Vlorë, zbulohen 70 kg kanabis në lagjen ‘Pavarësia’, kapet personi që po bëhej gati ta transportonte

485
Policia e Vlorës ka zbuluar 70 kg kanabis në sheshpushimin e një pallati dhe ka arrestuar një 24-vjeçar, si personin që dyshohej se do ta transportonte.Ai quhet Nikolas Toçaj, 24 vjeç, banues në Vlorë.

Më datë 6.06.2017, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen “Pavarësia” Vlorë, pranë një marketi, Policia e Vlorës ka konstatuar dhe sekuestruar një sasi me lëndë narkotike në sheshpushimin e një pallati.

Lënda narkotike u gjet e vendosur në 4 qese të zeza plastike, të mbështjella me natriban ngjyrë kafe, e cila pas peshimit në total ka rezultuar 70 kilogramë me kanabis sativa.

Po ashtu, në hyrjen e këtij pallati është gjetur dhe bllokuar një automjet furgon Ford, nën përdorimin e autorit të dyshuar, i cili dyshohet se mund të përdorej për transportimin e lëndës narkotike.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen në flagrancë të Nikolas Toçajt, në pallatin ku u gjet lënda narkotike dhe bëri arrestimin e tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sigal