Gjykata e Lartë rinis punën, ndërsa dhjetra mijëra dosje presin shqyrtimin

367
Me emërimin e tre gjyqtarëve të parë, Gjykata e Lartë njoftoi rifillimin e veprimtarisë gjyqësore për rekurset më të hershme në kohë dhe çështjet emergjente.

Sigal

Gjykata e Lartë njoftoi të premten rifillimin e veprimtarisë gjyqësore për shqyrtimin e një pjese të çështjeve që konsiderohen si “emergjente”, nga dhjetëra mijëra dosje që presin të gjykohen prej vitesh.

Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata e Lartë deklaroi se Këshilli i Përgjithshëm i Gjyqtarëve vendosi që të nisë menjëherë shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit dhe çështjeve të tjera që duhet të shqyrtohen në mënyrë të shpejtë.

Pas fillimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve të rinj; Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda është bërë i mundur funksionimi i pjesshëm i Gjykatës së Lartë –e bllokuar prej një viti për shkak të shkarkimeve masive nga vetingu.

“Përballë numrit të jashtëzakonshëm dhe kohës së gjatë të çështjeve në pritje për t’u shqyrtuar dhe në respektim edhe të kritereve ligjore për gjykimin e tyre, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve vlerësoi se do të vijohet menjëherë me shqyrtimin e rekurseve të çështjeve të themelit, nisur nga kriteri i kohës së paraqitjes së tyre për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, krahas çështjeve të tjera që për nga natyra e tyre dhe sipas ligjit duhet të shqyrtohen në mënyrë të shpejtë, sikurse janë mosmarrëveshjet për juridiksionin, kompetencën, kërkesat për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve,”thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar të enjten, u vendos gjithashtu formimi i Kolegjit Civil, Administrativ dhe Penal. Në Kolegjin Civil janë caktuar gjyqtarët Ardian Dvorani dhe Ervin Pupe; në Kolegjin Administrativ gjyqtari Sokol Sadushaj dhe në atë Penal, gjyqtari Ilir Panda.

“Për çështje të cilat mund të shqyrtohen nga kolegje me tre anëtarë, anëtarët e tjerë të trupit gjykues, veç atyre të përcaktuar, do të zgjidhen me short,” tha zëdhënësja e Gjykatës së Lartë, Ida Vodica.

Mbi 35 mijë rekurse janë në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë. Por mbartja e një numri kaq të madh çështjesh ka ardhur si pasojë e një rritje graduale, për shkak se në 10 vitet e fundit, Gjykata e Lartë nuk ka arritur të trajtojë dhe të zgjidhë gjatë secilit vit kalendarik çështjet që paraqiteshin.

Procesi i vetingut e rëndoi edhe më tej situatën me çështjet e mbartura nga viti në vit. Por pavarësisht nga bllokimi i plotë i punës, gati 3500 çështje gjyqësore janë përgatitur dhe bërë gati për shqyrtim.