“Flamuri kombëtar nuk mund të përdoret si flamur partie, ai i përket Kombit”

528
Sigal

Sherri për tabelën, ka çuar në përplasjen e drejtorit të Muzeut të Pavarësisë në Vlorë, Agron Shehu me përfaqësues të AK-së

Një tabelë e vendosur në hyrje të muzeut “Pavarësia” në Vlorë, ka krijuar debat mes përfaqësues të partisë AK dhe drejtorit të Muzeut, historianit Agron Shehu. Ndërsa AK akuzon drejtuesit e Muzeut, që e mbajnë mbyllur në këtë prag jubile të 100 -vjetorit të Pavarësisë, Shehu sqaron se godina po rikonstruktohet. Ndërkohë, është ndalur tek një argument që kjo parti, kurrsesi nuk duhet të përdor flamurin e Kombit shqiptar. Një grup të rinjsh, mbështjellë me flamurin kombëtar, janë ndalur përpara godinës së Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë dhe njëri prej tyre ka akuzuar drejtuesit e këtij institucioni se e mbajnë mbyllur Muzeun, ndërsa vizitorë të shumtë kërkojnë ta vizitojnë atë, aq më tepër në prag të 100 -vjetorit të Pavarësisë. Ka qenë kjo deklaratë e shkruar në pak rreshta, që ka sjellë reagimin e ashpër të drejtorit të Muzeut, historianit Agron Shehu. Duke dalë jashtë natyrës së tij, ai u shpreh me tone të ashpra për “Telegraf”.

Zoti Shehu, përse është mbyllur muzeu “Pavarësia”?

Cilido që e sheh rrethimin që i është bërë godinës, vendosjes së skelerisë, e kupton qartë që këtu po bëhen punime. Tabela në hyrje të godinës, tashmë të rrethuar nga firma që po kryen punimet, e thotë me germa të mëdha: Objekti është në rikonstruksion. Është një investim që bëhet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, për të bërë ndryshimin e domosdoshëm jashtë dhe brenda godinës, për të qenë gati sa më shpejt, në përgjigje të fluksit të vizitave, që priten me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë . Objekti nuk është funksional në ambientet e brendshme, pasi janë hequr stendat, po bëhet rikonstruksion edhe i tavaneve, faqeve të mureve në të dy katet. Me të drejtë firma që fito tenderin, rrethoi godinën, pasi nuk mund të lejohet asnjë vizitor, por edhe për të përshpejtuar punimet.

Nuk mund të kryheshin më shpejt punimet, në mënyrë që në këtë periudhë, të mos pengoheshin vizitat?

Nuk mundet të bëheshin punimet gjatë sezonit turistik, ku muzeu ka qenë hapur nga mëngjesi deri në mbrëmje për pushuesit e ardhur nga shumë vende, veçanërisht Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe shumë turistë të huaj. E mira do të ishte që këto punime të kryheshin në fillim të vitit, por pak kohë më parë janë lëvruar fondet nga Ministria. Ndërkohë duhet të them se punimet po ecin me shpejtësi  dhe stafi i muzeut do të punojë pa orar, për të afishuar materialet në eksponatet e këtij muzeu.

Keni grumbulluar materiale të reja, që ekspozohen për herë të parë?

Gjatë gjithë kësaj periudhe, sikurse stafi i muzeut, ashtu edhe historianët, trashëgimtarët e familjeve patriote, që kanë kontribuar si në Shpalljen e Pavarësisë përkrah Ismail Qemalit, ashtu edhe më pas, kanë grumbulluar dokumente të reja, objekte të përdorura Qeveria e Ismail Qemalit etj., që do të ekspozohen në eksponatet e tij. Dua t’ju them se edhe paraqitja e materialeve nëpër eksponate, do të jetë ndryshe, çka do të shtoj interesin për vizitorët.

Si do t’ju përgjigjeshit akuzave që ju bëri një ditë më parë AK?

I ndoqa me vëmendje dhe jo vetëm unë, por kushdo që e dëgjoi, kuptoi dashakeqësinë e tyre, pasi, sikurse u shprehëm muzeu është mbyllur për shkak të rikonstruksionit të jashtëm dhe të brendshëm të godinës. Kjo nuk na bën përshtypje, por unë si historian, do të ndalesha tek një fakt tjetër, që e kam fshehur mes kolegësh, historianësh. Flamuri Kuq e Zi që përdor AK, përfaqëson gjithë popullin shqiptar, Kombin dhe nuk mund të jetë kurrë “pronë” e një partie, cilado qoftë ajo. Përsëri si historian, por edhe si drejtori i Muzeut të Pavarësisë, që jemi të lidhur fort me simbolin e Kombit, u revoltova kur flamuri i kuq me shqiponjën në mes, varej në trupin e fëmijëve, madje, fshinte edhe tokën. Kjo është e pafalshme dhe drejtuesit e kësaj partie, duhet të bëhen të arsyeshëm të mos e keqpërdorin Flamurin Kombëtar në atë mënyrë, pasi është simboli i shenjtë për të gjithë shqiptarët, pasi përfaqëson  Kombin. Burrat e kombit ngritën flamurin më 28 Nëntor, për t’u dhënë shqiptarëve shtetin dhe kurrë nuk mund të shërbejë për interesat e disa personave, apo të një partie.

Kjo duhet korrigjuar apo jo?

Nuk është rasti i përplasjes që më detyroi ta them publikisht në intervistë me ju, e kam shprehur mes historianësh dhe të gjithë jemi të shqetësuar për këtë fakt.