Emigrantët e rinj ndeshen sërish me tmerre gjatë rrugës ballkanike

500
Një valë e re emigrantësh që kalojnë Ballkanin në kërkim të sigurisë në BE po sjell dëshmi të reja të dhunës dhe abuzimit që i pret sidomos gratë dhe fëmijët gjatë rrugës.

“Në kufirin midis Turqisë dhe Bullgarisë, një polic bullgar më kapi prej qafe dhe më rrëzoi përtokë. Pastaj më goditi me një plis të madh dheu këtu,” tha për BIRN një grua nga Afganistani në të tridhjetat e saj, duke treguar ijën e majtë.

Për shkak të dhunës që pësoi në kufirin bullgar, gruaja, e cila ishte gjashtë muajshe shtatzënë, humbi fëmijën e saj.

“Ky udhëtim më ka plakur,” tha ajo për BIRN duke psherëtirë rëndë e duke folur në kushte anonimati.

Ajo tha se u largua nga Afganistani për shkak të dhunës së madhe, vetëm që të përballej me të njëjtat probleme përgjatë “rrugës ballkanike”, e cila sipas saj ishte “shumë më keq sesa jeta e përditshme në Afganistan”.

“Çdo mëngjes duhet të marr ilaçe psikologjike dhe humba dhëmbët pas shokut të humbjes së fëmijës,” përfundoi ajo, me shikimin e përhumbur në zbrazëti.

Historia e saj është një nga dëshmitë e shumta të zymta të vuajtjeve të emigrantëve, të cilët përsëri po shtegtojnë përmes Ballkanit në një mot më të ngrohtë në rrugën e tyre drejt BE-së.

Gruaja që foli për BIRN në mars në një qendër emigrantësh në Preshevë, në jug të Serbisë, dukej se kishte humbur më shumë sesa foshnjën e saj. Ajo kishte humbur gjithashtu të gjitha ndjenjat e saj. Ajo foli për përvojën e saj të tmerrshme në një mënyrë që linte të kuptohej se s’kishte çfarë të humbiste më.

Krahas dëshmive të ngjashme nga emigrantë të tjerë, historia e saj tregon gjithashtu se zyrtarët e kufirit në Ballkan dhe individët që gjuajnë emigrantë vazhdojnë t’i keqtrajtojnë ata.

Andrea Contenta, një ekspert i të drejtave të njeriut me “Medecins Sans Frontieres”, MSF, në Serbi tha për BIRN se organizata e tij vlerëson se të paktën 42 emigrantë kanë vdekur gjatë rrugës ballkanike që nga muaji janar.

“Trauma e vërtetë është udhëtimi, jo vendet e tyre të origjinës,” tha ai, duke reflektuar një përfundim që e kanë arritur gjithashtu edhe shumë emigrantë.

Ai beson gjithashtu se “Serbia po bëhet një Kalais i ri”, duke iu referuar portit francez që u bë një qendër grumbullimi për emigrantët që nuk mund të vazhdonin rrugën e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, por nuk donin të ktheheshin pas.

Pasoja afatgjatë është se “kemi një brez të tërë në kufijtë e BE-së që ka mbetur pa arsimim, pa ndonjë ndihmë sociale dhe është margjinalizuar krejtësisht nga pjesa tjetër e shoqërisë,” tha Contenta.

Zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë theksojnë se institucionet europiane duhet të trajtojnë problemet kryesore në lidhje me emigrantët, por sidomos shkeljet e të drejtave të tyre themelore të njeriut.

Ka kaluar më shumë se një vit që kur Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje tepër të diskutuar me Turqinë që mbylli Rrugën Ballkanike.

Megjithatë, kjo s’e ndali plotësisht fluksin e emigrantëve që kalonin disa kufij të Gadishullit të Ballkanit. Aktualisht, 7,000 emigrantë kanë ngecur ende në 16 qendra pritjeje në Serbi.

Sipas UNHCR 59 për qind e emigrantëve të SISTEMUAR në qendrat e pritjes në Serbi janë gra dhe fëmijë. Shumë të mitur janë të pashoqëruar.

Ndërsa qeveritë europiane nuk arrijnë të bien dakord mbi një strategji të përbashkët për të trajtuar krizën e refugjatëve, gratë dhe fëmijët në rrugën ballkanike mbeten tepër të cenueshëm ndërsa një sezon i ri emigrimi po fillon.

Gratë që udhëtojnë vetëm dhe të miturit e pashoqëruar besohen se janë ata që janë më shumë në rrezik.

Ekspertë thonë se duhet të arrihet një strategji e përbashkët europiane në një nivel politik për t’u siguruar këtyre refugjatëve një rrugë të sigurt përmes Ballkanit dhe ata të mos lihen të mbështeten në zotësinë e tyre.

Policia bullgare kujtohet më tmerr

Pothuajse 90 për qind e emigrantëve afganë të pyetur, që kanë kaluar kufirin midis Turqisë dhe Bullgarisë, thonë se ata kanë dëshmuar apo kanë përjetuar abuzim dhe dhunë nga policia bullgare.

OJQ-të aktive në të drejtat e njeriut, siç është Human Rights Ëatch, kanë raportuar se zmbrapsjet dhe abuzimet janë të zakonshme në këtë kufi.

Në hulumtimin e vitit 2015 midis azilkërkuesve dhe emigrantëve nga Afganistani, Siria dhe Iraku të cilët u kapën në Bullgari dhe u kthyen në Turqi, Human Rights Ëatch raportoi 59 incidente të regjistruara që përfshinin keqtrajtim të emigrantëve midis marsit dhe nëntorit të atij viti.

Nga kjo shifër, 26 thanë se ishin rrahur nga policia ose ishin kafshuar nga qentë e policisë. Vetëm në një rast nga të gjitha këto, azilkërkuesit dhe emigrantët thanë se policia bullgare i kontrolloi ata dhe u vodhi paratë, celularët, ushqimin, pijet dhe sende të tjera, thuhej në raport.

Gjithashtu në vitin 2015, Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut raportoi se të gjithë emigrantët që kishin pyetur kishin raportuar një lloj keqtrajtimi në Bullgari.

Akuzat janë kryesisht të qëndrueshme dhe përfshijnë zhvatje, plaçkitje, dhunë fizike, përdorim të armëve, kërcënime për dëbim dhe sulme nga qentë e policisë.

Shumica e incidenteve ndodhën në zonat kufitare, kryesisht në kufirin me Turqinë, ku shumë refugjatë janë qëlluar me armë apo janë sulmuar nga qentë e policisë.

Situata për emigrantët nuk u përmirësua në vitin 2016, tha një raport i Oxfam, “Një lojë e rrezikshme”, i botuar po atë vit.

Ky raport përqendrohej në abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të raportuara nga emigrantët kryesisht nga Afganistani, por gjithashtu nga Pakistani, Siria dhe Iraku në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Bullgarinë.

Në të dhënat për abuzim përfshihen, ndër të tjera, policia bullgare “që kontrollon një grup emigrantësh dhe u merr atyre të gjitha sendet e tyre me vlerë, madje edhe këpucët, para se t’i kthejë ata përsëri në kufi,” thuhej në raport.

Arafati, një djalë tetë vjeçar që u largua nga Afganistani me vëllain e tij 15 vjeçar një vit më parë, duke shpresuar se do të arrinin në Austri, ku jeton njëri prej vëllezërve të tyre, tregoi një histori të ngjashme tronditëse, të cilën ai e përjetoi verën e kaluar kur ai dhe vëllai i tij u përpoqën të hynin në Bullgari nga Turqia.

“Policia na gjeti kur po kalonim kufirin bullgar. Ata na rrahën dhe mua më sulmoi një nga qentë e tyre,” tha Arafati për BIRN, duke treguar shenjën që një qen policie i kishte lënë në kraharor.

Sot Arafat është më i riu nga 65 të mitur të pashoqëruar që ndodhen aktualisht të vendosur në qendrën e emigrantëve në Krnjaca në Serbinë qendrore.

Arafati nuk e kupton qartë udhëtimin që ai dhe vëllai i tij bënë, por ai e di se atyre iu deshën rreth dy javë që të arrinin nga Bullgaria në Krnjaca. Ai e di se vëllai i tij më i madh u desh të paguante ca para. Ai nuk e di saktësisht se sa para, sepse thotë se “këto janë gjëra të rriturish”.

Ai dhe vëllai i tij kanë qëndruar në Krnjaca për më shumë se gjashtë muaj dhe tani ai duhet të kujdeset për vëllain e tij më të madh, i cili vuan nga probleme psikologjike të shkaktuara nga dhuna që ata të dy kanë duruar gjatë udhëtimit të tyre.

“Unë dua thjesht të shkoj në shkollë dhe të kem një jetë normale,” tha ai për BIRN.

Njësoj si të gjithë të miturit e tjerë të pashoqëruar, Arafati tani është nën mbikëqyrjen e një kujdestari ligjor të caktuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë për ta përfaqësuar atë ligjërisht dhe që duhet ta ndihmojë atë nëse Arafati aplikon për azil në Serbi apo vazhdon udhëtimin e tij.

Dhuna i përndjek viktimat me vite

Problemet fizike dhe/ose mendore të shkaktuara nga dhuna që ata vuajtën apo qenë dëshmitarë janë të përhapura midis emigrantëve në qendrat e pritjes në Serbi.

Ekspertët thonë se pasojat e një dhune të tillë mund t’i përndjek viktimat dhe familjet e tyre për vite me radhë, ndonjëherë edhe gjithë jetën.

Malika, një grua që u largua nga Afganistani në shkurt 2016 dhe që tani është në kampin e Preshevës në Serbinë jugore, mbërriti në Serbi përmes Bullgarisë pasi ajo dhe burri i saj u përpoqën të lundronin drejt Greqisë.

Ata nuk mbërritën dot atje sepse anija e tyre u mbyt në Egje. Kur ata më në fund arritën në Bullgari në maj 2016, Malika u abuzua nga policia bullgare pasi ata e arrestuan atë në pyll ndërsa kalonte kufirin nga Turqia.

Kur policia e ndaloi atë, ata e detyruan të bënte striptizë që ta kontrollonin. Kur ajo refuzoi, atëherë policia e kërcënoi.

“Kur u ofrova 20 euro që të mos më kontrollonin, ata kërkuan më shumë, por ato para më duheshin për udhëtimin tim,” kujton ajo. Përfundimisht, policia ia gjeti paratë dhe ia mori.

“Këtu në kamp gjendja ime shëndetësore po përkeqësohet nga dita në ditë. Po çmendem fare këtu. Çdo mëngjes ata më hapin ilaçe dhe tani më duket sikur po rrëzohem,” tha jo për BIRN, duke shtuar se pavarësisht problemeve të saj, ajo duhet të kujdeset edhe për të shoqin, i cili filloi të paraqiste probleme mendore gjatë udhëtimit nga Afganistani.

Sipas një Raporti të Analizës Gjinore mbi sistemin e azilit serb në vitin 2016, të publikuar nga Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Oxfam dhe UN Ëomen, numri i emigrantëve që udhëtojnë vetëm përgjatë rrugës ballkanike është në pritje.

Ata zbuluan se 56 për qind e 226 grave të pyetura ishin gra beqare me fëmijë.

Sonja Toskovic, një nga autoret e raportit, tha se shumë gra beqare nuk shfaqen nëpër statistika dhe prandaj janë jashtë sistemit, duke i bërë ato edhe më të cenueshme.

“Një grua e vetme duhet të jetë gati për gjithçka. Ne e dimë që jemi të forta dhe mund të tolerojmë shumë, por do t’i rekomandoja të gjitha grave që ndërmarrin këtë rrugë të mos udhëtojnë vetëm,” tha në mars për BIRN një tjetër grua afgane, kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për të ndarë me gratë e tjera që kishin në plan të ndërmerrnin rrugën ballkanike.

Një nënë e katër fëmijëve, tani në mes të tridhjetave, u largua nga Afganistani në vitin 2015 dhe tani është në qendrën e Preshevës pas një udhëtimi që zgjati 16 muaj,

Atina është një nga OJQ-të dhe organizatat në Serbi që ofrojnë mbështetje psikologjike për gratë viktima të abuzimit në rrugën ballkanike.

Megjithatë, kjo është e vështirë, pasi është e vështirë të kontaktosh me gra të gatshme që të flasin për abuzimet që kanë përjetuar.

Zakonisht, ato preferojnë të mos i përjetojnë përsëri ato eksperienca të zymta. Ato druhen gjithashtu nga turpi që do të duronin midis bashkatdhetarëve të tyre, nëse historitë e tyre bëhen publike.

Nëpërmjet një prej projekteve të tyre, Atina në vitin 2016 ofroi shtëpi të sigurta për 55 gra viktima të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe ndihmë për 196 emigrantë nga kampet e pritjes.

Jelena Hrnjak nga Atina raporton se nga më shumë se një milion emigrantë që kanë kaluar Serbinë, shteti serb deri më tani ka identifikuar vetëm tre viktima të trafikimit njerëzor. Hrnjak thotë se ky numër është shumë larg realitetit.

Një tjetër projekt i promovuar nga Atina është “Letra të Hapura”, një mjet që gratë mund ta përdorin për të ndarë anonimisht eksperiencat dhe mesazhet e tyre.

Qëllimi i tij është t’i japë zë disa prej individëve të brishtë që kërkojnë një jetë të re dhe më të sigurt.

Nga 74 letrat e mbledhura, njëra, e dërguar nga një grup refugjatesh siriane që ia dolën të arrinin në Gjermani, i bën thirrje të gjitha grave emigrante të qëndrojnë të forta. “Kini durim! Mos e lini veten të lodheni apo të humbni shpresë,” shkruhet në të.

Ky artikull u publikua në gazetën dy javore të BIRN Belgrade Insight. Këtu mund të gjeni një kopje të tij.
Sigal