërit pleq dhe e shoqja, qoftë edhe për natyrën e butë e delikate të një artisti që duhej të përballej me jetën e vështirë e prozaike të ushtrisë. Me sa duket këtu ka artikuluar për herë të parë frazën e famshme aforistike të Niçes: “Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”, por të modifikuar: “Kemi muzikën për të mos vdekur…”, të cilën e ka pasur leitmotiv gjatë gjithë jetës. Megjithatë, duke qenë se emri i tij qarkullonte tashmë në qarqet artistike të kohës, ndaj tij u tregua një lloj përkujdesjeje. Pati edhe ndonjë autoritet ushtarak me shumë kulturë e influencë, siç ishte gjenerali Abaz Fejzo (1925- 1987), që u interesua personalisht për t’ia lehtësuar jetën prej ushtari. Kështu u caktua në bibliotekën e Shtëpisë së Ushtarakëve në Durrës, si dhe iu reduktua ndjeshëm koha e ushtrisë. Këtë e dëshmon edhe fakti se gjatë kësaj periudhe Pjetri e vazhdoi krijimtarinë e tij muzikore pa ndërprerje. Të kësaj kohe janë veprat “Marifetet e teto Sherifes” (komedi vodevil); “Çiftelia”- miniaturë për violinë e piano, të dyja të vitit 1961 në Shtëpinë e Kulturës Durrës. Kur u kthye nga ushtria, Pjetri filloi punën në Liceun Artistik “J. Misja”, ku qëndroi deri në vitin 1967. Kjo qe një periudhë e mbushur me krijimtari nga shumë zhanre muzikore, ndër të cilat mund të përmendim: “Ekstazë pranverore”- romancë vokale (1962); kënga madhështore “Për ty atdhe” (1963); “Kur bie fyelli e çiftelia” (1966) “Rapsodi për piano dhe orkestër” (1967) etj. Në vitet 1967- 1970 ishte drejtor i Cirkut, udhëheqës artistik i Estradës së Tiranës dhe i Teatrit të Kukullave. Të kësaj periudhe janë veprat: “Cucat e Dukagjinit”- skenë koreografike; muzikë e filmit “Prita” (1968); “Valle simfonike nr.1”; opera “Përtej mjegullës” etj. Në vitin 1970 është kompozitor në krijimtari të lirë. Kemi në këto vite “Erdhi pranvera” 1972 (festivali i 11); “Valle simfonike nr.2”, muzikë e filmit “Shpërthimi”; “Valle simfonike nr.3”; “Koncert për violinë e piano” etj. Në vitin 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “Prenkë Jakova”, kurse Tamara u caktua ekonomiste në befotrofin e qytetit. Puna si pedagog i violinës nxori në pah edhe pasionin dhe përkujdesjen ndaj të rinjve. Prej duarve të tij u përgatitën një numër i madh muzikantësh të ardhshëm dhe gjithçka kulmon me përgatitjen e dy violinistëve me përmasa kombëtare, Lorenc Radovani dhe Elizabeta Qyrsaqi.

 

Në Shkodër Pjetri qe i kërkuar dhe i pranishëm në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të qytetit, si dhe në eventet kryesore të kohës. Kështu, në shkollën e muzikës shkroi disa miniatura për fëmijë, ndërsa në Shtëpinë e Pionierit krahas kompozimit të këngëve, kujdesej edhe për zbulimin e talenteve të reja dhe përgatitjen e festivaleve për fëmijë, duke krijuar modele si “Tring zilja” etj., që u rezistuan kohëve. Krijimtaria e Pjetër Gacit ishte e pranishme jo vetëm në qytetin e tij Shkodër, por edhe në veprimtaritë më të rëndësishme kombëtare, si anketat muzikore, Dekadat e majit, Radio Tirana, festivali i ushtrisë, festivalet e këngës në radio-televizion etj. Kemi në vitet 1978- ’79 muzikën e dramave “Shota” dhe “Baca i Gjetajve” (Teatri “Migjeni”); kantatën “O moj Shqipni” me tekst të Pashko Vasës, “Valle Popullore” (Shtëpia e kulturës) dhe më 1981 operën“Toka jonë” (TOB). Viti1984 është mjaft i begatë në krijimtarinë e Pjetër Gacit kemi: muzikën e filmit “Lisa në dëborë”, (Kinostudio); kantatë për kor, solist e orkesër; prelude për violinë e orkestër; “Pranvera”, skicë për orkestër harqesh (Shtëpia e kulturës Shkodër). Në vitin 1980, kur ishte udhëheqës artistik i Grupit Popullor të Radio Shkodrës, u zhvillua një turne në Kosovë dhe në Mal të Zi. Në përbërje të këtij grupi ishin këngëtarët dhe muzikantët më të mirë. Drejtues i orkestrës ishte Luan Borova, një reformator i vërtetë i këngës qytetare. U mendua që repertori tradicional i grupit të pasurohej dhe së këtejmi, Pjetri kompozoi këngën “Gryka e Kaçanikut” me tekst të Paulin Shtjefnit, që pati një sukses të paparashikueshëm në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në mbarë botën shqiptare. Bashkëpunimi me Paulin Shtjefnin qe i gjatë dhe i frytshëm. Shtjefni shkroi tekstet e këngëve: “Gryka e Kaçanikut”, “Syni i kaltër”, “Asht liqeni bahçja jonë”, “Kush e vret pranverën tonë”, “Shpirti i trazuar” etj.

Në vitin 1986 u organizua nga Shtëpia e Kulturës një koncert me këngë të reja shkodrane. Ky koncert me njëzet këngë ishte produkt i një nisme, që kishte filluar kohë më parë për zhvillimin dhe rinovimin e mëtejshëm të këngës qytetare shkodrane. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore dhe artistike u realizua nga kontributi i dy kompozitorëve tashmë të famshëm, Pjetër Gaci dhe Zef Çoba. Puna e tyre u ushqye edhe nga poetë dhe shkrues tekstesh, si Alfred Çapaliku, Dodë Kaçaj, Fadil Kraja,Tahir Kastrati etj. Falë kësaj pune krijuese, fondit të artë të këngës qytetare shkodrane iu shtuan këngë si “Si lule zambak”, “Je si drita”,“Fushave të Shkodrës”, “Në mes shoqesh”, “Nusja naka ardhë”, “Vashë të pashë sonte në ëndërr”,“Buljera”, “Lule është qyteti im”etj.

Nga fundi i viteve ’80 Pjetri pati një përkeqësim të gjendjes shëndetësore, gjë e cila ia vështirësoi edhe procesin krijues. Kjo gjendje e shoqëroi deri në fund të jetës. Në qytetin e dashur të Shkodrës, së cilës i blatoi artin dhe dashurinë e vet, më 27 mars të vitit 1995, datë që ishte edhe ditëlindja e tij, Pjetër Gaci u nda nga jeta në moshën 64- vjeçare.

Në historinë e muzikës shqiptare ai fitoi përjetësinë, falë një arsenali krijues me vepra skenike; vepra vokale; vepra instrumentale dhe sidomos këngë (mbi 350), shumë prej të cilave u vlerësuan me çmime dhe u renditën në fondin e artë të muzikës sonë kombëtare. Ndërsa në kujtesën e njerëzve që e njohën nga afër, është stampuar profili i artistit të vërtetë dhe njeriut shpirtçiltër, bujar, human dhe shumë patriot. Si çdo artist ai kishte origjinalitetin dhe kredon e vet estetike. Shquhej për intuitën e pazakontë në zbulimin e së bukurës dhe për shpejtësinë e materializimit të saj në art. Gjithashtu edhe për shpirtin poetik dhe dashurinë për letërsinë në përgjithësi e veçanërisht për poezinë. Ai shprehej: “Kur hedh notën e parë e kam mbaruar krijimin. Në qoftë se më pëlqen teksti, metrikën e tij e respektoj dhe nuk mundem të shkruaj një këngë pa pasur tekstin mbi piano. Ndodh që më vjen mendimi muzikor dhe më mungon teksti. Atëherë detyrohem ta shkruaj vetë. Mua më thith trajtimi epiko- lirik. Këtu ngulmoj, sepse ndihem më i aftë. Natyra epiko lirike është më e vështirë të shprehet në këngë, sepse hapësira e saj është e madhe, ndërsa kënga e shkurtër. Por vështirësia më ka bërë ta kem këngën gjininë më të dashur.”Ishte i lidhur me të gjitha artet dhe këtë e dëshmon edhe rrethi i miqve që kishte. I dashuruar pas natyrës, bir i Liqenit të Shkodrës, nuk e braktisi asnjëherë pasionin e peshkimit. Në qetësinë e ujërave gurgulluese të Bunës ai peshkoi edhe bulëzat e frymëzimit, që u bënë perlat e krijimtarisë së tij.

Pjetër Gaci ka marrë shumë vlerësime dhe tituj:

Në vitin 1970 ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës I; në vitin 1979 ka marrë titullin “Artist i Merituar”; në vitin 1985 është dekoruar me urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” klasi II; në vitin 1989 iu akordua titulli “Artist i Popullit”; në vitin 2016 u dekorua me urdhrin e “Kalorësit të Skënderbeut”; qendra kulturore e qytetit të Shkodrës mban emrin “Pjetër Gaci”; shkolla e fshatit të lindjes mban emrin “Pjetër Gaci”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1]Pjetër Gaci “Intervistë”, gazeta “Drita”,16 dhjetor 1984.