Flasin studentët e QS : Përveç ngjyrës së bojës, asgjë nuk ka ndryshuar në konvikt

637
Sigal

Qyteti Studenti/ Në vend të reportazhit

Trotuare të prishura, makina të parkuara në to dhe tabela “Mirë se vini në Qytetin Studenti”, është hyrja e një qyteti brenda kryeqytetit. Sapo futesh në “Qytetin Studenti”, dallohen të rinjtë, të cilët shpejtojnë për të kapur në kohë orën e mësimit. Hyrja deri në godinën “Liria”, pjesë e Universitetit të Tiranës, të ofron pamje jo të këndshme për syrin. Trotuare të prishura, makina të parkuara mbi to, qentë e rrugëve, bordura të shkatërruara paralajmërojnë një vazhdim jo të mirë. Duke ecur për më lart, hasim makina që kalojnë me shpejtësi dhe në vesh të përplaset zëri shumë i lartë i muzikës së kasetofonave të tyre. Të duket vetja se je në një disko të hapur. Nuk është çudi në këtë “qytet të çudirave” të hasësh dhe dum-dumat, të cilat mesa duket e kanë zënë tashmë territorin e tyre të punës me kanoçet. Të sheh syri ende inerte në vendet, ku më parë kishte kioska. Dhe ja, ku dalim përballë sheshit “Demokracia”! Teksa sheh lokalet, zhgënjehesh me premtimin e drejtoreshës së re të “Qytetit Studenti”, Anila Shehu, që do t’i prishte të gjitha lokalet pa leje. Edhe pse herët, frekuentuesit studentë i kanë mbushur ato. Lokalet janë, vetëm tendat u janë hequr. Tavolinat dhe karriget, sërish në vendet që ishin më parë. Shatërvani në mes të sheshit “Demokracia” vetëm emrin ka të tillë, se nuk funksionon. Shatërvan pa ujë. Pamja nuk e justifikon emrin e këtij sheshi historik. Në këtë shesh, studentët përmbysën një regjim. Të tjerë studentë sot parakalojnë indiferentë ndaj historisë.

Studentët

Studentët mbushin çdo ditë rrugët e “Qytetit Studenti”. U drejtohemi atyre dhe takojmë Andi Ndreun, studentin nga Fieri që vazhdon për Inxhinieri Elektrike dhe është banor në godinën 22-23. “Janë kushte minimale. Jam i ri këtu, dhomën e ndaj me 3 shokë të tjerë dhe hapësira është shumë e ngushtë”, shprehet ai për gazetën “Telegraf”. Ndërsa, përsa i përket prishjeve të kioskave dhe shtesave pa leje të lokaleve, Andi shprehet se “u prishën vetëm tendat mbrojtëse, kurse hapësirat që ata kishin zënë, po shfrytëzohen prapë nga ata. Shikoni janë mbushur prapë me tavolina dhe karrige”. Ndërsa një shqetësim tjetër për të, ishte dhe akustika e lartë e kasetofonave të makinave të shumta që kalojnë në Qytetin Studenti. Lidhur me kushtet sesi jetohet në konvikt, një grumbull vajzash shprehin rezervat e tyre. “Kushtet janë minimale, përveç atyre krevateve, tavolinave dhe komodinave, s’kemi gjë tjetër në dhomë. Këto kohët e fundit na kanë thënë për të hequr rezistencat. Na duhen për ngrohje dhe gatim, pasi është e vështirë ta përballosh jetesën jashtë”, shprehen ato. Ndërsa pothuaj njëzëri shprehin shqetësimin e dusheve. “Një problem tjetër kohët e fundit është shkurtimi i orarit të dusheve, e kanë bërë 12-19, kur ishte 9-19. Ne jemi 2 godina bashkë, dhe 4 dushe ka njëri, 4  tjetri dhe hapen në të njëjtën kohë. Nuk lahen dot më shumë se dy vajza, se uji ftohet” shprehen ato. Edhe pse pagesa për të jetuar në konvikt rritet nga viti në vit, asgjë nuk ka ndryshuar në përmirësimin e kushteve, përveç ngjyrës së bojës. Djepi i demokracisë, tashmë përkund nevojën e studentëve për t’u ambientuar.