Ekzekutimet mafioze në Vlorë, ja kush pritet të shkarkohet

385
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pas ngjarjeve tronditëse të njëpasnjëshme të ndodhura në Qarkun e Vlorës dhe duke filluar që nga muaji maj, është folur dhe ka patur komente të shumta, përsa i përket ndryshimeve që mund të bëheshin në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, duke filluar që nga drejtuesi më i lartë i saj, Shefi i krimeve, i cili nuk ka zbardhuar apo parandaluar akoma ndonjë ngjarje dhe Drejtori i Qarkullimit Rrugor, pasi asnjë nga makinat të cilat kanë kryer atentat nuk janë kapur dhe kanë përfunduar të djegura jashtë Qarkut të Vlorës, edhe në dalje të Vlorës vendosen postblloqe.

Aktualisht, nuk ka ndodhur një gjë e tillë, edhe pse komunikimet kanë qenë të shumta, kjo lidhur drejtpërdrejtë me ngjarjet e fundit kriminale, por njëkohësisht edhe për atë që mbetet temë e nxehtë në Vlorë, e cila është kultivimi i lëndëve narkotike. Këto dy tema janë ato që kanë vënë në dyshime pozicionin e drejtuesve të lartë të Policisë në Vlorë. Dhe ajo që nuk dihet është se, cila çështje duhet diskutuar më tepër, ajo e ngjarjeve të rënda kriminale siç janë ekzekutimet, ku vetëm gjatë vitit 2021 janë rreth 10 apo 11 ngjarje të rënda duke përfshirë dhe ngjarjen e mbrëmjes të së dielës, ku një 46-vjeçar u ekzekutua me breshëri plumbash në Ksamil.

Çështje tjetër, është dhe lufta kundër narkotikëve, ku çdo ditë ka raportime nga ana e bluve të Vlorës, për persona të cilët arrestohen në qytet dhe në zonat rurale për prodhimin e këtyre lëndëve. Ende nuk dihet nëse gjatë ditëve në vijim apo deri në fund të muajit qershor do të ketë ndryshime, por besohet se do të ketë ndryshime në strukturat e larta të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.