Gëzuar 8 Marsin burra të dhunshëm! Dhuna që shpërndani, herët a vonë do t’ju prekë, ndaj bëhuni të mirë!

884
Sigal

Nga: Alba Malltezi

Këtë vit për mua bëhen 26 pranvera në profesionin e bukur, por delikat të gazetarisë. Janë plot 26 “8 Marse” të kaluara duke kërkuar histori grash të rralla, të bukura, të forta, të brishta, të guximshme, të thjeshta, mirënjohëse, të talentuara, të zgjuara, të dashura, të mira dhe për fat, mes grave shqiptare ka shembuj të jashtëzakonshëm të tillë. Ka shembuj vajzash, nënash që lindin, rriten, jetojnë në një terren social shumë të vështirë, por jo për këtë arsye, më pak të bukura dhe të rralla se të tjera vajza, gra, nëna në mbarë botën. Në shkëmbinjtë më të lartë e të thepisur çelin lulet e bukura alpine, ashtu si nga liqenët plot baltë e ujë të ndjenjur çelin të mrekullueshmet nimfa.

E megjithatë, ka një veçanti të rritesh vajzë, nënë, grua e mirë në Shqipëri në dallim nga shumë vende të tjera të qytetëruara ku ëndërrojmë të bëjmë pjesë. Shpesh në vendin tonë, sidomos të jesh vetvetja dhe të thuash të vërteta që prekin ego dhe interesa mashkullore, kushton ende shumë shtrenjtë. U kushtoi shtrenjtë Musine Kokalarit dhe Sabiha Kasimatit, të cilat shprehën mendimin e tyre, respektuan vetveten dhe lirinë përballë diktatorit Enver Hoxha, siç e paguan me jetën e tyre të re në Shqipërinë “demokratike” Erjeta Sokoli dhe vajza vetëm 16 vjeçare Alda Canaj bashkë me nënën e saj Mbarimen, të vrara nga njerëz të shtetit, të mbrojtur nga Shteti dhe një pjesë thellësisht e korruptuar e shoqërisë. Remzije Sokoli, nëna e Erjetës nuk mori kurrë drejtësi për vajzën e saj të vrarë nga bashkëshorti polic, Ornela Canaj, motra e Aldës duhet të shkonte deri në Shtetet e Bashkuara të gjente Marjan Rrokun, ish-punonjës i SHISH, përndjekësin dhe vrasësin e motrës dhe nënës së saj. Pas arrestimit dhe ekstradimit në Shqipëri, u rrezikua që njerëz të paskrupujt të linin të lirë vrasësin, por për fat, motra me zemrën e vrarë vuri sërish në alarm median dhe operacioni i turpit për nxjerrjen nga burgu të vrasësit të dy grave, u bllokua.

Ka vajza, gra, nëna me histori shumë të dhimbshme në Shqipëri. Shumë prej tyre nuk marrin kurrë drejtësi, ose më keq, drejtësia e korruptuar i ka vrarë dhe i ka rivrarë përsëri duke dalë shpesh në krah të dhunuesve, burra që korruptojnë ose mbrohen me pushtet politik.

Në Durrës, pak ditë më parë, bashkëshorti vrau gruan pas 30 viteve të kaluara bashkë. Vajza e vogël e familjes tha se kishte denoncuar dhe kishte kërkuar ndihmë shumë herë në polici, në të njohur e fqinj. Heshtje, asnjë ndihmë deri në vdekjen e nënës. Policia u kujdes të shpërndante në media deklaratat e para të burrit “të penduar”: “E vrava se më nxiu jetën 30 vjet!”. Ishte si një justifikim, sikur kërkonte solidaritet për veprimin e tmerrshëm ndaj gruas e nënës së fëmijëve të tij.

Dhuna në Shqipëri gjen shpesh mirëkuptim në familje, në institucione shtetërore dhe në shoqëri. Pak distancohen të vendosur ndaj çdo veprimi të dhunshëm verbal dhe fizik. Persona publikë, politikanë, njerëz të shtetit shpesh kanë një gjuhë ofenduese, denigruese për çdo grua që shkon kundër interesave të korruptuara të tyre, e ndërsa shqiptojnë e shkruajnë fjalë nga më të shëmtuarat, të tjerë bëhen jo vetëm lajmës të tyre, shumë jaë indiferentë, por nuk mungojnë edhe ata që shprehin dukshëm kënaqësi. Kënaqen me dhunën verbale dhe fizike që iu bëhet të tjera grave, që nuk janë nënat, vajzat, motrat e tyre.

Por, si çdo gjë në këtë botë, edhe fjalët e rënda dhe veprimet e dhunshme kthehen dhe bien një ditë në kurriz. Për çdo burrë vulgar dhe të dhunshëm me një grua, ka të tjerë që janë gjithashtu kaq të dhunshëm dhe vulgarë me nënat, vajzat dhe motrat e tyre. Atëherë çfarë do të bëjmë? Do të lejojmë akoma që kjo klimë e rëndë dhune të prekë familjet tona? Apo ka ardhur koha që Shteti si arbitër dhe Drejtësia si ekuilibër, të çojnë gjërat në vendin që u takon. Edhe në Shqipëri

Gëzuar 8 Marsin burra të dhunshëm! Dhuna e vulgariteti që shpërndani, herët a vonë do t’ju prekë, ndaj, për ta shmangur këtë keni vetëm një shanc: Bëhuni të mirë!