“Gjenerali” i 21 Janarit emërohet kryetar i PS

1440
Këto ditë dhe sidomos dje, në redaksinë e Gazetës “Telegraf” kanë ardhur reagime të shumta nga rrethi i Matit, shumica nga qyteti i Burrelit, lidhur me hipokrizinë e drejtuesve të lartë të PS ndaj masës së socialistëve, për qëndrimin moral e ligjor ndaj ngjarjes së 21 janarit 2011. Telefonuesit nga rrethi i Matit, disa prej të cilëve drejtues e ish-drejtues të PS në qytet e në zona, kanë quajtur “denigrues” qëndrimin ndaj 21 janarit 2011, ku në emër të idealit të PS u vranë 4 protestues, të ngritur në protestë nën thirrjen e PS. Në reagimet e tyre, socialistët matjanë (por edhe nga Mirdita, Dibra e Bulqiza) kanë denoncuar një fakt skandaloz që është “vepër” e drejtuesve të lartë të PS në Tiranë, bërë pas ardhjes në pushtet në vitin 2013. Çfarë ka ndodhur e po ndodh në Mat? Përse ndihen të gënjyer, të zhgënjyer e të denigruar socialistët e këtij qyteti dhe rrethi? Çfarë i shqetëson dhe i irriton ata prej më se 2 vitesh të pushtetit të PS? Kush i drejton prej 1 viti socialistët e këtij rrethi? 
Ish-komandanti i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, prej 1 viti i emëruar kryetar i PS-Mat
Nuk është një sajesë, por fakt që ish-gardisti në hetim Agron R. Malaj, ish-komandanti i grupit të zjarrit që qëlloi mbi protestuesit e 21 janarit 2011, nga plumbat e të cilëve u vranë 4 protestues të PS, prej afro 1 viti vazhdon të jetë kryesocialist zonal, jo i zgjedhur nga anëtarësia, por i emëruar “me urdhër të formës së prerë” nga kupola e lartë drejtuese e PS në Tiranë, në detyrën partiake si Kryetar i PS të rrethit të Matit. Nuk paragjykojmë të drejtën e gjithsecilit për t’u punësuar kudo ku i hapen dyert, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një “episod” të turpshëm, që ka përdhosur moralin e socialistëve të thjeshtë e të drejtuesve lokalë të PS, prej drejtuesve të lartë të PSSH. Çfarë vazhdon të shqetësoj socialistët e rrethit të Matit? Që prej muajit mars 2015, në krye të tyre u shfaq si kryetar Agron Malaj, ish-komandanti i grupit të zjarrit të Gardës, grupit që qëlloi mbi protestuesit e 21 janarit 2011. Ndërsa gjendej nën hetim brenda dosjes së 21 janarit, premtuar prej kupolës së lartë të PS për zbardhje e çuarje përpara drejtësisë si “betim mes lotësh”, ish-oficeri i Gardës Agron Malaj, i shoqëruar prej “sillos” së kryetarit të PS, u prezantua si katapultua dhe u “ngul” si kryetar i PS të rrethit të Matit, duke zbritur nga drejtimi i një socialisti të përkushtuar e idealist! Socialistët e kundërshtuan këtë katapultim të kryetarit, duke e quajtur “denigrim të idealit socialist”, për faktin që në krye të tyre po gradohej një ish-oficer drejtues i grupit të zjarrit, grup që vrau 4 protestues më 21 janar 2011. Por “i deleguari” i kupolës së kryesisë së PS qendrore, shoqëruar edhe nga kandidatja për kryetare bashkie të qytetit dhe disa “të fortë të zonës”, deklaroi se “Agron Malaj është simboli, frymëzimi dhe modeli i drejtuesit të ri socialist”. Reagimeve të bazës socialiste të Matit, i deleguari i “kominternit” Balla, i është kundërpërgjigjur me këtë ultimatum e presion psikologjik: “Mos flisni fare, ky është emëruar kryetar i PS për ju, me urdhër… të kryetarit të madh të PS”! Ish-gardisti komandant i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, vazhdon të jetë fuqiplotë në krye të PS të rrethit të Matit, së fundi i angazhuar edhe në “gjuetinë e shtrigave” që po bënë brenda strukturave të PS dhe në OSHEE ku është emëruar drejtor rajonal po nga pushteti i PS, duke shkarkuar e larguar nga PS e nga puna socialistët e ndershëm, që prej 25 vitesh kanë kontribuar dhe kanë sakrifikuar për strukturat dhe idealin e PS edhe në protestën e 21 janarit 2011, ku ish-gardisti, tashmë kryetar i tyre, u kishte drejtuar tytat e kallashëve. 
Familjarët e 4 viktimave të 21 janarit, zhgënjim prej demagogjisë së pushtetit të PS
Reagimi i socialistëve të Matit, lidhur me qëndrimin e turpshëm të emërimit në krye të PS të këtij rrethi, të ish- drejtuesit të grupit të zjarrit, grupit që vrau 4 protestues më 21 janar 2011, shoqërohet në këtë 21 janar të gjashtë të lënë në heshtje e pa zbardhje edhe nga qëndrimi i mbajtur dje nga familjarët e 4 viktimave të 21 janarit 2011. Dje, ata e kanë kryer vetë homazhin në nderim të të afërmve të tyre, duke postuar fotografi në rrjetet sociale, madje duke “dënuar” ashpër zhgënjimin nga pushteti i PS për mos-bërjen drejtësi, për heshtjen dhe talljen e kupolës së kësaj partie me jetët e humbura në një protestë të organizuar nga kupola e PS. Fakti është ky: premtimi dhe betimi i kupolës së PS, për çuarjen përpara drejtësisë të të akuzurave të 21 janarit 2011, nuk u mbajt. E vetmja gjë që ka bërë kupola e PS edhe në këto 30 muaj pushtet, në lidhje me këtë ngjarje është rituali demagogjik i çdo 21 janari me lule e homazhe për 4 të vrarët, me premtime e përbetime të përsëritura përballë familjarëve, socialistëve e shqiptarëve për drejtësi. Nuk e dimë, nëse ky ritual demagogjik i kupolës socialiste me pallto e shalle të zinj, me lule plastike e “lotë krokodili”, do të përsëritet edhe sot në 21 janarin 2016 prej kupolës së PS. Por dimë faktin, që gjaku i 4 të vrarëve të 21 janarit është përdhosur nga vetë kupola e PS, me qëndrimet që ajo ka mbajtur gjatë pushtetit. Edhe sikur “me kujë” të qajnë sot në atë shesh, “lotët” e derdhur nga e krerët e kupolës së PS nuk i beson më askush as në PS e as jashtë saj, mbasi ata nuk e kanë zbardhur, por e kanë nxirë me shpërfillje e tallje 21 janarin. Siç shprehen familjarët e 4 viktimave, socialistët dhe shqiptarët e 1 milionë votave që iu dhanë kupolës së PS, janë të zhgënjyer nga shefat e kësaj partie, të cilët siç po tregon koha, nuk e kanë nderuar, por e kanë çnderuar gjakun e derdhur edhe duke emëruar në poste partiake e shtetërore të akuzuarit për vrasjen e 4 protestuesve. 
Ministri Tahiri e përjashtoi nga Garda si shef të grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, kupola e PS e emëroi në krye të PS të Matit dhe të OSHE të rajonit Laç-Dibër
Skandali dhe turpi i PS me (ç)nderimin dhe (pa)drejtësinë për ngjarjen e 21 janarit 2011, qëndron edhe në këtë fakt: pas ardhjes së PS në pushtet, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, të parin vendim që mori ishte shkarkimi nga detyra dhe përjashtimi përfundimisht nga shërbimi i Gardës dhe Policisë së Shtetit, i gardistëve të cilët ishin pjesë e operacionit të zjarrit mbi protestuesit e 21 janarit 2011, prej të cilit u vranë 4 protestues, mbështetës të PS. Një nga të përjashtuarit e muajit tetor 2013 prej urdhrit të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ishte edhe Agron Malaj, ish-shef i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011. Pas vendimit të ministrit Tahiri, “çuditërisht”, në shkurt 2014 Agron Malaj u emërua nga pushteti i PS, po me urdhër nga kupola e PS, në postin e lartë si Drejtor i OSHEE për rajonin e Dibrës, që përfshin 5 rrethet Kurbin, Mirditë, Mat, Bulqizë e Peshkopi. Se kush e vendosi edhe në krye të OSHEE, se për çfarë “motivesh” e vendosën dhe se kush po e mban në këtë detyrë edhe pas protestave të shumta të socialistëve dhe se, përse hesht kupola e PS përballë reprezaljeve që ky drejtues partie në Mat e drejtues OSHEE-je në Mat e Dibër po u bën socialistëve me largime nga puna, këtë e dinë më mirë “agallarët” e PS në qendër, të cilët e kanë vendosur në këto poste. Se çfarë ka bërë e po bën ish-gardisti i 11 janarit këto 2 vjet në krye të OSHEE Dibër dhe këtë 1 vit në krye të PS të Matit, këtë do ta zbardhim në vijim, ndërsa sot po publikojmë vetëm listën e të shkarkuarve dhe të përjashtuarve nga Garda dhe Policia e Shtetit, të ish-gardistëve që realizuan 21 janarin 2011 me 4 viktima dhe qindra të plagosur me armë zjarri që i shkrehën mbi protestuesit e PS. 
Lista e gardistëve të shkarkuar e përjashtuar nga ministri Saimir Tahiri
1. Agron Malaj, shef i grupit të zjarrit
2. Ilir Duraku shkarkohet, pjesë e grupit të zjarrit
3. Marjana Prendi, gruaja e Ndrea Prendit
4. Fatos Skeja, gardist pranë familjes “Berisha”
5. Mark Nikolli, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës
6. Gazmend Ahmetaj, efektiv i Njësisë Speciale të Gardës
7. Alfred Ahmetcenaj, Komandant i Njësisë Speciale të Gardës
8. Margarit Kume, efektiv i Gardës, shofer Ndrea Prendit
9. Dashamir Shehi, Komandant i Njësisë nr. 2 të Gardës së Republikës
10. Aleksandër Dede, Komandant njësie në Gardën e Republikës
11. Altin Kollçinaku, Komandant njësie në Gardën e Republikës
12. Fatos Bushati, Komandant njësie në Gardën e Republikës
————————— 
PS shkarkon si kryetar të PS Hasan Cenin, mjekun që i shpëtoi jetën Edi Ramës, emëron ish-gardistin e 21 janarit 2011
Ai që drejtonte PS e Burrelit është shkarkuar nga ky funksion partiak me urdhër të Edi Ramës, me motivin “Je i pa pëlqyer për mua”. Ish-kryetari i PS së Burrelit, i shkarkuar nga kryetari i PS të Shqipërisë, quhet Hasan Ceni. Më saktë, është mjeku që iu gjend pranë kryeministrit Edi Rama, në momentin kur gjatë një takimi në Burrel, ai ra në gjendje të fikëti. Ishte ndihma e parë e profesionale e kryesocialistit të Burrelit, mjekut Hasan Ceni, ajo që e mbajti në jetë krye-socialistin Edi Rama. Mirëpo, ndërsa mjeku Hasan Ceni e mbajti në jetë, kryesocialisti Rama nuk e mbajti më kryetar të PS të Burrelit. Sa u kthye në Tiranë, Edi Rama lëshoi urdhrin për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i PS lokale, shoqëruar me urdhrin që në krye të PS të krejt rrethit të Matit të emërohej ish-gardisti i 21 janarit, Agron Malaj.
—————– 
Flet Shefqet Metuku, ish-kryetari socialist i një zone në Mat
Ish- gardisti, drejtor i OSHEE dhe kryetar i PS, më largoi nga puna, pastaj me shkarkoi si kryetar i PS
Në një denoncim të bërë në gazetën “Telegraf”, zoti Shefqet Metuku, kryetari i PS të një organizate në rrethin e Matit, proteston duke denoncuar reprezaljet që drejtori i OSHEE dhe kryetari i PS të rrethit Mat, ish-gardisti i 21 janarit 2011 Agron Malaj, ka bërë e po bën kundër socialistëve të përkushtuar e idealistë të PS, me largime nga puna, me largime nga PS dhe me shkarkime nga funksionet si të zgjedhur të strukturave të PS. Ish-drejtuesi socialist Shefqet Metuku, deklaroi se është larguar nga puna si elektricist, me urdhër të ish-gardistit drejtor rajonal. Pas largimit nga puna, pasi Metuku e çoi çështjen në gjykatë “për vendim të padrejtë”, ish-gardisti, kryetar i PS të Matit e shkarkoi edhe nga funksioni si kryetar i PS i një organizate. 
Sigal