FOTOT/ Qëlloi me armë policinë, arrestohet nga RENEA 49-vjeçari në Vaun e Dejës

93
Sigal

Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje është vënë në pranga nga policia në Vaun e Dejës, Shkodër.

Njoftimi i policisë:

Gjatë operacionit të koduar “Neutralizimi”, është arrestuar një 49-vjeçar, A. Gj, i cili ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe i dënuar më parë për vrasje.

Ky person mësohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj shërbimeve të Policisë në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij, por kanë ndërhyrë shërbimet e Forcës Speciale RENEA, duke e neutralizuar dhe vënë në pranga 49-vjeçarin.

“Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.

Me ndërhyrjen në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit “Neutralizimi” u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje.

Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi”, bën me dije policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.