Institucionet e shtetit lënë pa pensione shqiptarët

466
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Si presioni i politikës për punësime elektorale shkaktoi një  dëm prej 138 mln euro

Ja lista e institucioneve shtetërore borxhlinj që nuk paguajnë detyrimet shoqërore të punonjësve

Shuma e sigurimeve shoqërore që nuk janë paguar në kohë dhe tashmë janë klasifikuar në borxh tatimor arriti në 17 miliardë lekë (138 milionë euro) në vitin 2020 me një zgjerim 12.6 për qind në krahasim me vitin 2019, raportoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të azhornuara në grafikun e mëposhtëm, borxhi tatimor në formën e kontributeve është rritur me rreth 52 për qind në tre vite, duke arritur në 17 miliardë lekë më 2020 nga 11.2 miliardë lekë që ishte me 2017.

Para tre vitesh DPT “Monitor”, vuri në dispozicion një listë në përbërjen e së cilës 1171 institucione dhe ente publike që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore  për personelin e tyre. Por ecuria e stokut të borxhit tregon se, këto ente e kanë thelluar më tej detyrimet.

Pjesa më e madhe e detyrimeve i takojnë enteve publike, të cilat duke qenë në administrimin shtetëror i devijojnë fondet në drejtime të tjera, duke shmangur tërësisht kornizën ligjore edhe pse ka rregulla të ashpra në këtë drejtim.

Lista e borxhlinjve dominohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit, ish-komunat, klubet e futbollit, sh.a.-të shtetërore, qendrat shëndetësore, zyrat arsimore, repartet ushtarake, madje edhe institucione të larta të administratës publike, si Kuvendi i Shqipërisë, madje gjykatat dhe drejtori të ndryshme në Tatime dhe në Dogana.

“Rreziku i pensioneve, thellohet me 13% borxhi për sigurimet e papaguara më 2020, detyrimet arrijnë në 17 mld lekë(138 mln euro)”

“Në presionin e politikës për të punësuar sa më shumë persona, ndërmarrjet e ujësjellësit, sh.a. shtetërore, bashkitë etj., e përdorin fondin e sigurimeve, për të paguar punonjës të rinj.”

Këto ente, sidomos ndërmarrjet buxhetore që i administrojnë fondet publike nëpërmjet llogarive të veçanta dhe jo direkt nga thesari, janë të prira të krijojnë borxhe. Në presionin e politikës për të punësuar sa më shumë persona, ndërmarrjet e ujësjellësit, sh.a. shtetërore, bashkitë etj., e përdorin fondin e sigurimeve për të paguar punonjës të rinj. Gjithashtu, ato mund ta përdorin fondin për të financuar edhe programe të tjera, për të cilat nuk zgjerojnë fonde të mjaftueshme.

Detyrimet janë krijuar në pesë vitet e fundit, pasi në vitin 2015, qeveria Rama, e cila sapo erdhi në pushtet, i shleu të gjitha detyrimet e gjetura nëpërmjet një pakete të re borxhi mbi 500 milionë euro.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore, kanë krijuar efekte negative të shumëfishta. Më e rënda është se mijëra punonjës që punojnë në entet publike, rrezikojnë të humbasin pensionin e pleqërisë, ose të përfitojnë pagesë të pjesshme.

Në kushtet e mospagesës së sigurimeve, buxheti i shteti duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta, skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë. Të ardhurat nga kontributet shënuan rënie me 1.6% më 2020 dhe shpenzimet u rriten me 1.5 për qind, për rrjedhojë deficiti i skemës u thellua dhe subvencioni nga buxheti i shtetit u rrit. Financimi i buxheti i shtetit në skemën e sigurimeve arriti në 29 miliardë lekë me një rritje mbi 14% në raport me 2019.

Nga viti 2010-2020 përfituesit në skemën e pensioneve u rritën me 22%, por ndërkohë pagesat për një pensionist kanë nisur rënien.