Gati për privatizim 505 mijë m2 nga trojet e ushtrisë

1018
Sigal

Ish-ushtarakët kërkojnë të jenë blerës. 14 objektet shtrihen nga Kepi Rodonit deri tek Shkëmbi Kavajës

Dhjetëra objekte dhe troje në Durrës, të cilat deri më tani kanë qenë në inventarin e shërbimit të mbrojtjes së vendit, prej afro një viti kanë hyrë në fazën e privatizimit. Godina të reparteve, batalioneve ushtarake dhe të komandave të vendit, që do të fshihen nga inventari i Ministrisë së Mbrojtjes, gjenden të shtrira nga Kepi Rodonit në veri të Durrësit deri tek Shkëmbi i Kavajës. Janë 14 objekte së bashku me godinat e prapavijës, kapanone, ofiçina, mensa, depo, fjetina, vendqëndrime të rojeve, kulla, depo të ndryshme, të cilat kanë marrë rrugën e privatizimit. Pronat e paluajtshme deri tani kanë qenë pronë e shtetit, ndërsa ka nisur qysh vitin e kaluar procesi privatizimit. Por duket se të interesuar dhe jo pa të drejtë, janë në këtë proces edhe ish-ushtarakët. Ata shprehen se, “punuam një jetë në ato reparte, i dhamë jetën tone ushtrisë, dhe tani pronarë të atyre objekteve të bëhen njerëz me para të dyshimta, pasanikë të cilëve nuk u dihet origjina e parave”. Ministria e Mbrojtjes ka gati dhjetë vjet që ka hequr dorë nga këto objekte në kuadër të reformimit të strukturave të armatosura në vend. Përgjithësisht repartet dhe objektet ushtarake janë ndërtuar në toka pa pronarë, në rrëzë të kodrave, majë maleve, buzë përrenjve apo në zona të pabanuara për disa kilometra. Për shkak të pozicionit gjeografik të Durrësit dhe gjeopolitikës në rajon objektet e ushtrisë në këtë pjesë të bregdetit janë mirëmbajtur. Gjendja fizike e godinave thuhet se është e mirë dhe se të gjitha këto prona të paluajtshme rezultojnë të jenë të lira. Rrashbulli ka më shumë prona të kësaj kategorie sesa çdo fshat, bashki e komunë tjetër, pasi atje në periudhën e para viteve ‘90 është përqendruar një arsenal ushtarak dhe forca e efektiva të shumta ushtarake. Janë gjithsej 6 prona me një sipërfaqe prej 112 mijë m2, të cilat janë në Rrushkull dhe presin fazën e dytë. Në listën e bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes në Durrës janë regjistruar për privatizim qendra e ndërlidhjes në Shijak; qendra e ndërlidhjes në Spitallë të Durrësit me 5230 m2; ish-batalioni art-mitraljer në Katundin e Ri dhe ish-komanda e batalionit në këtë komunë me 8500 m2 së bashku; batalioni ndërlidhjes në Romanat 7818 m2; reparti brigadës së xhenios tek Shkëmbi i Kavajës 3220 m2; reparti në Rrashbull 361 mijë m2; dy prona bateri AKA në Rrashbull me 26 mijë m2 së bashku; batalioni në Kepin e Rodonit në Ishëm me 21.470 m2; batalioni këmbësor në Shën Pjetër të Ishmit me sipërfaqe 4659 m2; brigada e artilerisë në Ishëm me 253 m2 dhe ndërlidhja në Sukth me 2765 m2. Së bashku këto prona kapin shifrën e afro 505 mijë m2 pronë e paluajtshme që do të kalojë në proces privatizimi. Nisur nga disa të dhëna zyrtare, objektet në Spitallë, Romanat, Rrashbull, pjesërisht në Sukth, janë përshtatur në mënyra të ndryshme për strehim  dhe atje  banojnë familje. Nuk dihet se cili do të jetë fati i qytetarëve, të cilët për shkaqe të ndryshme janë strehuar në këto prona deri më tani në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes, por thuhet se në fazën e dytë do të futet në “lojë” edhe pushteti vendor. Pavarësisht se pronat janë mirëmbajtur, ka në mesin e tyre që nuk pritet të jenë të lakmueshme, pasi janë dëmtuar në kohën që janë braktisur duke mbetur mall pa zot. Reformimi i ushtrisë ka lënë mënjanë edhe disa prona të cilësuara strategjike, ndërtimi i të cilave ka kushtuar ndjeshëm.