Fakulteti i Ekonomisë dhe Grupi Kastrati forcojnë bashkëpunimin për të fuqizuar studentët ekselentë dhe pedagogët

57
Sigal

Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe Grupi Kastrati kanë zyrtarizuar një partneritet të rëndësishëm nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi i cili fuqizon lidhjen mes studentëve dhe botës së biznesit.

Ky bashkëpunim synon të garantojë mbështetjen për studentët e shkëlqyer, që të gjejnë hapësira në kompanitë e Kastrati Group për të marrë përvoja pune si edhe të përfshihen në projekte të ndyshme që do u shtojnë vlerë praktike studimeve të tyre.

NOA

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, e vlerësoi marrëveshjen si një moment kyç në tejkalimin e hendekut mes mësimit teorik dhe zbatimit praktik: “Fakulteti e nënshkruan këtë marrëveshje në shërbim të studentëve. Ata do të kenë mundësi të bëjnë praktikë në kompanitë Kastrati dhe në rastin më të mirë edhe të punësohen. Jam i bindur se kjo marrëveshje do të jetë një bashkëpunim i suksesshëm dhe i frytshëm” u shpreh Z. Kule.

Nga praktikat që ofrojnë ekspozim të dorës së parë ndaj mjediseve reale të biznesit, te angazhimi në studimet e tregut që pasurojnë horizontet akademike dhe profesionale, studentët mund të mbledhin njohuri të vlefshme dhe përvoja praktike.

Fakulteti i Ekonomisë dhe Grupi Kastrati forcojnë bashkëpunimin

Znj. Ornela Bego, Drejtore e Marketingut dhe Komunimit në Kastrati Group, theksoi ndikimin transformues të angazhimit të drejtpërdrejtë me profesionistët e industrisë. “Kjo përvojë në fushën e biznesit do t’u sjellë studentëve njohuri të vlefshme dhe përvoja praktike”, u shpreh Znj. Bego. “Jemi të dedikuar që të mbështesim jo vetëm pikat e kësaj marrëveshje, por të jemi përkrah ideve inovative që secili nga studentët ekselentë apo profesorët e këtij fakulteti do të paraqesin në dekanat apo pranë nesh. Për ne, edukimi është një nga shtyllat kryesore të përgjegjshmërisë sociale dhe si e tillë, merr një rëndësi të veçantë, aq më tepër me Fakultetin e Ekonomisë që është shtylla e arsimit të lartë në Shqipëri.”

Për më tepër, marrëveshja lehtëson vizitat edukative në kompanitë kryesore brenda portofolit të Kastrati Group, duke përfshirë Tirana International Airport, Uji Selita, MBM Port, kompaninë e sigurimeve Albsig, etj.

“Siç e shohim, ka shumë hapësira, pasi ne jemi në 7 industri të ndryshme. Një prej kompanive të grupit, Albsig, është një institucion financiar ndër më të fuqishmit në fushën e sigurimeve. Kemi gjithashtu një histori suksesi me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ka patur një rritje të jashtëzakonshme në 3 vitet e fundit. Unë mund të sjell vetëm një shembull, investimet të cilat do të kryeshin deri në vitin 2040, janë kryer brenda 3 vjetorit të parë të menaxhimit të aeroportit” – tha Znj. Bego nga Kastrati Group.

Një element i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është ofrimi i leksioneve të hapura nga drejtues brenda Grupit Kastrati, duke u ofruar studentëve njohuri unike në dinamikën e peizazhit të biznesit. Këto ndërveprime me profesionistë me përvojë shërbejnë për t’i përgatitur ata sa më mirë për tregun e punës dhe të përfshihen në bizneset më të suksesshme në treg.