Agron FICO/ “Kryezinjtë e Gjakovës”, një vepër historike serioze

    882
    Sigal

    Familja Kryeziu është familja e dytë për nga vjetërsia në Kosovë. Nën sundimin turk në Ballkan, familja Kryeziu ka dhënë 14 pashallarë

    Libri studimor “Kryezinjtë e Gjakovës” me autor Mithat Q. Begolli dhe redaktim të Gani Perollit shënon një ngjarje të shquar kulturore sepse i kushtohet dinastisë së shquar atdhetare të Kryezinjve të Gjakovës, por edhe se sjell një risi në fushën e studimeve historike.

    “Familja Kryeziu është familja e dytë për nga vjetërsia në Kosovë. Nën sundimin turk në Ballkan, familja Kryeziu ka dhënë 14 pashallarë”. (f.235) Sfidat e autorit, zotit Mithat Q. Begolli, në trajtimin dhe hartimin e kësaj vepre, padyshim kanë qenë të shumta dhe të ndryshme:

    Së pari: Përfshirja në arenën historike të një dinastie shumë brezash dhe në një hark shekullor me një aktivitet të dendur politik dhe atdhetar.

    Së dyti: Vlerësimi kritik dhe objektiv i veprimtarisë komplekse politike dhe atdhetare të Kryezinjve në rrethanat më të ngatërruara të ngjarjeve të kohës.

    Së treti: Kritika shkencore ndaj literaturës së gjerë bibliografike të përdorur nga studiues, politikanë dhe aktorë të tjerë të kohës.

    Ja si shkruan  autori: “…Ky kontribut për Gjenealogjinë e Kryezinjve të Gjakovës, duke evituar, aq sa munda, mendimin subjektiv për ngjarjet, njerëzit dhe veprimet e tyre në kohë dhe rrethana historike të caktuara…” (f.5)

    Në libër sillen fakte dhe dëshmi të shumta për figurat kryesore të kësaj dinastie, por më gjerësisht flitet për Cena Kryeziun, Ganinë, Hasanin dhe Said Kryeziun. Ati i tyre, Riza beg Kryeziu, është njohur në historinë kombëtare si patriot dhe njëri ndër organizatorët e çlirimit të Shkupit (1908) nga Perandoria Osmane. Vëllai i tij, Ali Beg Kryeziu, ishte bashkëluftëtar i Ismail Qemalit.

    I gjithë libri është një arkiv historik i ngjarjeve më të shënuara të kohës si: Lidhja shqiptare e Prizrenit, Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe (1908), Kryengritjet e mëdha antiosmane në vitet 1911-1912, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912) e gjer tek Konferenca e Bujanit, dënimi brutal i Zai Fundos, lufta kundër pushtimit serb në Kosovë dhe mbi të gjitha Lufta e Dytë Botërore etj, ngjarje në të cilat vepruan edhe personalitetet e shquara të dinastisë Kryeziu. Pjesa kushtuar Hysen (Cena) Kryeziut sjell fakte dhe dëshmi të panjohura gjer sot për rrethanat e vrasjes së tij në Pragë nga agjentët e Zogut. Konflikti midis Cenës dhe Zogut kishte në qendër një çështje madhore – marrëdhëniet me Italinë fashiste. Autori thotë fare shkoqur: “Cena e kundërshtoi politikën e Ahmet beg Zogollit lidhur me nënshkrimin e paktit të Tiranës, duke qenë i sigurt se Italia fashiste aspironte okupimin e Tiranës.” (f.130)

    Autori, zoti Begolli, ka bërë një punë prej hetuesi në shqyrtimin e imtë të të gjithë të dhënave rreth vrasjes së Ceno Begut, por përfundimi mbetet i njëjtë: “E përsëris, vëllezërit e Cenës ishin të bindur dhe me atë bindje vdiqën, se, atentati është bërë nga A. Zogolli, me ndihmën e pakursyer të Italisë fashiste.” (f.140) Madje autori shton me çiltësi se“Edhe shkrimtari i këtyre rreshtave iu ankua Ahmet Zogu për kobin e dhëndrit”. (f.146)

    Kryezinjtë luftuan kundër pushtimit shekullor osman, kundër ndarjes së Shqipërisë më 1913, kundër pushtimit të egër serb të Kosovës, kundër pushtimit fashist dhe nazist, por edhe kundër regjimit komunist në Jugosllavi dhe Shqipëri. Kryezinjtë “ishin për formën e demokracisë perëndimore dhe kundër regjimit komunist me orientim prosllav” – shkruan autori në faqen 176.

    Fati i vëllezërve Kryeziu gjer më 1943 është i njohur. (Ata ishin të internuar në kampin Ventotene në Itali.)

    Gani Kryeziu u vu në krye të lëvizjes nacionaliste kundër pushtimit italian e gjerman. Bashkëpunimi dhe mbështetja e tij tek misionet angleze synonte arritjen e një objektivi madhor -atë të çlirimit të Shqipërisë dhe të bashkimit të Kosovës me të. Por siç shkruan Peter Kemp në veprën e tij “Pa ngjyra dhe pa kreshtë” “Shqipëria… ishte një flijim plotësisht i panevojshëm që iu bë imperializmit Sovjetik… Politika britanike më 1944 u tërhoq dhe ia dorëzoi një fuqie armiqësore ndikimin tonë, nderin dhe miqtë tanë…” (Po aty, f. 192)

    Fakti i hidhur që në lindjen e Partisë Komuniste Shqiptare si mami u bë Miladin Popoviçi si dhe përkrahja e teorisë famëkeqe leniniste se “çështja nacionale duhet t’i nënshtrohet asaj internacionale” (Shih: E. Hoxha – “Titistët”) përcaktoi edhe qëndrimin e gabuar të Parisë Komuniste Shqiptare ndaj Kosovës gjatë Luftës antifashiste e gjer më 1948. Ndër dëshmitë e panumërta për veprimtarinë dhe figurën atdhetare të Gani Kryeziut po sjellim edhe këtë vlerësim të majorit anglez Simcox-it: “Gani Kryeziu lufton për Shqipërinë e lirë, gjithashtu ai ushtron aktivitet, i cili shkon në ndihmë të aleatëve. Ai nuk është komunist dhe gjithashtu nuk është simpatuzues i kësaj partie politike… Ai është një patriot, trim shqiptar…” (f. 195)

    Për lirimin e tij nga burgu ka ndërhyrë edhe vetë Çurçilli.

    Eseja e studiuesit të njohur Gani Perolli me titull “Said Kryeziu – patriot e largpamës”, botuar në gazetën e Diasporës, në përvjetorin e vdekjes së Saidit, është një kumtesë e plotë e figurës dhe rolit të këtij Kryeziu të shquar. Në të autori përmend disa nga aktet më të larta politike të Said Kryeziut si: Më 1949 Said Kryeziu formoi Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë” së bashku me Mithat Frashërin, Abaz Kupin, Zef Palin dhe Nuçi Kotten dhe se “Komunistët serbë ia vranë tre vëllazër, Ali Kryeziun në luftën e 1917, Hasan Kryeziun në Hereç të Gjakovës si dhe Gani Kryeziun, të cilin pas 5 vjet burgimi e likuiduan më 1950 (atij i vranë edhe 4 nipa). Më tej zoti Perolli vazhdon: “Said Kryeziu ishte ndër politikanët më të aftë që kishte raca shqiptare brenda dhe jashtë trojeve të atdheut. Njeri larpamës, përparimtar, me virtyte shumë të larta… demokrat e tolerant, ai ishte shqiptari më i civilizuar… Mjerisht kombi ynë nuk pati fat ta udhëhiqte një patriot i tillë i rrallë.” (f.233-234)

    Meriton të veçohet një dukuri kryesore në trajtimin e materialit dhe burimeve që sillen. Kjo është metoda kritike, objektive dhe e paanshme e autorit, larg politizimit subjektiv. Autori disa herë e thekson domosdoshmërinë e të shkruarit të historisë në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të ndershme. Ja kriteret shkencore e morale që e kanë udhëhequr autorin e këtij libri: “Nuk damkosa asnjë person, as që dua të amnestoj kënd për gabime që mund t’i ketë bërë. Përfundimet për secilin nga këta që janë përmendur këtu ia la lexuesit, duke apeluar që ta bëjë në bazë të provave që janë dhënë këtu… të rrethanave politike që kanë mbizotëruar në kohë dhe hapësirë…” (f.8) dhe shton: “…Duke dashur të vërtetën më shumë se asgjë tjetër.” (f.11)

    Me këto parime dhe këtë metodologji libri sjell një ndihmesë edhe në diskutimin shterpë e prej disa dekadash që bëhet midis studiuesve shqiptarë se si duhet të shkruhet e rishikohet historia. Libri “Kryezinjtë e Gjakovës” mbështetet në një bibliografi të pasur si dhe nga burime të ndryshme arkivale (shqiptare, osmane, angleze, austriake, italiane etj) dhe në disa gjuhë të huaja, që e shton vlerën shkencore të librit. Libri jep një informacion të bollshëm për kohën, rrethanat dhe aktivitetin atdhetar e politik të këtyre personaliteteve të ndritur të Kryezinjve të Gjakovës, por edhe me metodën objektive shkencore të parashtrimit i jep lexuesit njëherazi edhe kënaqësi intelektuale.