Gjiknuri dhe kryebashkiaku Belba takim me të rinjtë: “Më 14 Maj përcaktoni të ardhmen tuaj, PS garanci për të ecur përpara”

93
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Nuri Belba zhvilluan një bashkëbisedim me të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Prrenjasit për të diskutuar mbi projektet e 4 viteve te ardhshme. Numri dy i socialistëve bëri thirrje për një angazhim më të madh të tyre në politikë, për të ndikuar dhe në marrjen e vendimeve në favor të të rinjve dhe të rejave.

“Në 14 Maj në zgjedhje përcaktoni dhe fatin e të ardhmes suaj. Disa prej jush mbase janë votues për herë të parë. Angazhohuni sa më shumë në politikë, ndryshojeni politikën, përfshirë edhe gjërat që s’ju pëlqejnë te partia jonë. Vetëm pjesëmarrja juaj, popullimi i kësaj partie me të rinj do të bëjë që ju të shkruani rregullat tuaja. Po të jeni shumë të rinj bashkë, ta populloni Partinë Socialiste, të jeni aktivë në politikë, natyrshëm që ju do të shkruani fatin tuaj. Ndaj dhe ju inkurajoj dhe më vjen mirë që janë shumë të rinj këtu”, – tha Gjiknuri.

Ai nënvizoi se 14 Maji është dhe një mundësi për të çuar përpara projektet e shumta për zhvillimin e zonës. Gjiknuri tha se diferenca mes punës që ka bërë PS dhe kundërshtarëve është mëse e dukshme. “Më 14 Maj keni mundësinë për të bërë dhe një dallim mes asaj që prisni për Prrenjasin tuaj të zhvilluar që duhet të ecë përpara, dhe politikave të vjetra të disa njerëzve që mbase shumë prej jush kanë qenë të vegjël dhe nuk i mbajnë mend. Ne kemi kundërshtarë që duhet t’i përkisnin historisë, si ato fosilet që paraqesin epoka të caktuara. Fatkeqësisht ata janë ricikluar. Siç është rasti i Sali Berishës që besoj pak nga ju mund ta njihni kur ka qenë në qeverisje. Ka qenë ish-president, ka qenë ish-kryeministër dhe praktikisht ka lënë gjurmë negative që nuk harrohen lehtë për këtë komb. Aq më tepër që tani me martesën e re me Like floririn janë bërë të dy dhe kanë sjellë këtu në Prrenjas një përfaqësues të tyre. Janë po ata njerëz që thjesht kanë zgjedhur një kukull që të vijë këtu për të bërë politikat e tyre”, – tha Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut theksoi rëndësinë e bashkëpunimit qeveri-bashki. “Juve ju duhet Prrenjasi i zhvilluar. Juve ju duhet Prrenjasi me Partinë që ka treguar se ka ditur të ndjekë politikat më të mira dhe për të rinjtë. Vetëm ky binom qeveri-bashki, kjo marrëdhënie, kjo sinergji mes dy niveleve do të bëjë të mundur që një pjesë e mirë e projekteve të mëdha të mbulohen nga qeveria. Patjetër pastaj Bashkia me fondet e tij do të bëjë më shumë fusha sporti, palestra dhe ambiente të tjera dhe për të rinjtë dhe për shtresat e tjera të popullsisë që jetojnë këtu”, – u shpreh numri dy i socialistëve.

Ai deklaroi se qeveria po punon që të rinjtë dhe të rejat ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. “Patjetër të rinjtë presin paga më dinjitoze. Pikërisht kjo politikë e re e nisur e rritjes së pagave, ne synojmë ta çojmë pagën mesatare 950 euro, kjo do të bëjë që ju ta ndërtoni të ardhmen tuaj këtu. Kudo të shkoni nëpër botë nuk do ta keni atë dinjitet siç e ke në vendin tënd. Rritja e pagave do të ndikojë direkt në mundësi më të mira për të rinjtë dhe të rejat tanë.

Jam i bindur që Prrenjasi ka të ardhme. Ju jeni pozicionuar në një korridor shumë të rëndësishëm të ekonomisë së Shqipërisë që është Korridori 8, ju e dini e keni dëgjuar që tashmë rruga do të zgjerohet. Jeni shumë afër kufirit. Niveli i tregtisë dhe biznesit mes vendeve rritet dhe natyrshëm edhe për ekonominë e Prrenjasit do të gjenerohen më shumë të ardhura”, – tha Gjiknuri.