Ekonomia shqiptare pas COVID-19? Guvernatori Sejko: Parashikohet recension, “sytë” nga sezoni turistik

335
Sigal

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se mbyllja e ekonomisë shqiptare, për shkak të COVID-19 do të shoqërohet me një recension, të paktën sipas parashikimeve.

Sejko tha se kryesorja është ruajtja e stabilitetit financiar, duke kthyer sytë nga sezoni i verës, si një shpresë për të qarkulluar para në të gjithë vendin.

“Sot mbledhja ishte realisht për gjendjen financiare si pasojë e ndikimit të pandemisë së koronavirusit. Ne e kemi theksuar që efektet do të jenë të forta në ekonomi, sikurse në të gjithë botën. Parashikimet janë për recension në rajon e më gjerë. Jemi të qartë për këtë.

Mirëpo kjo është një goditje kalimtare. Që fundi i pandemisë të na gjejë të përgatitur, duhet të kemi një ringritje sa më të shpejtë. Duhet të jemi të kujdesshëm që ky impakt të mos godasë stabilitetin financiar dhe të mos prishet zinxhiri ekonomik. Duhet të kemi një stabilitet çmimesh që të mos ndikohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë.

Edhe tërmeti bëri punën e tij. Pandemia e përkeqësoi edhe më shumë situatën në vend. Ka një pasiguri të lartë në parashikime. Sezoni turistik po vjen. Shpresojmë të kemi ulje të shifrave dhe një ringritje graduale të ekonomisë”, tha Sejko.

Deklarata e guvernatorit u bë gjatë një komunikimi me gazetarët nga Bankën e Shqipërisë, ku Sejko gjithashtu dha lajmin se kreditë mund të shtyhen për disa kategori biznesesh përtej 31 majit.