Frank Shkreli : Xhim Xhema dhe senatori Bob Dole për Kosovën me rastin e 15-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Republikës së Kosovës

194
Sigal

 

Me të drejtë, se shkurt me i ra muhabetit: “Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot”. Dhe pa Xhim Xhemën nuk do ta kishim patur as ndihmën e Senatorit Dole e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës të Kosovës dhe të 25-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të pasqyrimit të vullnetit të lirë të popullit shqiptar për liri, demokraci e pavarësi kemi ardhur të jemi me ju një delegacion shqiptaro-amerikan, në krye me vëllain tonë, aktivistin, mbështetësin dhe promovuesin e madh të drejtave të njeriut për shqiptarët dhe të çështjes shqiptare, në përgjithësi. Kemi ardhur në Kosovë nga Amerika e largët , gjeografikisht, ndoshta, por jo e largët nga zemra jonë. Larg, por afër për të gjithë ne dhe sidomos për Xhim Xhemën, mikun tim dhe të shumë shqiptarëve kudo, me të cilët ai ka punuar e bashkëpunuar për një gjysëm shekulli, për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Unë e kam njohur Xhim Xhemën për disa dekada dhe jam i vetëdijshëm se atij nuk i pëlqen të flasim për të, për arritjet e tij dhe për rolin që ai ka luajtur dhe vazhdon të luajë në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën – përpara dhe pas pavarësisë – por edhe për rolin në lidhjet midis dy popujve tanë, në përgjithësi. Është e pamundur të flasim për Pavarësinë e Kosovës në këtë 15-vjetor dhe të mos flitet për rolin e Xhim Xhemës dhe mikut të tij të vjetër, Senatorit Bob Dole, në këtë histori. Shpresoj që të më kuptojë miku im i nderuar, Xhimi.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë…”.  Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurt, 2008 në Prishtinë. Për realizimin e këtij ideali ka punuar gjithë jetën Xhim Xhema: për një Kosovë të pavarur e sovrane, të lirë, me udhëheqës të zgjedhur nga populli, në mënyrë demokratike, siç theksohet në deklaratën e Pavarësisë të Kosovës.

Në fillim të këtij muaji, Xhim Xhema organizoi në Washington një ceremoni përkujtimore për mikun e tij të madh, Senatorin Bob Dole, në 1-vjetorin e varrimit të tij. Për Xhim Xhemën Senatori Dole, miku i tij i ngushtë në Washington prej disa dekadash, ishte: “Një hero dhe një burrë-shtetas i madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektua. Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, për më shumë se 30-vjet. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet, që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë. Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të na frymëzojë. Brezat e ardhshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirënjohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit dhe në vigjilje të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Për Bob Dole, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë e të gjithkugjendur në krah të lirive dhe të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, por sidomos, kur vinte puna tek mbrojtja e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare Bob Dole ishte i drejt për drejtë dhe i pakompromis. Kështuqë, duke e njohur si të tillë, Xhim Xhema kishte bindur mikun e tij Senatorin republikan, Z. Bob Dole që të shkonte në Kosovë dhe të vlerësonte situatën tragjike atje dhe të shikonte për veten e tij krimet serbe kundër shqiptarëve. Senatori Dole vizitoi Prishtinën në shtator të vitit 1990 me 5 senatorë të tjerë amerikanë.

Shumë i shqetësuar për gjendjen që kishte parë në Kosovë, me të kthyer në Washington nga vizita e delegacionit të lartë amerikan, Senatori Bob Dole alarmoi Washingtonin zyrtar dhe bindi botën mbarë se diçka e tmershme dhe kriminale po ndodhte kundër shqiptarëve në Kosovë. “Tmeri i Kosovës” e kishte cilësuar ai gjëndjen këtu në atë kohë. Aty për aty, Senatori Dole, ka kërkuar veprimtari të menjëhershme dhe lëvizje serioze diplomatike nga ana e Washingtonit zyrtar, nga aleatët perëndimorë të Amerikës dhe nga mbarë bota, për të ndaluar tragjedinë dhe masakrat në rritje e sipër.

“Tani është koha për të vepruar. Tani është koha për të marrë një qëndrim të fortë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Jugosllavi. Tani është koha për të marrë një qëndrim vendimtar – jo kundër ndonjërit prej kombeve që përbejnë Jugosllavinë, por kundër një tiranie komuniste”,- është shprehur Senatori Bob Dole me të kthyer në Washington nga vizita në Prishtinë, shtatorin e vitit 1990. 

Sipas shumë analistëve, atëherë dhe sot, me vizitën e tij në Kosovë, të kërkuar me këmbngulje nga miku i tij Xhim Xhema, Senatori Dole zgjoi ndërgjegjen amerikane dhe botërore ndaj tmerrit që po ndodhte në Kosovë. Ndërkohë që ai, paralajmëroi edhe fundin e Jugosllavisë si një shtet federativ. Ishte mesazhi i Senatorit Dole, me atë rast, që bindi Washingtonin zyrtar të shikonte, me një sy dhe qendrim tjetër abuzimet kundër shqiptarëve dhe të fliste hapur dhe me vendosmëri për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë.

Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtuar diktatorit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. Historia do shënojë rolin, në këtë histori, të ushtruar nga Xhim Xhema dhe Senatori Dole.

Është e paimagjinueshme influenca e Senatorit Dole që më vonë atë dekadë, i siguroi Presidentit Bill Clinton mbështetjen dypartiake për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, ushtarakisht, për çlirimin e Kosovës në 1999, që në Kosovë të mos “përsëritej ajo që ndodhi në Bosnje”. Senatori  ka luajtur një rol kritik edhe në Rambuje, ka rrëfyer Sekretarja e Shtetit Madeline Albright. Kur serbët refuzuan marrëveshjen në Rambouillet, Dole me Xhim Xhemën siguruan në Senatin Amerikan, mbështetjen e Senatorëve John Mçain, John Warner, Joseph Lieberman, Christopher Dodd e të tjerë për të siguruar mbështetjen nga të dy partitë politike amerikane për ndërhyrjen e NATO-s. Kjo mbështetje nga Kongresi e bindi Presidentin Clinton që të jepte urdhërin për çlirimin e Kosovës. Xhim Xhema dhe Senatori Dole kanë vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe pas Çlirimit, duke kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës. Jam i bindur se Senatori Dole po të ishte gjallë do të kundërshtonte edhe krijimin e të ashtuquajturave “zajednica serbe”.

Për të pakën 4 dekada, Xhim Xhema, përveç me Senatorin Dole, ka bashkëpunuar me një numër të madh zyrtarësh amerikanë e ndërkombëtarë, të niveleve të ndryshme, sidomos në Washington dhe në Nju Jork, për të mbajtur të gjallë dhe aktual interesimin e zyrtarëve më të lartë amerikanë për çështjen e Kosovës. Vinte aq shpesh në Washington gjatë 1980-ave dhe 1990-ave sa që me shaka e pyesja nëse e kishin dëbuar nga Nju Jorku dhe po kërkonte strehim në Washington. Por e dinim se lidhjet dhe miqësia, veçanërisht, me Senatorin Dole kanë qenë të veçanta dhe të pakrahasueshme me asnjë politikan tjetër amerikan, gjatë atyre viteve.

Xhim Xhema dhe Senatori Robert Dole, por edhe të tjerë udhëheqës amerikanë me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë Z. Xhema, por edhe komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi, vepronin nga një këndvështrim i përbashkët që përmbante idenë kryesore të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë, bazuar në lirinë konstitucionale amerikane dhe të drejtat e natyrshme që duhet të kenë njerëzit kudo dhe pa dallim.

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.

 Ky ishte edhe mesazhi i Xhim Xhemës dhe Senatorit Bob Dole që resononte në zyrat dhe nëpër korridoret e Kongresit dhe dikastereve të tjera të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm.

 Miq të nderuar, është e pamundur të flitet për frytet e bashkëpunimit të Xhim Xhemës, jo vetëm me Senatorin Dole, por dhe me Washingtonin zyrtar në përgjithësi, pa përmendur mikun e tyre të përbashkët dhe mikun e gjithë neve, Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën.

  1. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkëpunuar ngushtë me njëri tjetrin për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës gjatë viteve 90-a dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës. “Presidenti Rugova”,- ka thënë Xhim Xhema, për Zërin e Amerikës disa vite me parë, “ishte një udhëheqës largpamës, një njeri, që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por edhe i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi”, -ka shtuar ai,- “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”. Presidenti Rugova na mungon shumë edhe sot të gjithëve ne që e kemi njohur në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë të Republikës së Kosovës.

Zonja e Zotëri, Kosova është sot 15-vjet shtet i Pavarur dhe për jetë, falë sakrificave të mëdha të këtij populli këtu: një histori kjo më shumë e shkruar me gjak se me penë, por nuk guxojmë të anashkalojmë edhe rolin si përfundim i punës së madhe dhe bashkëpunimit të Xhim Xhemës me mikun e tij të ngushtë, Senatorin Bob Dole dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë amerikanë dhe të diasporës shqiptaro-amerikane gjatë dekadave.

Takim me familjen e Presidentit Rugova

Siç duket, Beogradi dhe Moska mund të endërrojnë gjithnjë se Kosova dhe Mali i Zi, sipas tyre, janë një “projekt i përkohshëm” në këtë rajon, por realiteti është, “një dhe i vetëm”, siç është shprehur gjatë vizitës së fundit në Podgoricë, Presidentja e Republikës të Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se:

“Kosova dhe (Mali i Zi) janë, shtete sovrane, të pavarura, demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara për paqe të qëndrueshme, me të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian, e të tilla kanë për të qenë përherë”,- ka thënë e para e shtetit të Kosovës.

Prandaj, në këtë 15-vjetor të Pavarësisë të Republikës së Kosovës, megjithë arritjet e shumta të këtij vendi brenda një kohe të shkurtë, na mbetet të urojmë, të shpresojmë, por edhe të lutemi për suksese të reja, për një, “Kosovë në NATO e në BE dhe në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo ishte edhe dëshira e të ndjerit Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës. Njëkohësisht, kjo mbetet edhe një prej idealeve madhore i të gjithë neve dhe i mbarë Kombit shqiptar. Për ta parë shtetin e Kosovës si anëtare të denjë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta, në të gjitha organizatat euro-atlantike. Kjo ishte e mbetet edhe ideali i Xhim Xhemës për Kosovën, sepse ai dhe të gjithë ne e dimë se, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, ka pas thënë dikur Ibrahim Rugova.

Në përmbyllje të nderuar Zonja e Zotëri megjithë sfidat serioze me të cilat përballet sot Kosova dhe Kombi shqiptar kemi shumë arsye që sot të festojmë dhe të falënderojmë Perëndinë, sëpari, për sukseset e deritanishme, por edhe të kujtojmë të gjithë ata heronj që bënë sakrificën sublime duke dhënë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Por, njëkohësisht, t’u jemi gjithashtu mirënjohës edhe patriotëve aktivistë si miku ynë, shqiptaro-amerikani i shquar, Xhim Xhema bir i këtij trualli. Ai nuk harroi kurrë se ku i ka rrënjët dhe origjinën, por që diti të bëjë miq për Kosovën, për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, ndoshta në periudhën më të vështirë të ekzistencës historike të trojeve Dardane.

Kjo pritje madhështore që po i bën këto ditë Republika e Kosovës, birit të saj Xhim Xhemës, është një testament se ky popull nuk e harroi kurrë birin e vet, as mundin as djersën, as përpjekjet e mëdha të tija për Atdheun e vet nga Amerika e largët. Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që rrugën kryesore “A” të kryeqytetit ta emërtojë me emrin e Heroit të gjallë të shqiptarisë, Z. Xhim Xhema, të këtij “Heroi Kombëtar të kohërave moderne” siç e cilësoi Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama në njoftimin e tij për të emërtuar rrugën “A” në nderim të Xhim Xhemës, duke përjetësuar përgjithmonë emrin e tij në historinë e këtyre anëve dhe trojeve dardane: “Xhim Xhema një patrioti i yni që me punën e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne. Ai dha kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Emri i tij është Xhemajl Xhema, por për shkak se jetoi në Amerikë u njoft si Xhim Xhema.

Rruga “A” është një projekt i madh dhe në mendimin tonë, ky është një mesazh për t’ua përcjell brezave të reja se njeriut tonë ia sigurojmë përjetësinë në historinë tonë”. Ky propozim i Kryetarit të Prishtinës është miratuar me 45 vota në favor dhe asnjë kundër nga Kuvendi Komunal i kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ, i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë”,- ka thenë i pari i Prishtinës, Z. Përparim Rama.Me të drejtë, se shkurt me i ra muhabetit: “Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot”. Dhe pa Xhim Xhemën nuk do ta kishim patur as ndihmën e Senatorit Dole e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli, ish drejtor i VOA-s

Prishtinë, 17 shkurt, 2023