Fundjava sjell shi në plazh, reshje të dendura dhe ulje temperaturash në të gjithë vendin

53
Sigal

Moti këtë fundjavë sjell surpriza jo shumë të këndshme për pushuesit në plazh. Këtë të shtunë, thuajse i gjithë territori do përfshihet nga reshjet e shiut që duket se do të jenë në sasi të konsiderueshme.

“Dita e shtunë pritet të jetë në ndikimin e vranësirave të dendura që do gjenerojnë reshje shiu si fillim në orët e para të mëngjesit në zonat veriperëndimore, gjatë paradites thuajse gjithë territori shqiptar do jetë në dominimin e reshjeve të shiut, mesdita do sjellë dhe rrebeshe shiu në ultësirën perëndimore” – thotë meteorologu Hakil Osmani. Kjo stuhi tropikale tipike për muajin gusht do të sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

“Temperaturat e ajrit priten që gjatë ditës së sotme të kenë një rënie të ndjeshme të tyre kryesisht gjatë orëve të mesditës pasi do të ketë një rënie me të paktën 5 apo 6 gradë Celsius, duke bërë që maksimumet të zbresin rreth vlerave 31 apo 32 gradë Celsius në ndonjë zonë të izoluar për qytetet e Ultësirës Perëndimore.”, shtoi Osmani. Moti pritet të përmirësohet gjatë ditës së diel.

“Dita e diel do jetë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta, herë pas herë momente të pakta me pika shiu, në Ultësirën Perëndimore do të jenë prezente në orët e para të mëngjesit, më pas mesdita dhe deri në mbrëmje do të kemi kryesisht mot të qëndrueshëm.”, tha ai. Nga e hëna e javës së ardhshme në vend do dominojnë ditët me diell, të favorshme për plazh. Dita-ditës parashikohet që temperaturat të rriten, për të shkuar deri në 36 gradë Celsius.