Avokat Altin Goxhaj: Ankesë drejtuar Avokatit të Popullit për praktikat e vendosjes së gjobave

637
Sigal

ZMK, Hetoni mbi praktikat dhe procedurat e ndjekura nga ana e Policisë së Shtetit

*Drejtor i ZMK

 Avokati Altin Goxhaj, drejtori i ZMK-së, ka publikuar ankesën drejtuar Avokatit të Popullit për praktikat e vendosjes së gjobave nga ana e Policisë së Shtetit përgjatë muajit dhjetor 2013. Motivi i kërkesës vjen si rrjedhojë e shqetësimeve të shumta të qytetarëve si dhe nga shqetësimet e përcjella nga mediat, ku Policia e Shtetit ka vendosur përgjatë muajit Dhjetor të 2013 58.848 masa administrative, nga 20.051 që kanë qenë në dhjetor 2012. Më poshtë do të vijojë kërkesa e plotë e z.Goxhaj.

Zyrtarisht thuhet se vetëm për muajin Dhjetor 2013 Shërbimi i Qarkullimit Rrugor Tiranë, kanë vendosur në total 20 934 masa administrative.

“-88 masa me 82 persona të arrestuar në kushtet e flagrancës, për konsumim të alkoolit

-35 masa për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara

-40 masa për mos zbatim të semaforit

-5834 masa administrative për mos vendosje të rripit të sigurimit

-353 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse

-1637 Masa administrative për parakalim të gabuar dhe ecje me shpejtësi

-9916 Masa administrative për qëndrim të gabuar

-100 Masa administrative për përdorim të celularëve gjatë drejtimit të mjetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit pak ditë më parë.

Shqetësimet e qytetarëve kanë ardhur në lidhje me:

1. Mos njoftimin sipas ligjit për ekzistencën e gjobave

2. Vendosjen e tyre pa praninë e drejtuesve të mjeteve dhe pa i njoftuar ata më pas si dhe për motivet dhe masat e marra.

3. Gjoba të vendosura në lidhje me një argument të çuditshëm që lidhet me syzet optike pa i kontaktuar drejtuesit e mjeteve në asnjë rast.

4. Gjoba të paguara, por që nuk rezultojnë në databazën online të Policisë së Shtetit.

5. Gjoba për parkime të gabuara në një kohë që drejtues të mjeteve theksojnë se nuk kanë asnjë dijeni as për vendin dhe as për të dhëna të tjera.

6. Gjoba për mungesë të përdorimit të rripit të sigurimit apo përdorim të celularëve pa i ndaluar ata në flagrancë dhe në mungesë të plotë të dijenisë.

Shqetësimet lidhen me faktin se në mungesë të flagrancës apo kontaktit me punonjësit e policisë, dhe në mungesë të plotë të dijenisë konform legjislacionit procedural shqiptar, shumë qytetarë besojnë se këto gjoba janë krejtësisht abuzive dhe u janë vënë arbitrarisht.

Duke qenë se ky shqetësim është masiv ne besojmë se është detyra Juaj që të hetoni mbi praktikat dhe procedurat e ndjekura nga ana e Policisë së Shtetit për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave, shkelje të rregullave apo procedurave apo abuzim të pastër me qëllim vjeljen e gjobave pa shkaqe ligjore.

Ndaj ne kërkojmë nga ana e institucionit Tuaj që:

1. Të informohet mbi procedurat e ndjekura nga ana e Policisë së Shtetit mbi vënien e këtyre gjobave po të kemi parasysh sasinë e tyre jashtëzakonisht të madhe në raport me një vit më parë duke marrë në konsideratë me shqetësimet e ngritura më lart.

2. Nëse konstaton shkelje të marrë masat e parashikuara nga ligji.