Sazan Guri/ Te ambientalisti, mërzia dhe besimi, shok mendimi

516
Sigal

Unë besoj se as përpjekja më e vogël nuk kalon pa lënë gjurmë dhe se çdo hap i yni, sado i vogël, ka rëndësi për jetën e tanishme dhe të ardhmen. Durimi im në “mos sukses ka arritur të ndërgjegjësojë zemra njerëzish, e tani ato nuk më shohin më si një “dështak”. U mësuan me mua, e me një besim naiv, më bëjnë lloj-lloj ankesash, se më mbajnë për ….(…medet, kurse unë vetëm fjalën kam si fuqi…), por nuk ua prish perceptimin e shpresës që kanë.

Turbullohemi sa herë që diçka e “rastit” na e prish monotoninë e jetës, që e kemi kufizuar deri tek niveli i instinkteve. Të zhytur në terr shpirtëror, të ushqyer me një neveri për jetën, veprojmë dhe flasim për vandalizëm e një vrazhdësi të rafinuar humori, e kjo më bën që ta “çoj” veten në fillimet e hershme të historisë, atëherë, kur njeriu akoma nuk kishte mësuar të përdorte zjarrin për shkatërrim. Natyrën e dua (sonet: Muzika të deh, por me natyrën njeriu nuk ngopet kurrë), por peizazhi hënor i Lurës, betonizimi i qyteteve dhe bregdeti më sjellin një torturë, që për mua janë shprehje e një force të ashpër, të egër e të shëmtuar, e pa dashur mendoj; fillimet si zanafillë i kemi nga më të hershmet, por fillimet kulturore nuk po duken akoma. Se ndryshe nga shumë popuj të tjerë këtu tek ne “dashuria nuk lind në pranverë, por mundohet të çelë në vjeshtë”.

Përpjekjet, punët, mendimet, arritjet tek ne janë si disa penelata të ndrojtura, që hidhen në telajon e brengës, e cektësisë, e kotësisë, e adhurimit të mjerueshëm pas parasë ….se përparimi, është dashuria e njerëzve për zbatimin e ligjeve morale.

… Të kap një mërzi fizike, kur kupton se intelekti, duart, trupi, gjithë qenia jote nuk dinë se çfarë të bësh me to. Vetja të duket si një grimcë rëre, në shkretëtirën e lojës që të tjerët bëjnë me kauzën që ti je përkushtuar. … O njerëz, indiferentizmi juaj, mosvetëdija juaj, janë për mua, së pari, dobësitë e mia!