Fermerët mbushin rrugët me perime në shenjë proteste: Po falimentojmë

117
Sigal

Fermerët në qarkun e Beratit janë mbledhur në protestë paraditen e kësaj të marte (13 maj) ku kanë bllokuar aksin rrugor Berat-Lushnjë. Ata kanë hedhur prodhimet e tyre në rrugë, në shenjë proteste, pasi u kanë mbetur pa shitur për shkak se u kërkohen me çmim shumë të lirë.

Fermerët shprehen se një kilogram domate ua marrin me 20 lekë, ndërsa në Tiranë e shesin me 160 lekë. Po e njëjta situatë dhe ke kastravecin, sipas tyre.Kërkesa e tyre ndaj institucioneve është që të mos abuzohet me çmimet dhe të zbatohet ligji.

Fermerët kanë bllokuar për disa minuta aksin nacional Berat-Lushnje dhe kanë hedhur në rrugë edhe produktet e tyre, domatet e sallatorët, në shenjë indinjimi. Protesta është zhvilluar edhe me tensione dhe ofendime të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë, kur kjo e fundit është përpjekur të pengojë bllokimin e rrugës nga protestuesit.

Fermerët kanë deklaruar se ata po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të diskriminimit dhe mos kontrollit nga shteti të pikave të grumbullimit, që produktet e tyre i marrin me çmime qesharake dhe pa fatura TVSH-je e fatura tatimore.

Ata kanë deklaruar edhe se protestat e tyre do të vazhdojnë teksa i bëjnë apel Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit t’i japin zgjidhje kësaj situate të rënduar.