Firmat e skrapit thirren ‘nën armë’ nga “Kurum”

769
Një barbari e madhe dhe e paparë po ndodh prej një jave në 12 ish-objektet e ish-Kombinatit Metalurgjik Elbasan. Firmat e skrapit me punëtorë të paguar 5 mijë lekë të vjetra dita, u janë turrur objekteve dhe po i shembin si çakenjtë, duke u marrë atyre fillimisht hekurin dhe pastaj tullat dhe gjithçka tjetër, sikur të ishte mall pa zot. Ismet T. një biznesmen që para pak muajsh ka blerë një objekt të tillë të braktisur dhe e ka kthyer në pike shërbimi tregoi për “Telegraf” se “prej një jave, turma njerëzish sikur të ishin barbarë, u janë turrur objekteve që janë pranë nesh dhe po i zhveshin nga hekurat, tullat, shtyllat, duket tamam si skenë lufte, sikur të jenë ushtarët e ISIS që shkatërrojnë pronën e përbashkët, pasi ato realisht janë pronë e shtetit, dhe kur ne i pyesim na thonë se “paguhemi nga firmat e skrapit me 5 mijë lekë të vjetra”. Pas orës 16.00 vijnë automjete të mëdha me targa false ose pa targa, mbushen me hekurin e objekteve, tullat dhe shtyllat e godinave dhe nisen në drejtime të panjohura. Personi që tregoi për gazetën tha se “ditën e parë mora dhe njoftova policinë, por derisa isha në punë pasdite vonë atje nuk erdhi asnjeri, ndaj dhe vendosa të hesht, por shteti nuk duhet të tregohet indiferentë, duhet të ndërhyjë, kjo është barbari pavarsisht se ata të shkretë janë hallexhinj dhe shfrytëzohen nga mbledhësit piratë të skrapit”. Dhe firma e vetme në Shqipëri që merret përdorimin e hekurave është ajo e “Kurum”, e cila ka një mal me dosje shkeljesh e skandalesh, gjoba të papaguara, etj. Interesimit tonë pranë Qarkut dhe Prefekturës zyrtarët ju përgjigjën se “ne nuk jemi dhe nuk kemi lidhje fare me objektet e braktisura të ish-Kombinatit Metalurgjik, ato i ka nën pronësi AKKP ose dikasteret qeveritare, ato duhet të kujdesen për ruajtjen e tyre”. Neglizhenca është hapur fare, është dhe fatale për objekte të cilat mund tu jepen si kompesim ish-pronarëve ose të shiten dhe paratë të përdoren nga shteti për mbylljen e probleme të shumta sociale që ka sot Elbasanit. Grabitësit e hekurit dhe tullave punojnë nga mëngjesi deri në orët e vona të pasdites, pavarësisht vapës. Objekte gjigande të ish-uzinave dhe fabrikave të ish-Kombinatit Metalurgjik po shemben sikur të mos ishin atje kurrë. Ato janë ndërtuar nga qeveria shqiptare në vitet 1964-1974, me ndihmën e specialistëve kinezë, por që marrja dhe përdorimi i atij hekuri, apo edhe tullave përbën një rrezik serioz për jetën e njeriut. Fationa Ballhysa ish-kimiste e uzinës së Çelikut tha se “marrja, shkrirja dhe përdorimi tyre në ndërtime përbën rrezik serioz, edhe përdorimi tullave pasi mund të kenë përbërës dhe perqindje të rrezikshme radioaktiviteti dhe helmesh, ndaj duhet ndalur kjo badërrdi nga e cila mund të kemi edhe humbje jete”. Por lajmi për “fitimin e 5 mijë lekëshit në ditë” prej 2 ditësh nuk po kursen edhe afrimin e fëmijëve të zonës, nga Bradasheshi, Shijoni dhe Vidhasi. Edhe ata i janë turrur magazinave dhe objekteve të braktisura për të marrë hekur dhe për ta shitur për të fituar ndonjë lekë për familjen. Prej 25 vitesh banorët e komunës së Bradesheshit, pjesa më e varfër e tyre, kryesisht ato rome, rrëmojnë dhe jetojnë me shitjen e hekurit që marrin ilegalisht nga ish-objektet e ish-Kombinatit Metalurgjik Elbasan. Por gjithë kjo dukuri e pazakontë që po ndodh atje, natyrisht ka patur edhe viktimat e veta. Vitin e kaluar soleta e një objekti zuri poshtë dy të rinj romë, të cilët ishin duke zhvashur dhe duke prishur muret e larta për të marrë hekurin e tyre. Mbetet detyrë urgjente e organeve vendore dhe dikastereve qëndrore, të marrin në mbrojtje këto objekte të braktisura, t’i monitorojnë dhe t’i japin një zgjidhje ligjore ekzistencës së tyre, pasi gjithçka që po ndodh atje ka shijen e keqe të mungesës së shtetit ligjor dhe ndjelljes së fatit të keq për viktima të tjera nga shitja ilegale e skrapit, për të nxjerrë paratë e bukës së gojës.
Sigal

Ilir Dyrmishi