Fondet/ Inceneratorët do djegin edhe 12 mln euro shtesë në 2024

 

 

 Edhe pse miliona euro po digjen nga inceneratorët, mbetjet nuk po shkojnë në destinacionin e duhur, që janë këto vend-depozitime. Sipas Ministrisë së Turizmit, aktualisht vetëm 15% e mbetjeve, që shkon në incenerator është ricikluar.

 Më shumë se 12.5 milionë euro do të shpenzohen nga taksat e shqiptarëve, për një investim që po hetohet për korrupsion masiv. Referuar tabelës së buxhetit të vitit 2024, janë mbi 1.2 miliardë lekë që do të shkojnë në formën e pagesave për kontratën koncesionare të “Ndërtimit të Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e Energjisë”.

Sigal

Kjo kontratë që aktualisht është në duart e SPAK i cili po heton jo vetëm drejtuesit e kompanisë, por edhe zyrtarë të shtetit për korrupsion, prej vitesh ka gllabëruar taksat e qytetarëve shqiptar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave deri në fund të vitit 2023,pagesat për këtë koncesion kapin shifrën 6.59 miliardë lekë, dhe pritet të vijojnë edhe për vitet në vijim. Në total vlera e projektit për këtë investim arrin në 17.1 miliardë lekë. Plehrat e trajtimi i tyre, vetëm në inceneratorin e Fierit që aktualisht është një kontratë jo aktive, e cila përsëri po hetohet nga Drejtësia për korrupsion, prej vitit 2018 deri në fund të vitit 2022, ka marrë nga lekët e shqiptarëve 3.2 miliardë lekë, ndërkohë që nuk funksionon. Ky incenerator aktualisht nuk bën incenerim të mbetjeve, por vetëm shërben si pikë grumbullimi, pra miliona euro për asnjë përfitim konkret.‘Nuk duhet lejuar që vepra inceneratori i Fierit të kalbet, vepra nuk funksionon në parametrat e incenerimit, por vetëm për grumbullimin funksionon dhe të gjitha bashkitë e qarkut Fier janë drejtuar atje”, -u shpreh në komisionin e Ekonomisë deputeti i PS Erion Braçe.

Historia me skandalet e inceneratorëve nuk mbaron këtu. Kontrata koncesionare e inceneratorit të Elbasanit, që kishte një vlerë investimi 3 miliardë lekë, që aktualisht nuk punon, i ka marrë buxhetit të shtetit për periudhën 2018-2021, plot 1,855 miliardë lekë.

Në total kontratat koncesionare të inceneratorëve deri më tani i kanë marrë buxhetit të shtetit më shumë se 12 miliardë lekë ose 118 milionë euro, për të pastruar vendin, ndërkohë që ndodh e kundërta, pasi përgjatë vitit, vatrat e zjarreve në pikat e grumbullimeve të paligjshme vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Historia me skandalet e inceneratorëve nuk mbaron këtu. Kontrata koncesionare e inceneratorit të Elbasanit, që kishte një vlerë investimi 3 miliardë lekë, që aktualisht nuk punon, i ka marrë buxhetit të shtetit për periudhën 2018-2021, plot 1,855 miliardë lekë.

Fonde për bashkitë për mbetjet

Referuar buxhetit e relacionit të tij për vitin 2024, nuk do të ndalojë trajtimi i mbetjeve vetëm tek inceneratorët, por do të vazhdojë edhe me fonde ekstra për bashkitë. “Fondi për mbetjet urbane, në masën 714 milionë lekë, akordohet si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për njësitë e vetëqeverisjes vendore për mbetjet urbane në kolonën “Menaxhimi i mbetjeve urbane” dhe përdoret/shpërndahet, në përputhje me kriteret e vendosura në aneksin 8, që i bashkëlidhet këtij ligji”, -thuhet në buxhetin e 2024 dhe ju shpërndahet bashkive.

Ky fond që arrin afro 7.1 milionë euro do t’u shpërndahet 30 bashkive, në mënyrë që të transportojnë mbetjet e tyre në inceneratorë, në mënyrë që grumbujt e plehrave të mos digjen rrugëve.

  1. a) Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër.
  2. b) Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak, dhe Kavajë për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Tiranë.
  3. c) Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Përrenjas dhe Gramsh, për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Elbasan.
  4. d) Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Libohovë dhe Dropull, për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër”, -thuhet në aneksin 8 të buxhetit.

Pjesën më të madhe të buxhetit e merr Durrësi me 240.7 milionë lekë, më pas Kavaja me 58 milionë lekë dhe e treta është bashkia e Sarandës me 43.4 milionë lekë.

Kurse sa i takon pjesës tjetër ku përfshihen bashkitë Berat, Bulqizë,, Delvinë, Devoll, Dibër, Divjakë, Fier, Finiq, Has, Klos, Kolonjë, Konispol, Korçë, Kuçovë, Kukës, Lushnje, Maliq, Mallakastër, Mat, Mirditë, Patos, Pogradec, Poliçan, Pustec, Roskovec, Selenicë, Skrapar, Tiranë, Tropojë, Dimal dhe Vlorë, nuk kanë para për menaxhimin e plehrave.

Gjithë këtyre parave ju shtohen edhe 569 milionë lekë (afro 5.6 milionë euro), që janë pjesë e buxhetit të Ministrisë së Turizmit, që do të përdoren pikërisht për trajtimin e mbetjeve dhe mjedisin.

Në total kontratat koncesionare të inceneratorëve deri më tani i kanë marrë buxhetit të shtetit më shumë se 12 miliardë lekë ose 118 milionë euro, për të pastruar vendin, ndërkohë që ndodh e kundërta pasi përgjatë vitit, vatrat e zjarreve në pikat e grumbullimeve të paligjshme vazhdojnë me të njëjtin ritëm.

Box

Mbetjet përfundojnë rrugëve!

 Edhe pse miliona euro po digjen nga inceneratorët, mbetjet nuk po shkojnë në destinacionin e duhur, që janë këto vend-depozitime.

Edhe pse ka vite që në vend janë ndërtuar 3 incenerator, përfitimi i energjisë që ka ardhur prej tyre, është tejet minimal.

Sipas Ministrisë së Turizmit, aktualisht vetëm 15% e mbetjeve që shkon në incenerator është ricikluar.

Ndër rezultatet që synohen të arrihen gjatë periudhës 2024-2026 nga Ministria e Turizmit, që janë specifikuar në relacionin e buxhetit për vitin që vjen janë:

Përmirësimi i performancës së menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Rritja e përqindjes së mbetjeve, që shkojnë në landfille sanitare kundrejt mbetjeve të hedhura në vend depozitime të hapura në 69%.

Rritja në përqindje e mbetjeve të ricikluara në 19% në vitin 2026 nga 15% të parashikuar në vitin 2023.

 INFO

-Stela Gugallja, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj janë në kërkim ndërkombëtarë.

 -Kujtojmë se ndër skandalet më të mëdha lidhur me aferën e inceneratorëve ishte shitja fiktive te kompanitë e administruara nga pensionistë, mbledhës kanaçesh apo persona të vdekur, të cilat sipas denoncimit kanë shërbyer për të shmangur transferimin e shumave të mëdha të parave. Paratë për blerjet janë bërë me para në dorë nga kompanitë e inceneratorëve të 12 kompanitë përfituese të 30 milionë euro duke shmangur kësisoj sistemin bankar, sipas akuzave të PL.

-Sipas Prokurorisë së Posaçme, biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nëpërmjet mashtrimit dhe faturave fiktive, thithën më shumë se 40 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga llogaritë e kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, pjesë e të cilave u transferuan jashtë vendit.