RRITEN TAKSAT PËR 17 PROFESIONE TË LIRA

588
Skema e TVSH, përfshihen 17 profesione të lira
Lista e profesioneve që do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga niveli zero i xhiros që realizojnë. Të gjitha ndryshimet
Qeveria vendosi të përfshijë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nga niveli zero i xhiros, 17 profesione të lira. Me një vendim të posaçëm, qeveria e uli niveli e xhiros vjetore, brenda së cilës këto profesione nuk paguanin TVSH. “Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit”, theksohet në vendimin e qeverisë. Ai pason vendimin për të përfshirë në skemën e TVSH-së biznesin e vogël që realizon një xhiro vjetore prej 2 milionë lekësh. Për këtë kategori, qeveria përcaktoi edhe afatin e paraqitjes së deklaratës dhe regjistrave përmbledhës për kategorinë e personave të tatueshëm me qarkullim vjetor dy deri në pesë milionë lekë. Personat e tatueshëm, që realizojnë një qarkullim vjetor mbi kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, por jo më shumë se 5 milionë lekë, dorëzojnë deklaratën e TVSH-së mbi baza mujore, brenda datës 14 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Gjithashtu, kjo kategori personash të tatueshëm e shoqëron deklaratën e TVSH-së me regjistrat përmbledhës, përkatësisht librin e blerjes dhe librin e shitjes, mbi baza mujore, brenda datës 10 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Këto parashikime nuk zbatohen për personat e tatueshëm, për të cilët kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre.

Gjithashtu, qeveria përcaktoi dje se për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është qarkullimi prej 5 milionë lekësh në një vit kalendarik. “Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit. Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së”, thekson vendimi. Sipas qeverisë, “nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së”. Një ndryshim tjetër në skemën e TVSH-së lidhet me makineritë dhe pajisjet, në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë të barabartë ose më të madhe se 50 milionë lekë, për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli, me fuqi të instaluar prodhimi mbi 0.5 megavat.
Sigal