Jam i huaj me qëndrim të rregullt në BE e duhet të shkoj për njëfarë kohe në atdhe. Sa mund të qëndroj atje pa humbur lejen e qëndrimit?
Qytetarët jokomunitarë, me leje qëndrimi të vlefshme, mund të largohen përkohësisht nga territori Italian, ashtu si edhe titullarët e një lejeje BE për qëndruesit afatgjatë.
Largimi i të huajit nga territori I BE (Italian) lejohet nga ligji porbrenda disa kufijve kohorë maksimalë që janë të ndryshëm në bazë të kohëzgjatjes së dokumentit të qëndrimit që ka. Nëse kapërcehen këta kufij kohorë, i huaji mund të hasë probleme në fazën e përtëritjes apo të përditësimit të dokumentit të qëndrimit.
Titullari i lejes së qëndrimit BE për qëndruesit afatgjatë (e ashtuquajtura kartë qëndrimi) mund të qëndrojë jashtë territorit të Bashkimit Evropianpër një periudhë të vazhdueshme maksimale prej 12 muajsh. Nëse qëndron jashtë për më shumë se kjo periudhë, me ligj mund t’i hiqet dokumenti i qëndrimit (neni 9, paragrafi 7, germa d) e Dekretit Legjislativ 286/98).
Kush ka një leje qëndrimi të zakonshme për punë, motive familjare, studime etj. mund të qëndrojë jashtë Italisë për periudha më të shkurtra.
Nëse leja e qëndrimit është njëvjeçare, nuk mund të qëndrohet jashtë për më shumë se gjashtë muaj rresht. Nëse leja e qëndrimit është dyvjeçare, koha maksimale e qëndrimit jashtë territorit Italian është sa gjysma e periudhës së vlefshmërisë së lejes së qëndrimit, pra një vit (neni 13, paragrafi 4, DPR 394/99).
Vetëm nëse i huaji ka qenë i detyruar të qëndrojë për periudha më të gjata se të sipërpërmendurat jashtë territorit të Italisë për motive të rënda të dokumentuara si për shembull shtrime në spital apo kura rehabilitimi, apo për të kryer shërbimin ushtarak, ai ka të drejtën e përtëritjes së lejes së qëndrimit. Do të jetë e rëndësishme, sidoqoftë, të ruhen të gjitha dokumentet që dëshmojnë arsyet e qëndrimit të gjatë jashtë Italisë, madje ato duhet të jenë edhe të përkthyera e të legalizuara pranë Konsullatave italiane.
Nëse leja e qëndrimit skadon ndërsa i huai gjendet jashtë Italisë, ai mund të rihyjë duke kërkuarnjë vizë rihyrjeje pranë konsullatës italiane në Vendin ku ndodhet. Kujdes: leja e qëndrimit nuk duhet të ketë skaduar prej më shumë se 60 ditë. Vetëm për motive të rënda shëndeti të të interesuarit, të bashkëshortit apo të një të afërmi të gradës së parë (prindër apo bij) i huaji mund të kërkojë vizën e rihyrjes deri gjashtë muaj nga skadimi i lejes së qëndrimit.
Për kërkesën për vizën duhet paraqitur leja e qëndrimit e skaduar dhe konsullata do të verifikojë vërtetësinë e saj pranë Kuesturës që e ka lëshuar.
Viza e rihyrjes mund të kërkohet edhe kur qytetarit jokomunitar i është vjedhur apo i ka humbur dokumenti i qëndrimit, me kusht që të ketë denoncuar faktin pranë zyrave kompetente të shtetit ku ndodhet.
Av. M Salvatore
ITALI/ Me mbushjen e 18 vjeçëve, leje qëndrimi për motive familjare me kusht që një nga prindërit e tij të plotësojë kushtet e të ardhurave
Ja si mund të qëndrosh në Itali kur mbush 18-vjeç, dokumentet
Pas një muaji mbush moshën madhore, 18 vjeç. Kam leje qëndrimi për motive familjare (jetoj me prindërit) por nuk po studioj e nuk kam një punë të rregullt. Leja e qëndrimit po më skadon e doja të dija nëse mund ta përtërij prapë për motive familjare?
Në bazë të direktivës nr. 17272/7 të ministrisë së Brendshme të 28 marsit 2008 shtetasi jokomunitar që ka një leje qëndrimi për motive familjare, mund ta përtërijë, në mbushjen e 18 vjeçëve, gjithnjë për motive familjare, me kusht që një nga prindërit e tij të plotësojë kushtet e të ardhurave dhe të strehimit të kërkuara për bashkimin familjar. Kohëzgjatja e lejes së qëndrimit do të jetë sa ajo e prindit, sepse leja për motive familjare lëshuar të birit, është e lidhur me atë të prindit.
Kjo direktivë u drejtohet të gjithë atyre që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e parashikuara ng neni 32 i dekretit legjislativ 286/98 lidhur me përtëritjen e lejes së qëndrimit për motive studimi, pune apo pritje pune.
Jo gjithnjë të rinjtë, me mbushjen e moshës madhore, e kanë të qartë se ç’duan të bëjnë në të ardhmen e tyre. Mund të jenë akoma në mëdyshje se të nisin një punë apo të vazhdojnë studimet. Kjo gjë mund të sjellë varësi ekonomike të të riut në kurriz të prindërve që vazhdojnë t’i kenë në ngarkim. Me këtë direktivë u jepet mundësia e përtëritjes së lejes së qëndrimit të rinjve jokomunitarë që kanë ndërprerë studimet (apo nuk kanë mundur t’i vazhdojnë) dhe që në të njëjtën kohë nuk kanë një punë, por që kanë mundësinë të mbeten në ngarkim të prindërve.