FIER/ “Çudia” e bashkisë: 44 milionë lekë për blerjen e rërës, 74 milionë për transportimin e saj

547
Përparim HALILI
Drejtësia duhet të ndalë krimin financiar të maskuar pas tenderëve, fondet e të cilëve bëhen pasuri për shtetarët
Zhurma e fushatës elektorale, nuk po lë të dëgjohet “zhurma” e tenderëve abuzivë që zhvillohen në këto ditë. Edhe pse drejtuesve të administratës shtetërore, u është ndaluar pjesëmarrja në fushatë elektorale me urdhër të “Task Forcës” qeveritare, ata nuk po i ndal askush, që të bëjnë çfarë të duan me prokurimin e fondeve publike, duke zhvilluar tenderë absurd, për “luftën kundër të cilëve” po flitet me ulërima edhe në këtë fushatë! Mirëpo administrata publike, konkretisht bashkitë po vazhdojnë të “grijnë” taksat e shqiptarëve, duke i justifikuar me shërbime, blerje e investime publike, shumica e të cilave janë fiktive, të pasqyruara vetëm në letra, mbasi faktikisht përdoren e realizohen vetëm 40-50% e fondeve të akorduara. Ndërsa pjesa tjetër, ndahet në pazar mes palëve drejtues shtetëror-firma private, të cilat shpallen fituese, duke u paracaktuar si të tilla! Një skandal të tillë abuzimi të hapur e konstatuam në dy njoftime tenderësh, të shpallur prej Bashkisë së Fierit, lidhur me nxjerrjen, përpunimin dhe transportimin e rërës bituminoze e materialeve të tjera ndërtimore, që bashkia i përdor për rikonstruksione dhe punë publike brenda zonave të territorit të saj. Konkretisht, në “Buletini i Prokurimit Publik” Nr. 22, datë 5 qershor 2017, Bashkia e Fierit (Ndërmarrja e Shërbimeve Publike) ka publikuar dy tenderë. Tenderi i parë ka këtë objekt: “Zbulim, gërmim, shkrifërim dhe ngarkim të rërës bituminoze”. Ndërsa tenderi i dytë, ka këtë objekt: “Transport materiali rërë bituminoze, zhavorr, çakull”. Duket krejt normale kjo procedurë, por në fakt është anormale, mbasi sipas dosjes së tenderit të publikuar nga bashkia, fondi financiar për nxjerrjen, shkrifërimin dhe ngarkimin e rërës bituminoze në automjete është 44 milionë e 160 mijë lekë të vjetra, ndërsa fondi financiar për transportin e saj me automjete është 74 milionë lekë të vjetra!
Njoftimi i tenderit të blerjes 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Bashkia Fier, Lagja “Kastriot”, Rruga “Brigada e XI Sulmuese”, Tel/Fax 0035534410636, Faqja në Internet www.bashkiafier.gov.al 
2. Lloji i procedurës: Kërkesë për Propozim me mjete elektronike 
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: Shërbim për zbulim, gërmim, shkrifërim dhe ngarkim të rërës bituminoze 
4. Fondi limit: 3 680 000 lekë pa tvsh 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë “lotet” opsionet dhe nënkontraktimin), është: 4 416 000 (me TVSH) 
Njoftimi i tenderit të transportimit 
1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Bashkia Fier, Adresa: “Kastriot”, Rruga “Brigada e XI Sulmuese”, Tel/Fax 0035534410636, Faqja në Internet www.bashkiafier.gov.al 
2. Lloji i procedurës: Kërkesë për Propozim me mjete elektronike
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: Transport materiali (rërë bituminoze, zhavorr, çakull) 
4. Fondi limit: 6 166 666,67 lekë pa TVSH 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë “lotet” opsionet dhe nënkontraktimin): 7 400 000 (me TVSH) 
Sigal