Fondi, 30 milionë lekë për ndërmarrjet e reja, si ndahen

566
Qeveria vendosi krijimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up”, për një periudhë zbatimi prej 3 vjetësh, me vlerë të përgjithshme 30 milionë lekë. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 milionë lekë. Sipërmarrje e re ose “Start-up” do të konsiderohet një ndërmarrje e sapokrijuar dhe në kërkim të tregjeve. Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up” do të financohet nga buxheti i shtetit dhe mund të ketë si burime financimi edhe fonde nga donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Përfitimi nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare për këto sipërmarrje nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond. Fondi ka për qëllim mbështetjen e sipërmarrjeve të reja, ndërmarrjeve mikro dhe të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre vetëm në: 

a) sektorët prodhues e të shërbimit; 
b) sektorin e industrisë së lehtë; 
c) sektorin e turizmit; 
ç) fushën e kërkimit dhe të zhvillimit; 
d) procesin e agropërpunimit; 
dh) fushën e disenjimit, të modelimit dhe artizanatit. Përfitojnë nga Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up” sipërmarrjet e reja që janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për një periudhë 0-2 vjet. Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara e të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 500 mijë lekë. Në kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për: 
a) investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit; 
b) marketing të produktit dhe promovim (me përjashtim të reklamave elektronike e televizive); 
c) kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse, të dëshmuar me certifikatat përkatëse; 
ç) krijim faqeje interneti dhe publikim materialesh promovuese; 
d) pjesëmarrje në panaire ose ekspozita, brenda apo jashtë shtetit, si vizitor ose ekspozues. Pagesa e fondit bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.

Kushtet për ndërmarrjet
a) Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas nenit 4, të ligjit “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”;
b) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit;
c) Të kenë një plan biznesi ose një projekt dhe të jenë të afta për zbatimin e duhur e në kohë të aktiviteteve të propozuara;
ç) Të krijojnë, minimalisht, një vend të ri pune, brenda 12 muajve, nga momenti i përfitimit të fondit.
Sigal