Ministria, “konfuze” për fondet e COVID-19. Jep shifra të ndryshme në dy komisione

627
Sigal

Komisioni parlamentar i Shëndetësisë dhe ai i Ligjeve kanë miratuar marrëveshjen e huasë prej 15 mln euro, që do të shkojë për reagimin ndaj emergjencës COVID-19. Por, teksa deputetët kanë kërkuar shpjegime mbi shpenzimin e kësaj shume, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë dhënë shifra të ndryshme, gjatë raportimit në 2 komisione. Ndër të tjera, në Komisionin e Ligjeve u deklarua se përjanë parashikuar 1 mln euro për materiale mbrojtëse dhe 2.5 mln euro të tjerë për rikonstruksionin e spitalit infektiv dhe Institutit të Shëndetit Publik.

“Gjashtë mln euro që shkojnë për pajisje, 1 mln euro që shkojnë për materiale mbrojtëse dhe janë rreth 2.5 mln për infrastrukturë të Spitalit Infektiv dhe Institutit të Shëndeti Publik dhe janë rreth 6 mln euro të tjera që shkojnë për sistemet laboratorike.” – u shpreh Geraldina Prodani, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Vetëm, 30 minuta më vonë në Komisionin e Shëndetësisë Prodani deklaroi shifra të ndryshme, duke përfshirë materialet mbrojtëse te shuma prej 6 mln euro e planifikuar për pajisjet mjekësore, për rikonstruksione shuma u ul në 1.5 mln euro, ndërkohë që zëri prej 1 mln euro që fillimisht u deklarua për mjetet mbrojtëse u deklarua se do të shkojë për sistemet IT dhe trajnime.

“Për sa i takon gjithë rrjetit të laboratorëve, sa i takon kiteve për ISHP-në është vlera fond prej 6 mln euro. Paisjet mjekësore duke future edhe pajisjet e mbrojtjes personale edhe ky është një fond prej 6 mln eurosh. Për sa i takon punimeve civile që i takon rikonstruksioni i godinës së Infektivit dhe ISHP-së ajo kap vlerën e 1.5 mln eurove. Kurse komunikimi dhe komplet sistemi i IT-së dhe mënyra e trajnimit kap vlerën e 1 mln euro.”

Ndërkaq, kreu i komisonit të Shëndetësisë Enver Roshi adresoi një sërë kritikash, duke kërkuar më tepër mbështetje për Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa kërkoi që rikonstruksioni i spitalit infektiv dhe ISHP-së të bëhen në një moment të dytë.

“Është shumë vonë të bëhet dhe ndoshta humbasim një vlerë të madhe me rikonstruksion. A mundet 1.5 mln euro për godinat të përkthehen në mjete të tjera ndihmëse, teknologji e gjerë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve dhe familjeve. Ta shtyjmë rikonstruksionin e godinave për më vonë, pas pandemisë, por në një moment tjetër të qetë kur mund të marrim frymë lirisht.” – u shpreh deputeti.

Huaja prej Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim ka një afat maturimi prej 12 vitesh, ndërkohë që në 3.5 vitet e para nuk do të paguhet principali, por vetëm interesat.