Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët e Matit dhe Klosit, ku është shprehur fillimisht se më në fund është realizuar dëshira e kahershme për rritjen e pagave për mjekët në veçanti. Rama shton se rritja e pagave për mjekët me 20 mijë lekë për mjekët në tërësi dhe me 15 mijë lëke për infermierët, na barazon me Rajonin.
“Ashtu sikundër është e domosdoshme që të kihet parasysh që rritja e pagave nuk duhet të shoqërohet me rritje të borxhit se pastaj kthehet në një problem dhe ne nuk e kem pasur situatën aspak të favorshme. Kemi vite që ecim me erën kundër; tërmeti, pandemia, pastaj vjen dhe agresioni në Ukrainë me të gjitha efektet mbi çmimet, mbi çmimin e energjisë në radhë të parë dhe për të gjitha këto çfarë kemi bërë ne? Ne kemi ndaluar procese të tjera, kemi shtyrë në kohë procese të tjera dhe kemi spostuar para për të përballuar këto goditje dhe megjithatë jam shumë i kënaqur që e arritëm më në fund këtë kthesë të madhe edhe në këtë drejtim dhe kemi filluar me mjeket specialistë si një sinjal domethënës për të gjithë, jo vetëm për bluzat e bardha, por për të gjithë. Pastaj për të tjerët e kemi me dy hapa; mjekëve specialistë sigurisht nuk do t’u rritet paga vitin tjetër se kanë marrë këtë vit të gjithën, por të gjithë të tjerëve paga u rritet tani dhe në rrogën që do merrni tani, do keni rritjen e parë dhe pastaj prill me prill, se Ogerta tha plan dy-vjeçar, por në fakt është në harkun e një viti, prill më prill ju do të merrni edhe shtesën tjetër dhe faktikisht do t’ju rritet paga, flas për baziken, do t’ju rritet 20 mijë lekë të reja për mjekët që natyrisht varion sipas vjetërsisë, sipas orëve e të tjera. Unë kam parë që ka shumë qe marrin shumë më tepër. Do t’ju rritet 20 mijë lekë si rritje e përgjithshme dhe për infermierët 15 mijë lekë të reja. Faktikisht me këto rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit”,- tha Rama.
Po ashtu kryeministri tha se duan që t’i japin mjekëve mundësi të barabarta me Gjermaninë. Ai tha se në Gjermani rrogat janë të larta, por për shkak të jetesës së shtrenjtë nuk mbeten para për të mbyllu muajin.




















