EMRAT/ Meta vlerëson artistë të shquar shkodranë me Dekoratën “Nderi i Kombit” si dhe me Titullin “Mjeshtër i Madh”

101
Sigal

Me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara të fushës së artit dhe të kulturës shkodrane.

Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën e lartë “Nder i Kombit” (pas vdekjes) Shyqyri Alushin (Hagjanin): “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe interpretimin e rrallë të këngës popullore shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të talentuar, i cili me vokalin e tij të veçantë u bë i njohur, i dashur dhe i respektuar në Shkodër e kudo ku ai interpretoi këngën popullore shkodrane, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përhapjen e krijimtarisë sonë popullore.”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua zoti Agron Dizdari: “Me mirënjohje për kontributin dhe personalitetin e tij të gjithanshëm, të shpalosur në artin skenik dhe kinematogafinë shqiptare, duke dëshmuar cilësi të spikatura me aktrimin dhe profesionalizmin e tij.”;

Zotin Ramazan Çeka: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj.”;

Zotin Ilmi Kurti: “Në vlerësim të kontributit të madh si shkrimtar, poet dhe publicist në promovimin e shkëlqyer të traditave dhe fuqisë artistike të malësisë shqiptare. Me mirënjohje personalitetit me cilësi të jashtëzakonshme, i cili me mjeshtëri kulturore dhe ndjenjë të thellë kombëtare, ka përcjellë me vërtetësi historitë e kohës.”;

Zotin Nimet Salabegu (Begu): “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar në muzikën popullore shqiptare, si mjeshtër i klarinetës dhe këngëtar me grupin e njohur ‘Na bashkoi kënga popullore’, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist dhe i vlerësuar nga artdashësit.”;

Zonjën Merita Smajaj: “Me vlerësim ndaj artistes së spikatur të teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe për talentin e rrallë në realizimin e shumë personazheve me profesionalizëm dhe me cilësi të lartë artistike.”;

Zotin Adnan Bala: “Me mirënjohje për talentin dhe përkushtimin e treguar për muzikën popullore shqiptare, veçanërisht për muzikën popullore shkodrane, duke dëshmuar cilësi të rralla si artist profesionist, i dashur dhe i vlerësuar nga artdashësit.”;

si dhe Mhill Çun Gjonajt (Pas vdekjes): “Për meritat e veçanta në hulumtimin, autorësinë e shumë teksteve, si dhe interpretimin e shkëlqyer të folklorit dukagjinas e më gjerë për më shumë se pesë dekada. Në vlerësim të organizimit dhe drejtimit të grupeve artistike në Dukagjin e Gruemirë, si dhe bashkëpunimit të frytshëm me mediat vizive lokale për njohjen dhe përhapjen e folklorit dhe kulturës popullore dukagjinase dhe shqiptare.”

Presidenti i Republikës, duke iu drejtuar autoriteteve vendore të Këshillit Bashkiak, artistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, vuri në dukje:

“Jam i lumtur, që rikthehem sërish në qytetin e dashur të Shkodrës, për të vlerësuar së bashku disa artistë shumë të njohur shkodranë, dhe që vazhdojnë të lënë gjurmë e të japin një kontribut të shquar në fushën e artit dhe të kulturës sonë.

Artistët, që ne vlerësojmë sot, janë aktorë, këngëtarë, rapsodë e poetë, por të gjithë i bashkojnë dy gjëra të rëndësishme: dashuria për Shkodrën dhe padyshim dashuria për artin.

Arti popullor është një pasuri e jashtëzakonshme që duhet ruajtur e trashëguar në brezat që do të vijnë pasi kërcënohet realisht për t’u zbehur, për t’u zvetënuar ndërkohë që ne kemi një nevojë të domosdoshme të forcojmë identitetin tonë kombëtar, akoma edhe më shumë në sfidat që kemi përpara.

Ndaj edhe vlerësimi i artistëve që kanë dhënë e japin një kontribut të çmuar për ruajtjen dhe zhvillimin e artit tonë duhet të mbetet një detyrim dhe përparësi e institucioneve dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë.

Artisti i parë, që kam nderin të vlerësoj sot, ka lënë një trashëgimi të paharruar. Ai është ‘bilbili’ i muzikës popullore dhe i këngës popullore qytetare shkodrane, Shyqyri Alushi.

Shyqyri Alushi ka mbushur me zërin e tij kumbues pafund salla koncertesh brenda e jashtë vendit dhe ka fituar dashurinë dhe ovacionet e publikut, që i ka dhënë gjithmonë më të mirën e tij dhe dashuri të pafundme.

Ai ishte dhe mbetet pjesë shumë e rëndësishme e vlerave, traditave e trashëgimisë së qytetit të Shkodrës, qytet të cilin ai e adhuronte dhe për të cilin këndoi me dashuri e pasion, gjatë gjithë jetës së tij.

Për gjithë kontributin e jashtëzakonshëm, në interpretimin dhe përhapjen e krijimtarisë popullore, kam kënaqësinë të vlerësoj Shyqyri Alushin (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë ‘Nder i Kombit’.

Është një kënaqësi të vlerësoj një personalitet, dy herë i dashur për mua: Agron Dizdarin. Kur kam qenë nxënës te shkolla 8-vjeçare ‘Fan Noli’, kisha një mësuese të jashtëzakonshme, zysh Didin, e cila ishte motra e aktorit të shquar Agron Dizdari, i shquar nëpër filma.

Unë dialektin e gjuhës shkodrane e mbaj mend nga zysh Didi dhe zoti Agron Dizdari për ne fëmijët ishte edhe vëllai i zyshës. Ndaj jemi rritur me një dashuri të dyfishtë për këtë artist.

Ky aktor dhe regjisor shumë i njohur, jo vetëm për Shkodrën, por edhe në nivel kombëtar ka një veprimtari artistike, e cila shtrihet për më shumë se gjysmë shekulli, duke dhënë një kontribut të qenësishëm në artin skenik, në kinematografi dhe në sektorin e edukimit.

Ai ka spikatur me lojën dhe profesonalizmin e tij, duke u bërë shembull frymëzimi, për brezat e rinj të aktorëve të teatrit ‘Migjeni’ dhe jo vetëm.

Në vlerësim dhe me mirënjohje për këtë kontribut të tij, vlerësoj zotin Agron Dizdarin me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Një emër shumë i shquar, i cili ka fituar zemrat e artëdashësve, jo vetëm shkodranë, por edhe të mbarë vendin është Nimet Begu, apo Salabegu.

Instrumentisti dhe këngëtari i njohur Nimet Salabegu e ka nisur karrierën me grupin ‘Na bashkoi kënga popullore’, grup që për shumë vite e dekada interpretoi një repertor të gjerë, më pjesë nga të gjitha trevat e vendit tonë.

Salabegu gjatë gjithë karrierës së tij të sukseshme i është përkushtuar me shumë dashuri këngës qytetare shkodrane dhe muzikës popullore shqiptare.

Prandaj në vlerësim të talentit dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm e të kontributit të tij të qenësishëm për artin tonë muzikor, kam kënaqësinë të vlerësoj Nimet Salabegun me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Artisti, poeti që do të vlerësojmë tani është Ramazan Çeka, një personalitet me kontribute të shumta, veçanërisht në fushën e artit muzikor. Gjatë punës së tij disa dekadëshe Ramazan Çeka është autor i mijëra teksteve të shumë këngëve, që janë kënduar në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare.

Ramazan Çeka është një nga poetët dhe publicistët më të shquar të qytetit të Shkodrës, i cili me penën e tij ka pasqyruar dhe përçuar vlerat kombëtare, në të gjitha trevat shqiptare dhe nëpër botë.

Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin dhe vlerat e tij si poet e publicist kam kënaqësinë të vlerësoj Ramazan Çekën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Personaliteti, që do të vlerësojmë tani, është një emër i njohur, jo vetëm në Shkodër e Malësi të Madhe, ku dhe ka lindur, por edhe në trevat shqiptare e në diasporë. Ai është shkrimtari, poeti dhe publicisti Ilmi Kurti.

Ilmi Kurti ka një kontribut të çmuar, në mbi tre dekada, në fushën e promovimit të vlerave historike, artistike dhe sportive të Malësisë së Madhe.

Shtatë librat e tij historikë, kushtuar Malësisë së Madhe dhe gjithë veriut të Shqipërisë, janë dëshmi e talentit dhe dashurisë së pakufishme për vendin e tij.

Prandaj në vlerësim të kontributit të tij dhe promovimit të shkëlqyer, veçanërisht të veriut të Shqipërisë, kam kënaqësinë vlerësoj Ilmi Kurtin me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Kam kënaqësinë të vlerësoj tani një zonjë të nderuar, një aktore që vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në teatrin ‘Migjeni’ Shkodër, zonjën Merita Smajaj.

Veprimtaria artistike e Merita Smajajt shtrihet në mbi katër dekada, duke sjellë realizimin e shumë roleve të arrira, si në teatër dhe në kinematografi.

Me punën dhe dedikimin e saj ka fituar dy çmime si aktorja më e mirë e festivalit për role protagoniste dhe, po ashtu, ka dhënë kontribut edhe në fushën e regjisurës e të gazetarisë.

Në vlerësim të kontributit të madh, në realizimin e shumë personazheve me profesionalizëm dhe cilësi artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj zonjën Merita Smajajn me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Zërin e ngrohtë të Adnan Balës e njohin të gjithë artdashësit shkodranë. Ai i ka kënduar me shumë dashuri Shkodrës së tij dhe e ka çuar këngën popullore shkodrane në shumë skena, brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria e Adnan Balës, e shtrirë në katër dekada, ka sjellë pjesëmarrjen e tij, në aktivitete të shumta lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prandaj në shenjë vlerësimi për talentin dhe përkushtimin e treguar për muzikën popullore shqiptare, veçanërisht për muzikën popullore shkodrane, kam kënaqësinë ta vlerësoj Adnan Balën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, vlerësoj një krijues dhe një instrumentist virtuoz, i cili për fat të keq nuk ndodhet fizikisht mes nesh, ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme për folkorin dukagjinas e më gjerë, Mhill Çun Gjonaj.

Mhill Çun Gjonaj për 50 vite ka hulumtuar dhe promovuar folklorin, kryesisht atë dukagjinas, ka shkruar mbi 250 tekste këngësh dhe ka qenë një nga rapsodët më të shquar e të spikatur të veriut të Shqipërisë dhe një nga zërat më autentikë të çiftelisë.

Prandaj në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm, në njohjen dhe përhapjen e folklorit dhe të kulturës popullore dukagjinase dhe shqiptare, vlerësoj sot Mhill Çun Gjonaj (pas vdekjes) me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh.’”