Fundoset prodhimi vendas, turistët në Shqipëri po ushqehen me importe

91
Sigal

Zhvillimet pozitive në turizëm nuk janë duke nxitur prodhimin bujqësor, pasi nevojat shtesë për të ushqyer vizitorët po mbulohen nga importi.

Në kulmin e prodhimit bujqësor në muajin qershor, importet e prodhimeve ushqimore u rritën më 18.4%, teksa në të gjithë 6-mujorin e parë 2024 importet e produkteve ushqimore në sasi u rritën me 20%.

Në qershor, nga 23 grupet e importit të ushqimeve, kanë shënuar rritje të fortë grupet me objektiv turizmin. P.sh. sasitë e peshkut të importuar në qershor 2024 ishin 24% më të larta se në qershorin e vitit 2023. Gjithashtu, produktet e bulmetit shënuan rritje të lartë me 19%.

Drithërat kanë shënuar rritje të lartë me 53%. Kuzhina shqiptare ka pjesë të rëndësime gatimet e brumit, të cilat janë të preferuara nga turistët e huaj, sidomos byrekët.

Produktet e ëmbëlsirave gjithashtu kanë shënuar rritje me 138% në qershor, si një nga përbërësit kryesorë të pjatave në restorante.

Përgjithësisht ushqimet e përpunuara kanë shënuar rritje me ritme dyshifrore.

Në të gjithë 6-mujorin e parë të këtij viti, produktet e ushqimeve në sasi kanë shënuar rritje me 20%.

Shqipëria është një prodhues i madh në rajon i zarzavateve nga serat, por importet në këtë grup shënuan rritje vjetore me 43 % në 6-mujor, ndërsa importet e frutave u rriten me 31%.

Turistët kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e konsumit në vend dhe në tregtinë me pakicë. Por përfitimet e ekonomisë shqiptare do të ishin të larta nëse kjo kërkesë do të ishte e plotësuar me prodhim vendas.

Nga ana tjetër eksportet e prodhimeve bujqësore në sasi kanë ardhur në rritje, por prodhimi bujqësor në tërësi është në rënie.

Tani prodhimi i perimeve është përqendruar në serra me destinacion eksportin, teksa kanë falimentuar ngastrat e vogla që furnizonin më parë tregjet e qyteteve. Plakja e popullsisë në fshat po ul me shpejtësi numrin e bagëtive dhe po lë bahçet djerrë.

Fshatarët, që më parë prodhonin bulmet dhe perime për vetëkonsum, tani janë kthyer në konsumatorë të tregut, duke nxitur rritjen e importeve në produktet të freskëta, perime, bulmet, mish etj./