Ekzekutimi i Nelgert Patës, viktima duket se e priste ekzekutimin, ja telefonatat e fundit

614
Sigal

Atentati për ekzekutimin e 34-vjeçarit nga Tepelena, Nelgert Pata, dyshohet se po organizohej prej të paktën një muaji.
Edhe 3 ditë para se të ndodhte ngjarja në Fier, Pata ishte ndjekur nga autorët e dyshuar në Tiranë.
Autorët e vrasjes duket se po studionin çdo lëvizje të tij, në mënyrë që të mos gabonin si radhën e parë, kur edhe pse u përdor një armë me preçizion të lartë, ai arriti të shpëtojë vetëm me një gërvishtje në vesh.
Ka qenë vetë viktima, që brenda tri javëve të fundit, edhe pse ishte person në kërkim policor, i ka telefonuar vetë Policisë, duke i paralajmëruar se donin ta vrisnin, raporton “Panorama”.
Në një rast në Fier e në një tjetër në Tiranë, Nelgert Pata ka telefonuar në sallën operative duke thënë se persona të dyshimtë e ndiqnin ngado që shkonte dhe po mbahej nën vëzhgim për ta eliminuar.
Por pas telefonatave, ai largohej menjëherë nga adresa që i jepte Policisë dhe menjëherë pas tij largoheshin edhe “të dyshuarit”, që ai pretendonte se do ta vrisnin.
Nisur nga ngjarja e ndodhur më 21 gusht të këtij viti në kryeqytet, Policia e Tiranës po bashkëpunon ngushtë me atë të Fierit, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Ndërsa pista kryesore e ngritur nga grupi hetimor është ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes dy grupeve nga Tepelena, të Elton Çiçës dhe Jani Alisë, i cili është në kërkim për vrasjen e Çiçës.
NGJARJA
Makina ku viktima Nelgert Pata po udhëtonte në vend të parë si pasagjer ndodhej në vendin e quajtur “Qenas”, lagje në periferi të qytetit të Fierit, kur është qëlluar me breshëri automatike. Në timon rezulton të ketë qenë miku i tij, Ari Halinani.
Policia nuk ka të dhëna se për ku ishin nisur dhe pse Pata ndodhej në një automjet të tillë. Kjo pasi për shkak të precedentëve dhe ngjarjeve të ndodhura së fundmi (pak kohë më parë iu bë një tjetër atentat në Tiranë) 34-vjeçari tepelenas lëvizte vetëm me mjete të blinduara, raporton “Panorama”.
Nga verifikimi i targës së mjetit rezulton se është në pronësi të një shtetasi me inicialet K.K. Por ka dyshime se targa është false dhe nuk i korrespondon mjetit të shënjestruar dje. Ngjarja ka ndodhur në sy të dhjetëra kalimtarëve e personave që kanë biznese aty rrotull.
Ata janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa sipas të dhënave do të kërkohen kamera të mundshme sigurie, të cilat mund të ndihmojnë hetimin dhe identifikimin e autorëve.
Këta të fundit janë larguar me shpejtësi, pasi kanë konstatuar se shënjestra e tyre kishte ndërruar jetë dhe rreth 7 km larg vendit të ngjarjes, në Zhupan, kanë djegur “Benz”-in me të cilin kanë lëvizur.
Në mjet u gjetën edhe dy armë automatike, me të cilat dyshohet të jetë qëlluar viktima. Sipas burimeve të Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 30 gëzhoja. Viktima ka marrë disa plumba në trup dhe kokë çka i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Gëzhojat janë dërguar në laborator për të verifikuar nëse është qëlluar me njërën armë, apo me të dyja dhe nëse me të njëjtat armë janë kryer krime të mëparshme.
Policia po heton në disa pista, por dyshimi kryesor është hakmarrja pas disa ngjarjeve e atentateve me viktima e të plagosur që kanë ndodhur në Tiranë.