Elmaz Puto: Në kujtim të mjekut humanist Vasil Jorgji

733
Sigal

Në historinë e mjekësisë së Gjirokastrës, gjen shumë mjekë të talentuar dhe të mirënjohur në të gjithë vendin; Por pediatri Vasil Jorgji përveç aftësive profesionale, u dallua më shumë se të tjerët, për humanizmin e tij hipokratik. Ai ishte dhe mbeti model i rrallë i njeriut të mjekësisë, që për jetën e fëmijëve, nuk kurseu jetën e vet. Për 32 vjet rresht që nga viti 1946 pak kohe pasi kishte mbaruar studimet në Itali dhe gjer ditën e fundit të jetës, ishte “perëndia” e mjekëve bashkëpunëtorë të tij dhe prindërve të fëmijëve të sëmurë që ai shëronte. Prandaj sa ishte gjallë populli e respektoi në maksimum dhe pas vdekjes nuk e harroi kurrë.

Jeta dhe njerëzit si shërbestarë të saj, natyrshëm mbeten pazgjidhmërisht përballë njeri tjetrit. Njeriu është i detyruar të sakrifikojë për jetën edhe pse në shumë raste ajo e dënon rëndë pjellën e vet. Gjithësesi ai bën gjithshka që asaj ti shërbejë gjer në fund të ekzistencës së tij. Ky virtyt, është nderi më i lartë që i bëhet qënies njerëzore. Në përgjithësi njerëzit e shquar, sakrifikojnë për të tjerët dhe mendojnë më pak për jetën e tyre. Një i tillë ishte dr. Vasil Jorgji. Dhuntitë që i dha natyra dhe aftësitë prej shkencëtari, i përdori në mënyrën më të përsosur, pa u kursyer, në ndihmë të qytetarëve të vendit të vet.

Dr. Vasili erdhi në jetë nga një baba me kombësi greke dhe nënë me kombësi shqiptare dhe si të thuash, do të personifikonte edhe unitetin e shkëlqyer që ka ekzistuar në shekuj, midis shqiptarëve dhe pakicës greke në Shqipëri, unitet ky që nuk u përça e trondit as në kohët më të vështira të marrdhënieve shqiptaro- greke.

Profesori i mjekësisë ishte njeri me shumë kulturë. 55 vjet më parë, kur isha sekretar i rinisë i një rrethi nga më të kulturuarit e vendit, siç ishte dhe është Gjirokastra, në bisedat me tema nga më të ndryshmet që bëja me të, admiroja kulturën prej eruditi të ketij njeriu. Me kulturën e tij perëndimore, me dashurinë e pamatshme për fëmijët, me humanizmin, cilesi këto që e shoqëruan gjer në fund të jetës së tij, ai u tregoi të tjerëve çdo të thotë të jesh mjek dhe si duhet të jetë emblema e mjekut!

Edhe pasi pësoi infraktin e parë në fillim të vitit 1967, kur duhej të punonte me orë te reduktuara, ai vazhdoi me të njëjtën ngarkesë, sa në spital, në poliklinikë dhe në shtëpi kur familjarë i çonin fëmijë për vizitë. Sado i lodhur që mund të ishte, kurrë nuk ktheu mbrapsh pa e vizituar një fëmijë të sëmurë!

Doktori sigurisht ishte burrë i zgjuar. Tri gjëra e bëjnë njeriun të fitojë respektin dhe admirimin e të tjerëve: bën vetë atë që këshillon të tjerët të bëjnë, nuk bën asgjë që është në kundërshtim me të vërtetën, është i durushëm me dobësitë e të tjerëve, tek të cilët shikon më të mirën. Këto i thonë ish kolegët, bashkëpunëtorët dhe nxënësit e tij. Askush prej tyre nuk ka shprehur një mendim të kundërt. Doktori ishte dhe i pashëm nga paraqitja jashtme, por atë më shumë e zbukuronte modestia, edukata qytetare dhe thjeshtësia.

Mardhëniet e dr. Vasilit me kolegët dhe vartësit ishin nga më të përkryerat. Të gjithë i njihnin aftësitë profesionale të tij si mjek në tërësi dhe pediatër në veçanti. Mësonin dhe nga thjeshtësia e tij, narcizmi ishte i huaj për të, prandaj kolegët e dëgjonin me respekt siç i dëgjonte dhe ai. Për mjekët e rinj që ishin në hapat e para dhe porsa kishin veshur bluzën e bardhë, çdo fjalë inkurajuse e doktor Vasilit ishte një qiell premtus për të ardhmen e tyre. Ishte mësues i përkryer për ta. Sipas Leo Buskala, profesor i pedagogjisë dhe filosofisë në Kalifoninë veriore të SH,B.A.: “ Mësues me tërë kuptimin e fjalës është ai që bëhet urë për të kaluar matanë nxënësin e tij dhe mbasi i ka lehtësuar kalimin, e rrëzon atë urë, duke inkurajuar nxënësin të ndërtojë vetë urat e tij!” Ndërtimi i urave “ nga njerëzit e mëdhenj janë sinonim i jetës dhe doktori ynë dinte si të ndërtonte ura të tilla, prandaj nuk u kursye kurrë për të transmetuar dijet e tij tek të tjerët.

Në mjedisin e dr. Vasilit, u formuan fatlumtur mjaft mjekë pediatër gjirokastritë dhe nga rrethe të tjera si Reiz Baboçi,  Avdulla Beci, Polo Rami, Andrea Gudha, LLambi Dilo, Eleni Loli, Vojsava Aliko, Eli Tefa, Liljana Sala, Shefko Sejdo, Violeta Bashimi, Mikail Spiro, Faik Pashollari, Gëzim Kotori, dhe shumë të tjerë. Në shkollën e tij u përgatitën me qindra specialiste për shërbimin e nënës dhe fëmijës. Bashkëkohës dhe bashkëpunëtorë të tij, mjekë të talentuar si Adem Harxhi, Filip Kote, Jani Rafti, Izet Çulli, Jorgo Kaçi, Hodo Çela, Vegjeni Çela, Kristo Pandovski, Teli Gushi etj. do të mësonin shumë nga aftësitë dhe përvoja e doktor Vasil Jorgjit.

Doktori ishte njeri i shkencës. Literatura e bollshme në gjuhën franceze, italjane dhe greke që dispononte në biblotekën e tij, të siguruara qysh kur ishte student, të tjera të blera në vite si dhe revistat shkencore që i vinin nga Universiteti I Bolonjës, e ndihmonin të lartësohej profesionalisht dhe të ishte bashkëkohor. Për arsye nga më të ndryshmet të rejat e shkencës, nuk mundi t’i realizonte siç dinte dhe donte ai. Ishte më i aftë dhe më inteligjent nga sa reflektonte!

Besoj se personalitetit të dr.” Vasilit të Vogël” siç i fliste populli, për ta dalluar ate nga mjeku kirurg gjinekolog që quhej “Vasili I Madh”, do ti shkonte shumë për shtat një shprehje e Shekspirit që thoshte “   Para se të flisni dëgjoni, para se të shkruani mendoni, para se të urreni dashuroni, para se të hiqni dorë provoni dhe para se të vdisni jetoni”! Dhe doktori ynë, i dëgjonte me vëmëndjen më të madhe prindërit e pacientëve te tij para se ti këshillonte ata, me kolegët mund të fliste shumë, por ato që ju thoshte i kish të menduara mirë, ato që shkruante do të ishin të provuara dhe do të mbeteshin si dokument me vlerë, pacientëve ju shërbente njëlloj pamvarësisht nga pozita shoqërore që zinin, nuk u trëmbej rreziqeve dhe kishte kurajon të provonte të pamundurën, iku para kohe, por për aq sa jetoi, bëri histori dhe mbeti legjendë.!

Ne bashkëkohësit që e kemi njohur atë, e dimë mirë që në Gjirokastër asokohe askush nuk e kishte reputacionin dhe autoritetin e tij tek qytetarët. Këtë reputacion dhe autoritet ai e pat fituar jo nga ndonjë nomenklaturë partiake apo shtetërore, por nga aftësitë profesionale dhe cilësitë e rralla njerëzore siç ishin: urtësia në marrdhëniet me qytetarët hallexhinj, puna e palodhur për ti shëruar fëmijët që ai i donte kaq shumë dhe përpjekjet e jashtëzakonëshme për të shpëtuar qindra jetë. Fakti që në shumë referate të tij flet për propagandën mjekësore tregon sa rëndësi i jepte ai edhe edukimit mjekësor të popullit .”Nëse duam që populli të mos sëmuret-shkruante ai –duhet ta mësojmë atë si të rrojë dhe si të ruhet nga sëmundjet” Por dihet që efektet e kësaj propagande janë të pamjaftushme në rast se ato nuk shoqërohen me masa organizative dhe detyrim ligjor. Dhe prandaj doktori ishte kurdoherë në rolin kryesor organizus, për vaksinimin e detyrushëm të fëmijëve dhe të gjithë popullit, për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse si tuberkulozi, fruthi, difteria, tifoja abdominale etjj. që asokohe ishin shqetësuse.

Dr. Vasili nuk punoi për të marrë poste shtetërore dhe tituj. “Nuk e nderojnë titujt njeriun– thoshte shekuj më parë Makiaveli – njeriu i nderon ato”! Kur organet shtetërore ju japin dekorata si psh. titull “Qytetar Nderi”apo “ Mjeshtër i Madh” personaliteteve që e meritojnë atë, ato tituj marrin vlerë dhe e kundërta kur për arsye nga më ordineret u jepen tituj nderi njerëzve mediokër apo pa merita të veçanta siç ka ndodhur jo rrallë herë, (dëgjojmë të flitet shpesh) titujt degjenerojnë! Ndërsa Bashkia e Dropullit e ka bërë doktor Vasiln  “Qytetar Nderi”, Bashkia e Gjirokastrës ku ai shërbeu gjithë jetën e tij e ka të ”mbushur listën dhe s’ka gjetur dot vend” për një ikonë të mjekësisë siç ka qënë dr. Vasil Jorgji. Shpresoj që kryetari aktual i bashkisë të korrigjojë ndonjë “harresë” të paraardhësve të tij!

Ndarja nga jeta e dr.Jorgjit në atë kohë, ishte një traumë për mjekësinë në Gjirokastër. I jashtëzakonshëm ishte nderimi që populli i bëri për ti dhënë lamtumirën e fundit doktorit të vegjëlisë. Rrallë kishte ndodhur që në një ceremoni varimi të kishte kaq shumë njerëz, jo vetëm qytetarë të Gjirokastrës por edhe nga fshatrat dhe rrethe të tjera, siç ndodhi atë ditë kur u përcoll, për në banesën e fundit doktor Vasili. Në ceremoninë mortore nuk munguan as fëmijët që kishin dalë ndanë rrugës, për ti dhënë lamtumirën shpëtimtarit të jetës së tyre. Populli në shënjë respekti, e mbajti në krahë arkivolin e tij, nga shtëpia gjer në vareza!

Ditën e varimit të doktorit tonë, ndodhi një paradoks…! Populli i jepte lamtumirën mjekut human dhe shumë të dashur të tij, udhëheqja e rrethit bënte mbledhje…Titullarët e rrethit u kujtuan të ngushëllojnë familjen, vetëm kur mësuan se personalitete shtetërore nga Tirana kishin dërguar familjes së doktorit, telegrame ngushëllimi…..!

Mohuesit totalë të vlerave të periudhës së socializmit, në sendërtimin e jetës së popullit tonë, midis të tjerash në sektorin e shëndetësisë, nuk lënë baltë pa hedhur, duke u munduar ta paraqesin çdo gjë të zezë! E vërteta është se në atë kohë shqiptarët, shërbimin shëndetësor e kishin falas, spitalet dhe poliklinikat funksionin si të tilla për të gjithë qytetarët pa përjashtim. Askujt nuk i binte ndërmënd, pale të tentonte të kërkonte ose të jepte shpërblim të jashtëligjshëm. Në çdo cep të vendit kishte mjekë dhe personel të mesëm mjekësor, që i shërbenin të sëmurëve si shërbëtorë të denjë të tyre. Puna vetmohuese dhe plot pasion e punonjësve të shëndetësisë, sakrificat dhe humanizmi I tyre edhe në kushtet e mungesave të disa aparaturave moderne bashkëkohore, ishte për tu admiruar!

Në ditët e sotme, humanizmi, solidariteti, drejtësia shtetërore dhe shoqërore, janë plagosur nga kapitalizmi primitiv i kohës dhe nga e keqja më e madhe e këtyre 30 vjetëve të tranzicjonit, nga korrupsioni. Kur babëzia për fitime me çdo mjet, pa përfillur jo vetëm ligjet e shtetit, por dhe çdo lloj norme elementare të etikës, moralit dhe dashurisë njerëzore, figura të tilla të humanizmit dhe ndërgjegjes së lartë profesionale si ajo doktor Vasil Jorgjit, bëhen më madhështore, më të ndritshme, më frymëzuse.

Urtësia e popullit na mëson, se pa u pastruar më parë organizmat e shtetit nga “rrjetat e merimangës” që i kanë kapluar ato, pa u pastruar “shushunjat që i pinë gjakun” njerëzve të varfër dhe hallexhinj, nuk mund të ketë as shëndetësi falas e as mirëqënie për shumicën e popullit dhe nëse nuk derdhen lumenj djersë.

Që nga koha kur Profesor Vasil Jorgji u nda nga jeta, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë në vazhdimësi, me përparimin e shkencës dhe në mjekësi, me paisjen me aparatura moderne, në metodat e reja për ndërhyrjet kirurgjikale, në komunikimin dhe marjen e përvojës më të mirë nga bota e internetit etj. Por sado të përparojnë shkenca dhe dijet, sado të përsoset teknika dhe teknologjia, vendimtare në mjekësi mbetet dashuria njerëzore, komunikimi i afërt me pacientin, pasioni për profesionin e bukur të mjekut, humanizmi. Pikërisht ky ishte dhe mesazhi që la doktor Vasil Jorgji, me punën, sjelljen, vetmohimin dhe personalitetin e tij.