Eksperti i kriminalistikës, Miltiadh Muçi: Digjitalizimi i vitit 2020 dhe shkatërrimet e vitit 2021 në bregdet

402
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Me qindra Mihalë i kanë zaptuar plazhet me forcë, pasi asnjë kryetar bashkie nuk është penalizuar

Afrojnë dy vjet nga ngjarja e turpshme në bregdetin e Porto Palermos që u komentua jo vetëm nga opinioini shqiptar, por dhe ai i huaj, me mendime nga më të ndryshme. Shumë bënë fajtorë Mihalin e Qeparoit, që nisi të pushtojë gjirin e bukur të Shën Kollit, hapësirat publike të bregut të detit, ku ndërtoi edhe molin për mjetet e lundrimit. Skenat që pamë në ekranet televizivë, si në asnjë nga ato të filmave të Hollivudit, treguan çfarë përbindëshi ishte biznesmeni i Qeparoit ndaj vizitorit nga Spanja, i shoqëruar me familjarët. Për ngarjen e ndodhur m’u desh të botoja shkrimin “Biznesmeni i Qeparoit, vizitori i Spanjës  dhe ish-Drejtori i Agjencisë Kombëtare  të Bregdetit”, ku midis të tjerave shkruaja se, ajo që më la mbresë ishin, sjellja dhe qëndrimi i vizitorit spanjoll të pasur dhe person publik në Spanjë, që preferoi të vinte si vizitor i zakonshëm. Ai e tregoi se ishte një dashamirës që preferoi të pushojë në bregdetin tonë të jugut, duke lënë atë të gadishullit Iberik, të cilin e frekuentojnë vizitorë nga e gjithë Bota”.

Edhe pas dy vjetësh kujtoj komentet e ish-Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, që në analizën në median e shkruar të ngjarjes së Qeparoit, arriti në përfundimin se ka pasur dhe ka Mihalë të tjerë. Në shkrimin e gazetës “X” ai thotë: “U desh Mihali për të treguar në çfarë situate është realisht industria jonë turistike…”

Ndërsa kryeministri Rama, që e vendosi dhe e mbajti për katër vjet drejtorin mik të tij, pas “aksionit për lirimin e plazheve të zaptuar” dhe ngjarjes së Qeparoit me ”vizitorin spanjoll”, tha: “Në vitin 2020 do të nisë digjitalizimi i vijës bregdetare, që do të përmirësojë monitorimin dhe respektimin e kritereve ligjorë për përdorim, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërorë e privatë, lënien e plazheve publike pa pagesë, kryerjen e veprimtarive turistike në zonën bregdetare”, si shpëtim të moszaptimit të bregdetit nga Mihalët e tjerë të jugut dhe veriut.

Dhe përsëri kryeministri Rama merret me operacione për lirimin e bregdetit nga ndërtimet me betonarme, të ngritur rishtaz pa leje. Pra, sa duket edhe nga “mrekullia e digjitalizimit”, bregdeti nuk e gjeti qetësinë. Por këtë radhë, më parë ai ju bëri thirje zaptuesëve të bregut të detit: “Merrni masa tani, nesër është vonë” dhe ju kujton Kodin Penal se,Nga inxhinieri deri tek punëtori më i fundit, me kodin e ri penal janë pjesë të zinxhirit së fajësisë. Nuk mund të thuash që unë jam punëtor, më morën dhe nuk di se çfarë bëj, sepse është njësoj si të thuash që unë jam punëtor, më morën për të transportuar miell por ishte kokainë”. Ndërsa ndaj përfaqësuesëve të pushtetit asgjë.

Ky vendim i tij më ktheu në fillimin e mandatit të parë, kur preu energjinë elektrike të qindra familjeve në nevojë, pa i rimbursuar më parë. Dhjetra prej tyre i burgosi, ndërsa me konsumatorët e mëdhenj nuk u mor asnjëherë. Edhe tashti e keqja e madhe është tek punëtorët, dhe përsëri më kujtohet çfarë tha dy vjet më parë ish-Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit: “…Me qindra Mihalë i kanë zaptuar plazhet me forcë, … deri sa asnjë kryetar bashkie nuk është penalizuar, për mbylljen e syve ndaj Mihalëve të plazheve tona”.

E mbyll shkrimin me çfarë nuk mund të linte pa thënë Ministri i Rendit Çuçi: “… kemi filluar punën për evidentimin e ndërtimeve … Është bërë një evidentim i plotë, kemi listën në mënyrë që të fillojmë pastrimin e rrugëve nacionale.” Por akoma nuk e kuptoj se, cila prej tyre është e vërteta Zoti Ministër. Ka filluar puna për evidentimin e ndërtimeve pa leje, apo evidentimi është bërë i plotë?

Aksioni i nisur për të çliruar vijën bregdetare po tregon se, digjitalizimit paska qenë vazhdimi i zaptimit të zonave bregdetare shqiptare, jo lirimi i tyre!