Tiranë/ Gjykata Administrative e Apelit i hapi rrugë deklasifikimit dhe publikimit të raporteve të prodhuara nga Sigurimi i Shqipërisë

595
Sigal

Vendimi historik i Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë të mërkurën i hapi rrugë deklasifikimit dhe publikimit të raporteve me shkrim dhe të dhënave statistikore të prodhuara nga Sigurimi i Shqipërisë.

Pas pothuajse tre vjet përpjekje ligjore nga BIRN Albania, gjykata hodhi poshtë argumentet nga shërbimi sekret i vendit që informacione të tilla duhet të mbahen sekret gjatë gjithë kohës.

Vendimi, i cili nuk mund të apelohet, la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë nga viti 2016.

BIRN fillimisht bëri një kërkesë për deklasifikimin e dosjeve të epokës komuniste në mars të vitit 2016, duke kërkuar raporte vjetore nga Sigurimi për periudhën 1980 – 1989, si dhe informacione statistikore mbi numrin e shqiptarëve që ishin nën mbikëqyrjen aktive nga Sigurimi gjatë asaj periudhe.

Shërbimi aktual Informativ i Shtetit, SHISH, i cili ka kontrolluar një pjesë të madhe të arkivit të Sigurimit që nga rënia e komunizmit, fillimisht e refuzoi kërkesën, duke pretenduar se nuk kishte autoritetin për ta trajtuar atë.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit e urdhëroi SHISH-in të hapë dosjet dhe ta rivlerësojë statusin e tyre si sekrete, bazuar në një ligj të vitit 2014 mbi lirinë e informimit.

Megjithatë, SHISH më pas këmbënguli në shtator 2016 se informacioni i kërkuar nga BIRN duhet të mbetej sekret shtetëror.

BIRN e apeloi vendimin në një gjykatë administrative dhe fitoi në shkallën e parë në nëntor 2016.

Megjithatë, Gjykata Administrative e Apelit ka rreth 20,000 çështje të papërpunuara dhe vendimi i apelimit erdhi pothuajse tre vjet pas kërkesës së parë të BIRN për të drejtë informimi.

Gjatë seancës dëgjimore, SHISH theksoi se sipas mendimit të tij, dosjet dhe statistikat duhet të mbeten “sekrete në përjetësi”, dhe tha se ai ka “një të drejtë ekskluzive” për të vendosur nëse do t’i deklasifikojë apo jo ato.

Një sërë institucionesh të tjera shtetërore në Shqipëri gjithashtu mbajnë informacione të klasifikuara që u etiketuan si sekrete gjatë periudhës së komunizmit.

Shpresohet që vendimi i ditës së mërkurë të ofrojë një lloj udhëzimi për to mbi mënyrën se si të trajtojnë dhe publikojnë informacione.

Për shembull, një parlamentar shqiptar ka akses në dosjet e Sigurimit, por mund t’u japë informacione për to vetëm personave të gjykuar gjatë periudhës së komunizmit.

Theodoros Alexandritis, një avokat për të drejtat e njeriut, tha për BIRN se vendimi i gjykatës së apelit ishte “një hap i guximshëm” në drejtimin e duhur.

“Ngurrimi i shërbimit sekret për të zbuluar informacione dhe për t’i mbajtur ato të fshehta përgjithmonë tregon se në atë institucion vazhdon të ekzistojë një lloj kulture sekreti dhe se qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë bërë asgjë për ta kundërshtuar atë,” tha Alexandritis.

“Për sa i përket rëndësisë, vendimi është qartazi një hap i guximshëm nga ana e gjykatave shqiptare për të sjellë qasjen e tyre në këtë çështje delikate në përputhje me standardet ndërkombëtare të së drejtës dhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut,” shtoi ai.Reporter.al